Teqja nuk mund të arrestohet sepse ai është kryetari i PS në Peqin dhe në të njëjtën kohë edhe ortaku i Veliajt. Kur krimi është veshur me pushtet, shteti e ka të vështirë që zbatojë ligjet për shkak se pushteti është mbi shtetin në Shqipëri
Teqja ka qenë i dënuar në Itali për vjedhje ku ka marrë edhe “espulso” vite më parë. “Por kjo nuk e pengoi PS t’i jepte post në administratë (OSHEE), si dhe ta bënte kryetar të partisë për Peqinin
Prej një jave administratori i kompanisë “3R”, Edurim Teqja është shpallur në kërkim për vrasjen në landfillin e plehrave në Sharë të 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj, trupi i të cilit u gjet i maskaruar nga makineritë e kompanisë së Teqjajt. Teqja është në të njëjtën kohë edhe kreu i PS të Peqinit dhe sipas dokumentacionit të kompanisë ai është edhe bashkortak në biznes me Bashkinë e drejtuar nga Veliaj.
Ndonëse ëshë shpallur në kërkim prej një jave nga Prokuroria, policia vazhdon të mos e arrestojë kreun e PS në Peqin, duke refuzuar zbatimin e urdhrit të dhënë nga Prokuroria. Teqja nuk mund të arrestohet sepse ai është kryetari i PS në Peqin dhe në të njëjtën kohë edhe ortaku i Veliajt. Kur krimi është veshur me pushtet, shteti e ka të vështirë që zbatojë ligjet për shkak se pushteti është mbi shtetin në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë Teqja rezulton një njeri me probleme me ligjin në Itali. Ai është dëbuar nga Italia. Sikurse po ndodh në PS gjatë këtyre viteve të fundit, çdo bandit, hajdut dhe kriminel që ka pasur problem me ligjin në vende të ndryshme të BE është kandidati i preferuar i Ramës për të drejtuar PS në zona të ndryshme të vendit. Kjo është edhe një tjetër dëshmi se PS po funksionon si një organizatë e mirëfilltë kriminale.
Pse mbahet sekret kontrata
e riciklimit?
Një adoleshent, vetëm 17 vjeç gjeti vdekjen në mënyrë makabre në landfillin e Sharrës, atje ku punonte “në të zezë” për të siguruar të ardhura për nisjen e vitit shkollor. Ardit Gjoklaj u masakrua, me gjasa nga eskavatori dhe trupi i tij u fsheh. Askush nga kompania “3R” ku punonte Arditi nuk e tregoi krimin, derisa familjarët e gjetën trupin e pajetë mes mbeturinave. Madje në gjykatë, punonjësit e kësaj firme kanë deklaruar se nuk e njihnin fare Arditin dhe se nuk punonte për kompaninë “3R”.
Katër persona janë në paraburgim për këtë krim dhe do të jetë Prokuroria ajo që do të ngrejë akuzat konkrete për secilin prej tyre. Por ka një tjetër që “nuk po gjendet” nga policia. Ai është pronari, Edurim Teqja. Sakaq, Teqja është edhe kryetar i PS për Peqinin.
Teqja ka qenë i dënuar në Itali për vjedhje ku ka marrë edhe “espulso” vite më parë. “Por kjo nuk e pengoi PS t’i jepte post në administratë (OSHEE), si dhe ta bënte kryetar të partisë për Peqinin”, thotë partia në opozitë.
Teqja, biznesmeni që nuk dihen se me çfarë kontrate bën riciklimin e mbetjeve në landfillin e Tiranës është i shpallur në kërkim prej disa ditësh. Muaj më parë ai u shfaq në landfill krah kryebashkiakut Veliaj, si një biznesmen që zbaton rregullat e shtetit, por sot nuk shkon të sqarojë në polici se çfarë ka ndodhur? Pse e humbi jetën Arditi vetëm 17 vjeç? A mungonte siguria në punë?
“Janë arrestuar 4 persona, sepse në landfillin e Sharrës, në grumbullin e mbeturinave, është gjetur kufoma e shtetasit A. Gj., 17 vjeç, banues në Kombinat, i cili ishte punonjës sezonal në landfill, i paregjistruar tek firma ‘3K’ SHPK. Dyshohet se është aksidentuar për vdekje nga një mjet tip ‘Eskavator me kova’, gjatë punës në landfill”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pavarësisht se emri i kompanisë në deklaratën e policisë jepet si “3K” me administrator me inicialet E.T., 48 vjeç, banues në Peqin, kompania rezulton në fakt se e ka emrin “3R” dhe prej muajsh kryen aktivitet në landfillin e Sharrës për riciklimin e mbetjeve në marrëdhënie të paqarta ligjore me Bashkinë e Tiranës, e cila është zyrtarisht pronare e landfillit dhe e mbetjeve me vlerë ekonomike që mund të riciklohen.
Lidhja me Bashkinë
Rrjeti i gazetarëve investigativë “BIRN”, shkruan se pas një fushate të ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës gjatë muajve të fundit kundër ricikluesve të varfër, të cilët në përgjithësi i përkasin komunitetit rom, fshihen në fakt interesa private në vlerë prej miliona eurosh.
“Kompania e administruar prej Teqjes grumbullon mbetje të riciklueshme, kryesisht plastikë në landfillin e Sharrës dhe e kryen këtë aktivitet pa ndonjë marrëdhënie kontraktuale të njohur me Bashkinë e Tiranës. Bashkia nuk iu përgjigj kërkesave të vazhdueshme mbi këtë kompani”, shkruan më tej “BIRN”.
Ndërkohë, kompani të tjera që punojnë në sektorin e riciklimit të plastikës e konsiderojnë bashkëpunimin e Bashkisë me kompaninë “3R” si një përpjekje të përsëritur për të krijuar një monopol në riciklimin e plastikës.
Enton DOCI