Një atentat me armë i ka marrë jetën paraditen e sotme Kastriot Reçit, pronarit të televizionit ‘Mirdita’ dhe gjithashtu i një lokali në qendër të Rreshenit. Ngjarja ka ndodhur pak pas orës 11:00 në qendër të qytetit të Rrëshenit.
Burime nga policia thënë se, dy persona kanë qëlluar me breshëri ndaj Reçit. Autorët kanë qenë në një makinë në momentin kur kanë qëlluar.
Reçi është ekzekutuar në qendër të Rrëshenit, përpara lokalit të tij, ndërsa dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje. Reçit i kanë vrarë dhe vëllanë dy vite më parë në Romë, Gasper Reçi.
Ndërkohë në një postim në rrjetet sociale me datën 1 janar, teksa uronte për vitin e ri, Kastriot Reçi shkruante që të bëjnë kujdes nga njerëzit e kqinj.
“Miq, Gëzuar Vitin e Ri 2020!
Qëndroni sa më larg njerëzve të këqij, mashtrues dhe të pa besë”, shkrunte Reçi.
Mirditë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 11:05, në afërsi të një lokali në Rreshen, Mirditë,në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi K.R., 47 vjeç.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/eve.
Shërbimet e Policisë të D.V.P. Lezhë, të Komisariatit të Policisë Mirditë, po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit/eve.