KLSH padi penale Lefterisë për aferën 4 milionë euro

Numërimi dhe verifikimi elektronik në zgjedhjet e 2013, Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon rihapjen e çështjes: Dëmi mbi 2.5 milionë euro. Kompania spanjolle u favorizua në mënyrë të qëllimshme.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar nga Prokuroria që të rihapë hetimet për projektin pilot për verifikimin elektronik të votuesve në Tiranë dhe numërimin elektronik të fletëve të votimit në Fier, i cili u synua të zbatohej në zgjedhjet e përgjithshme të 2013. Vlera e të gjithë projektit ishte 4 milionë euro, por ai dështoi që në fillim, ndërkohë që kompania spanjolle INDRA, e cila fitoi garën për realizimin e tij, mori gati 90 për qind të shumës, pa mbajtur asnjë përgjegjësi për dështimin. Mbi këtë rast Prokuroria shqiptare zhvilloi një hetim pas kallëzimit të bërë në atë kohë nga Partia Socialiste, duke e arkivuar më pas atë. Tani, KLSH-ja kërkon që çështja të rihapet nën dritën e “fakteve dhe provave të reja të konstatuara nga auditimi i KLSH-së, sidomos përsa i përket përcaktimeve të bëra në kontratat e lidhura nga KQZ me kompaninë sipërmarrëse”, thuhet në raportin e hartuar në përfundim të një kontrolli të detajuar mbi kontratat e lidhura për këtë projekt.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit shkeljet kanë nisur që në fazën e hartimit të kontratës, ku sipas tij, “KQZ-ja ka vendosur të mos i marrë parasysh propozimet dhe sugjerimet e Avokaturës së Shtetit, duke mos ndryshuar përmbajtjen e tyre në kontratën e parë të lidhur më datë 11.03.2013 dhe në kontratën e dytë të lidhur më datë 25.03.2013. Madje në të dyja rastet KQZ i ka nënshkruar kontratat përpara mbërritjes së një përgjigjeje shkresore nga ana e Avokaturës së Shtetit”, shpjegon raporti i KLSH-së, sipas së cilit “përsa i përket fazës përpara nënshkrimit të kontratave kërkesa e KQZ-së për dhënie mendimi nga ana e Avokaturës së Shtetit ka qenë fiktive ndërsa përsa i përket fazës pas nënshkrimit të kontratave, KQZ-ja nuk i ka kërkuar asnjë mendim Avokaturës së Shtetit”.
Kontrollit të Lartë të Shtetit shpjegon se, “përcaktimet kontraktore i kanë dhënë një sërë të drejtash kontraktorit INDRA Sistemas S.A. në disfavor të interesave të ligjshme të shtetit”, duke përmendur “Dhënien e së drejtës për të anuluar kontratën”, “Krijimin e mundësive për të anuluar kontratën për shkaqe teknike” në rast të moskryerjes së pagesave nga KQZ-ja apo në rastin e modifikimit të dizenjos së fletës së votimit. Po ashtu, sipas KLSH-së, kompania spanjolle është favorizuar duke kufizuar në kontratë rastet e përgjegjësisë së saj. “KQZ ka krijuar me dashje që në fillim kushtet optimale për një ndërprerje të qëllimshme (madje të paramenduar) të kontratës, duke i dhënë kompanisë Indra Sistemas S.A. të drejtën për të ndërprerë në mënyrë të njëanshme marrëdhënien kontraktore, duke i dhënë asaj dy variante se si ajo mund të ndërpriste në mënyrë të menjëhershme kontratën në rastin e mosplotësimit nga KQZ të dy kushteve teknike që kishin të bënin me moskryerjen në kohë të pagesave dhe ndryshimin e fletës së votimit, si dhe duke kufizuar dhe shmangur totalisht në shumicën e klauzolave përgjegjësinë e kompanisë në rastin e shkaktimit të dëmeve”, nënvizon raporti.

Favorizimet e paligjshme që iu bënë kompanisë

Testi i zhvilluar në atë kohë për të dy projektet rezultoi problematik dhe sipas KLSH-së, përcaktimet në kontratë, nuk krijonin mundësi që kompania spanjolle të penalizohej. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, edhe pagesa e menjëhershme e 90 për qind të vlerës totale të kontratës ka qenë një tjetër favorizim i paligjshëm i kompanisë spanjolle. “Në kushtet e një dijenie të plotë në lidhje me pasojat, risqet dhe procedurat e zbatimit të projektit SEN, vendimmarrja e KQZ në lidhje me përcaktimet kontraktore që kishin të bënin me zgjidhjen e kontratës, favorizimin e kompanisë dhe dhënien ndaj saj të pagesave të panevojshme, ka qenë e qëllimshme. Dështimi i paramenduar i këtij projekti çon në konkluzionin që ky projekt ka qenë një projekt fiktiv, i cili në mënyrën se si ishte kontraktuar kishte të garantuar dështimin dhe jo suksesin e tij”, thekson raporti sipas të cilit “KQZ-ja, nëpërmjet vendosjes në të dyja kontratat të përcaktimeve të disfavorshme për KQZ-në ka favorizuar kompaninë Indra Sistemas S.A., në ofrimin e një shërbimi të pavlefshëm, marrjen e pagesave të pamerituara dhe ndërprerjen e marrëdhënieve kontraktore pa kurrfarë detyrimi karshi dëmeve të shkaktuara KQZ-së, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën 2,563,349.5 euro”.
Lidhur me gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, nuk ka patur ende asnjë reagim nga kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi.

Artikulli paraprakKunati i Xhafës së Drogës në Gjykatën e Strasburgut?
Artikulli tjetërRama, përgjegjësi penale për prishjen e fasadës së stadiumit