2 ton drogë në Itali

Plot 2 ton kanabis sativa janë kapur në Itali, ndërsa në pranga janë vënë 5 shqiptarë. Gomonia e gjatë 8 metra është kapur gjatë një operacioni policor në zonën e Ankonas, Itali. Policia bën të ditur se gomonia me lëndën narkotike vinte nga Shqipëria. Droga ka kaluar nga bregdeti i Durrësit nën hundën e policisë shqiptare.
Operacioni është bërë në zonën e Fanos në Ankona. Policia italiane ka bërë të ditur se, skafistët ishin fshehur poshtë urës së hekurudhës. Aty do të bëhej edhe shkarkimi i drogës që më pas do të shpërndahej nëpër Itali. Agjentët e policisë i kanë kapur 5 skafistët shqiptarë në flagrancë, ndërsa kanë sekuestruar edhe mjetin lundrues prej 8 metrash.
Mediat italiane bëjnë të ditur se, policia italiane e ka sekuestruar gomonen me 2 ton marijuanë në bord të transportuar përmes Adriatikut nga Shqipëria. Arrestimi i 5 skafistëve është bërë ndërsa tentonin të shkarkonin drogën nën një urë në stacionin hekurudhor të Komunës së Fanos në provincën e Pesaros.
Ky episod konfirmon se organizatat kriminale zgjedhin gjithnjë e më shumë stinën e verës për të intensifikuar trafikimin e paligjshëm, duke përfituar nga rasti për t’u përzier me rrjedhën intensive të anijeve, të cilat dynden në detin puliez.
Operacioni për arrestimin e tyre është ekzekutuar nga Policia e Pesaros në bashkëpunim me atë të Ankonës e me Drejtorinë Policore të Komunës së Fanos. Në vend të pritësve që do të merrnin mallin shqiptarët kanë gjetur në vendin e shkëmbimit forca të shumta policore. Sipas mediave italiane trafikantët u përpoqën të largohen, por u bllokuan nga policia.
Mediat italiane nuk japin emrat e të arrestuarve. “Është hera e parë që në këto brigjet të sillen sasi kaq të mëdha droge”, shkruan “Corriere Adriatico”. Gomonia me të cilin është transportuar droga ishte e një gjatësie prej 8 metrash dhe e pajisur me dy motorë të jashtëm.
Para pak ditësh një tjetër ngarkesë droge nga Shqipëria prej 1.2 ton u sekuestrua në Bari. Operacioni u krye nga njësitë e Departamentit të Operacioneve Aerodetare të Barit, i cili lufton trafikimin e paligjshëm me anë të detit drejt Puglias, në bashkëpunim me Grupin Aerodetar të Tarantos të specializuar në operacionet me rreze të gjatë, dhe qendra lokale e koordinimit për operacionin “Triton” e Agjencisë europiane Frontex.
Gomonia me drogë u vu re nga mekanizmi mbikëqyrës, i cili zbatohet çdo ditë nga Policia Financiare për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe trafikimin e drogës, fenomene të cilat, siç tregohet nga lajmi i fundit, për fat të keq janë duke u rishfaqur. Autoritetet e Policisë Financiare dyshuan mbi sjelljen e dyshimtë të gomones, e cila vinte prej së largu, drejt bregut puliez, me shpejtësi të lartë.
Disa anije patrullimi, pra, iu afruan për të bërë një kontroll më të plotë policor, por, në përgjigje, skafistët në bordin e gomones së fuqishme, në të cilën dallohej ngarkesa me mbështjellës që zakonisht përmban marijuanë, rritën shpejtësinë në një përpjekje për t’i shpëtuar policisë.
Financierët u vunë në ndjekje të mjetit që po arratisej, ku ata që ishin në bord për të siguruar një avantazh më të madh hidhnin në det sasi të madhe të drogës.
Trafikantët, duke përjashtuar çdo mundësi shpëtimi në det të hapur, me shpejtësi të lartë iu afruan shumë pranë bregut, duke prekur tokën pranë Cala Corvino, pranë Monopolit, duke u zhdukur në drejtim të panjohur.
Në det u gjetën më shumë se 80 pako që përmbajnë në total më shumë se 1.2 ton marijuanë, e cila në këtë rast nëse do të kishte ardhur në sheshet e shpërndarjes, organizatës kriminale do t’i kishte sjellë më shumë se 1.2 milionë euro fitime. Droga dhe gomoneja rreth 10 metra e gjatë dhe e pajisur me dy motorë të fuqishëm nga 350 kuaj secili, u vunë nën sekuestro.

Artikulli paraprakBiznesi i Veliajt me kreun e PS Peqin vrau të riun Gjoklaj
Artikulli tjetërRevolta e shtatorit