Pas humbjes ndaj Realit të Madridit në finalen e Champions League, Diego Pablo Simeone u vuri disa kushte drejtuesve të Atleticos së Madridit në mënyrë që të qëndronte në krye të Los Colchoneros. Kur duhen dhe rreth 20 ditë nga mbyllja e merkatos së verës, Atletico është klubi i 6 në Europë që ka shpenzuar më shumë para në tregun e shitblerjes së futbollistëve, kështu që për Diego Simeonen nuk ka më justifikime. Me afrimet e Nicolas Gaitan, Sime Vrsalkjos, Diogo Jotas dhe së fundmi Kevin Gamieros, Los Colchoneros kanë shpenzuar 81 milionë euro në merkato me Atleticon që gjatë kësaj vere ka harxhuar më shumë të ardhura edhe se klube të tilla si Bayern Munich, Paris Saint Germain apo Reali i Madridit.
Përveç se nuk ka larguar nga skuadra asnjë lojtar të rëndësishëm Atletico ka shtuar radhët me elementë të tjerë shumë cilësorë dhe në këtë mënyrë për sezonin e ri Diego Simeone do të ketë në dispozicion një skuadër akoma edhe më të fortë. Trajnerit argjentinas tashmë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të punojë fort për të rivalizuar Realin e Madridit dhe kampionët në fuqi të Barcelonës në garën për titull. Me një dyshe sulmuese të përbërë nga Antoine Griezmann dhe Kevin Gamiero asgjë nuk është e pamundur për Los Colchoneros.