Ish-futbollisti argjentinas, Juan Pablo Sorin, e ka përshkruar Lionel Messin si jashtëtokësor dhe i ka shprehur shpresat e tij se ekipi kombëtar do t’ia shpërblejë paraqitjet me ndonjë trofe para se ai të pensionohet.
Juan Pablo Sorin kishte luajtur për pak kohë përkrah Lionel Messit në ekipin kombëtar të Argjentinës, para se t’i jepte fund karrierës së tij si futbollist në vitin 2009.
Pasi e kishte parë yllin e Barcelonës duke performuar nga afër, e tani po e shikon nga larg, Sorin beson se askush s’mund ta ndalë Messin kur ai është në formë dhe e theksoi se ai meriton të fitojë trofe me Kombëtaren argjentinase.
“Për fatin tim, ne luajtëm një kohë bashkë. Ai është një jashtëtokësor, nuk ka asnjë mënyrë se si mund ta ndalësh atë kur është në formën e tij të mirë”, ka thënë Sorin, në një intervistë të dhënë për Ole.
“Ju e patë golin që ai e shënoi në ndeshjen kundër Athletic Bilbaos në finalen e Kupës së Mbretit – është bishë! Unë jam me të vërtetë krenar që kam luajtur disa herë përkrah tij në ekipin kombëtar”.
“Messi e filloi rindërtimin e ekipit kombëtar dhe ai nuk dëshironte të shkaktonte asnjë problem këtu. Pastaj, ai e kuptoi, ashtu siç na ndodh të gjithëve kur rritemi, peshën e fjalës së tij”.
“Unë shpresoj të arrijmë rezultate në një garë të madhe me të. Ndoshta ai ka merituar shumë më shumë, por kur e kemi parasysh këtë vështirësi të tij, ai i ka lënë shumë gjëra në të kaluarën dhe i ka tejkaluar shumë situata të vështira”.
“Unë mendoj se jo vetëm argjentinasit, por të gjithë tifozët e futbollit në botë, duan që ai të fitojë diçka të madhe me Argjentinën”.