Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi shkruan në një postim në Facebook se, Edi Rama po diskriminon banorët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Bardhi shkruan se, me ardhjen e PD në pushtet qytetarët do të çlirohen nga koncesioni korruptiv për të kaluar në “Rrugën e Kombit”.
Postimi i plotë i Bardhit
Dy ditët e fundit jam takuar me qindra demokratë gjatë mbledhjeve të kryesive në degët e PD në Kukës, Has dhe Tropojë.
Nuk kam parë askund një diskriminim kaq të egër nga një qeveri kundër qytetarëve të vet. “Faji” i tyre i vetëm është se nuk votojnë Edi Ramën dhe janë kundër tarifës korruptive, varfëruese dhe izoluese të Rrugës së Kombit.
Me mirënjohjen më të madhe për sakrificën e banorëve të qarkut të Kukësit, shpreha në çdo takim vendosmërinë e PD për të zhbërë modelin e Edi Ramës që varfëron qytetarët përmes vjedhjes, korrupsionit dhe zhvatjes së pasurive e parave të tyre.
Me drejtimin e vendit nga PD, qytetarët nuk do të paguajnë asnjë lek për të kaluar në Rrugën e Kombit. Ajo do të çlirohet nga koncesioni korruptiv.