Revolta e shtatorit

Në intervistën e parë televizive pas votimit me konsensus të Reformës në Drejtësi, falë bashkëpunimit me Ilir Metën, kreu i PD, Lulzim Basha tregon për “ABC News” se për të, kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar zgjedhje të lira.
Ai thotë se nëse nuk do të gjejë konsensus për një qeveri teknike, që do të përgatisë zgjedhjet e ardhshme, do t’u prijë vetë revoltave popullore. Kjo është strategjia që do të nisë të zbatohet në shtator, 10 muaj para zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
“Unë kam bërë një ftesë para më pak se një jave për një marrëveshje politike mes gjithë aktorëve politikë, pa përjashtuar e paragjykuar askënd, që ky të jetë një akt politik konsensual. Por e kam bërë po ashtu të qartë që ndërsa ftesa ime qëndron, po kështu jam i bindur që t’i prij me PD dhe gjithë opozitën e bashkuar një lëvizjeje popullore për ta detyruar këtë mazhorancë në numra, por të rënë në legjitimitet që të pranojë qeverinë teknike, si i vetmi shans për zgjedhje të lira e të ndershme. Qeveria teknike është kusht i patejkalueshëm. Dy rrugë ka meqë më pyetët, njëra është ajo e bashkëpunimit politik, tjetra është e presionit popullor”.
Por a e gjeti tek Ilir Meta sigurinë për të vënë kushte të tilla kryeopozitari? “Lulzim Basha nuk e pranon, por nuk mungon së vlerësuari rolin e Metës në konsensusin për Reformën në Drejtësi. Ilir Meta me rolin e tij dëshmoi një qëndrim parimor në favor të interesave të vendit dhe për këtë e kam përshëndetur. Do të kisha përshëndetur edhe Edi Ramën po të kishte bërë të njëjtën gjë. Përgjegjësia ime është para gjithë qytetarëve, para gjithë shqiptarëve. Në këtë kontekst nuk mund të mos çmoja rolin e Metës për arritjen e konsensusit, por nuk mund të hesht apo të mbyll sytë para rolit në vazhdimësi të Metës në mbajtjen në këmbë të një qeverie të inkriminuar e të korruptuar deri në palcë. Këto janë dy gjëra të ndryshme dhe unë siç kam bërë prej fillimit, di t’i veçoj”.
Fjalën e fundit thotë se e ka vetë në PD, por për herë të parë pranon se jo vetëm ai, por edhe deputetë të tij këshillohen me Berishën, siç bënë ambasadorët dhe Ilir Meta gjatë negociatave për Reformën në Drejtësi.
“Z. Berisha ka një rol si deputet e lider historik i PD me të cilin sigurisht dhe unë si kryetar dhe anëtarët e të tjerë të grupit parlamentar, këshillohemi e përfitojmë nga përvoja e tij. Vendimmarrja në PD i takon me të gjitha atributet e përgjegjësitë kryetarit të saj, Lulzim Basha. Nuk jam unë ai që vendos se kë merr në telefon Meta apo ku pi kafe z. Lu, por unë jam ai që vendos në PD”.
Kreu i PD-së foli edhe për një sistem të ri zgjedhor, por që mbetet për t’u diskutuar, jo mazhoritari i përfolur me prim që do të prekte partitë e vogla, por një sistem që do u rikthejë shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur deputetët, një e drejtë që prej 2009 e kanë kryetarët e partive politike.
“T’ju them se çfarë kam problem, mospërfaqësimin e qytetarëve. Kam problem një Parlament që është mbushur me horra, kriminelë edhe pse amendamentet e 2008 duhej të rrisnin cilësinë. Jam i vendosur për t’i dhënë shqiptarëve një sistem përfaqësues.
Se si do ta arrijmë kjo mbetet jo vetëm pjesë e punës së ekspertëve, por edhe e vullnetit politik”.
Basha flet edhe për marrëdhënien e re me Ilir Metën, për takimet publike me të, por edhe për takimin e kafen në Aeroportin e Rinasit kur po merrnin të njëjtin avion, për ambasadorët Lu e Vlahutin, për dy deputetët që e kritikuan hapur, Eduard Selami e Majlinda Bregu.

Artikulli paraprak2 ton drogë në Itali
Artikulli tjetërAnçeloti nuk varet nga Championsi