Fasada e ish-stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” është rikthyer në çështje të nxehtë pas publikimit të fotove që tregonin rrënimin e saj.
Debati ishte hapur që përpara paraqitjes së projektit të stadiumit, ku vetëm insistimi i shoqërisë civile bëri që të modifikohej projekti italian dhe në të të parashikohej ruajtja e fasadës, vepër që ndërkohë ishte shpallur “monument kulture”.
Pasi bëri ndryshimin në projekt, Kryeministri Rama sulmoi ashpër gjithë ata që e kundërshtuan, madje i quajti qorra ata që nuk e kishin parë projektin:
“Për qorrat që s’duan të hapin sytë, po hapin vetëm gojën për të baltosur çdo ide, projekt, punë dhe tani i janë turrur shtëpisë së re të kombëtares, s’ka asnjë ilaç! Por për të gjithë ata që duan të shohin se si do të ruhet fasada e ‘Qemal Stafës’ (e vetmja gjë me vlerë në atë gërmadhë), ja projekt-ideja e integrimit të saj në zemrën e Arenës Kombëtare, ku do të jetë edhe Muzeu i Kuqezinjve”, shkruante Rama në rrjetet sociale.
Nuk është e qartë arsyeja e urrejtjes së Kryeministrit për stadiumin historik të Shqipërisë, të cilën e quan “gërmadhë”, por fakt është që këtë urrejtje e ka shprehur edhe dje.
“Kujevënësit profesionistë që argument kanë injorancën kanë vënë alarmin (për dy basorelievë pa asnjë vlerë, që tutkunët e regjimit të vjetër ia mballosën fasadës së ‘Qemal Stafës’) dhe po bërtasin që po dëmtohet trashëgimia kulturore… Ato basorelievë që turpëronin edhe realizmin socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore”.
Bëhet fjalë për një objekt që ka një status zyrtar të “monumentit të kulturës” dhe si i tillë duhet të mbrohet në çdo element të tij.
Ky është detyrim i shtetit, madje edhe i Kryeministrit që sot po na thotë se ato basorelievë nuk kanë asnjë vlerë.
Cili ekspert e ka çertifikuar “mungesën e vlerave” të këtyre basorelievëve për të cilat Kryeministri flet me aq siguri? A janë depozituar këto ekspertiza në Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe a ka marrë ndonjë vendim ky institucion që të përjashtojë këta basorelievë nga lista e “veprave me vlerë”?
Ata si Artan Lame që e kuptojnë këtë sjellje arrogante, por që nuk kanë guxim të flasin kanë vetëm një fjalë: Ndjesë. Kryeministri Rama ka sjellë sërish përpara publikut dje standardin e arrogancës.
“Stadiumi i ri do të jetë përgjigjja përfundimtare, për gjithë furtunat në gotën e dembelizmit mendor e të karshillëkut provincial ndaj të resë, që u ngritën e do të ngrihen, derisa Arena Kombëtare të imponohet me të gjithë rrezatimin e saj”, shkruan Rama duke na paralajmëruar se madhështia dhe shkëlqimi i stadiumit të ri do t’u mbyllë gojën atyre “me mentalitet të vjetër” që po ngrihen të flasin.
Rama shpjegon se fasada do të rivendoset në vend, me të njëjtët gurë që janë hequr nga godina e vjetër dhe çdo gjë do të rindërtohet si më parë.
Por Kryeministri ka harruar disa detaje të vogla:
– Ai nuk e informoi publikun se monumenti i kulturës do të prishej dhe do të rindërtohej.
– Nuk është bërë e ditur nëse ka ndonjë vendim për prishjen dhe rindërtimin e fasadës nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.
– Nuk ka asnjë informacion për mënyrën se si po bëhet ky punim, përveç garancisë së tij personale për “të gjitha standardet profesionale”.
Pra, ka shumë arsye për të dyshuar. Arsye që shkojnë përtej interesave të kullës ku përflitet se secili anëtar i kabinetit të Ramës do të ketë nga një kat. Nëse Rama na quan qorra dhe injorantë, ne kemi të drejtën legjitime ta quajmë mashtrues dhe hajdut.
Në asnjë vend të botës nuk ndodh që pronat publike të trajtohen në mënyrë kaq të papërgjegjshme dhe të vendosen në dispozicion të ndërtuesve e ministrave.
Dhe kur zaptimi i hapësirave publike bëhet me arrogancë dhe në mungesë të transparencës, ky është vetëm një aksion që të legjitimohet vjedhja
Masakra mbi një monument kulture
Shkatërrimi i fasadës jo vetëm dëmton në vetvete ansamblin monument kulturor të sheshit “Nënë Tereza”, që përfshinte stadiumin, por i hap rrugën shkatërrimit tërësor të ansamblit- vepra ndoshta më e rëndësishme kulturore-arkitekturore në vend.
Ky akt kriminal kulturor është bërë në shkelje të hapur të ligjit, me vendimmarrje arbitrare dhe të fshehtë të Kryeminstrit Rama.
Rreth kantierit të ndërtimit të stadiumit të ri nuk ka asnjë tabelë informuese për lejet e nevojshme, siç e parashikon ligji. Asnjë projekt, leje apo dokument tjetër në lidhje me stadiumin nuk është bërë publik deri më sot.
Kryeministria, Bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës, Këshilli i Rregullimit të Territorit, Instituti i Monumenteve të Kulturës nuk kanë bërë asnjë deklaratë e aq më pak informim të publikut. Gjithçka dihet rreth këtij projekti janë vetëm disa fjalë propagandistike dhe manipuluese, të bëra në publik kalimthi nga Kryeministri Rama muajt e fundit.
Në foto duket qartë se në vend të fasadës, e cila u premtua se do të ruhej e do të shërbente si fasadë për stadiumin e ri, kanë mbetur vetëm mbeturina inerte dhe hekurishte.
Heqja e fasadës u deklarua që në fillim nga Kryeministri Rama, gjatë prezantimit të projektit të stadiumit të ri. Por reagimi i qytetarëve bëri që në një deklatatë të dytë ai të premtonte se fasada do të ruhej në një muze brenda stadiumit të ri.
Në mungesë të një projekti të plotë teknik për stadiumin e ri, zoti Rama e ndryshoi sërish mendjen dhe deklaroi se fasada nuk do të vendosej në muze, por do të shërbente si fasadë e stadiumit të ri.
Prishja e saj ditën e djeshme tregon se Kryeministri Rama ka ndërruar mendje sërish.
Nga ajo që është bërë publike deri më tani për pamjen e jashtme të stadiumit të ri, mund të thuhet se fasada e De Bosios nuk ka asnjë lidhje estetike me stadiumin e ri. Në fakt, siç duket dhe në foto, i gjithë stadiumi i ri nuk është në të njëjtën stil arkitekturor dhe nuk harmonizohet me asnjë prej ndërtesave në ansamblin e sheshit “Nënë Tereza”. Stadiumi dhe kulla në trupin e tij do të jenë shumë herë më të larta se Pallati i Kongreseve, Rektorati apo se ndërtesa e Universitetit Politeknik, të gjitha pjesë të ansamblit.
Krim i trashëgimisë kulturore
Edhe pse pati premtuar se fasada e stadiumit “Qemal Stafa” do të ruhet e paprekur dhe do të jetë si mozaik brenda stadiumit të ri, Edi Rama, ka vendosur ta hedhë të gjithin në tokë dhe madje për këtë ka edhe argumente. “Pllakat do të vihen sërish thotë ai (pa sqaruar se ku dhe si) ndërsa basorilievet i përkasin kohës së diktaturës dhe nuk duhet të ekzistojnë”.
Reagimi i tij erdhi dje kur një lumë kritikash janë hedhur për shembjen e fasadës së stadiumit “Qemal Stafa”, jo vetëm nga qytetarë, por edhe nga gazetarë e njerëz që janë marrë me trashëgiminë kulturore.
Mes tyre është edhe Artan Lame, të cilin e kemi parë disa herë të angazhuar në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore. Kur PS ishte në opozitë, Lame doli kundër shembjes së murit rrethues të Presidencës dhe kundër shembjes së murit të Gardës (për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit) dhe në plot raste të tjera.
Dikur, hapur kundër qeverisë, sot demonstron në heshtje Artan Lame. Ai mban një detyrë të lartë shtetërore, si drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t. Mesa duket kjo ia vështirëson qëndrimin me zë dhe me figurë kundër shefit të tij.
Lame ka zgjedhur një metodë tjetër për të protestuar, që e bën jo më pak armiqësor me Ramën. Në rrjetet sociale ai shkruan “Ndjesë!” shoqëruar me foton e fasadës së stadiumit (siç ishte). Por në emër të kujt kërkon ndjesë Lame?! Në emër të Ramës, që quan injorantë atë dhe gjithë të tjerët që mbrojnë vlerat e trashëgimisë kulturore? Sa vlen ndjesa e Artan Lames?