Mbrëmja e parafundit e garave të notit dhuroi shumë surpriza dhe rezultate të papritura. “Jashtëtokësorja” Katie Ledecky nuk ka rivale. 19-vjeçarja theu rekordin botëror në 800 metra stil i lirë me kohën 8 minuta e 4 sekonda e 79 të qindat, duke e përmirësuar me 10 sekonda kohën e saj të regjistruar në Londër 2012. Rivalët as që mund t’i afrohen Ledecky-t, që mund të konkurrojë vetëm me veten e saj. Medaljen e argjendtë e fitoi Jazmin Carlin e Britanisë së Madhe, ndërsa e bronzit shkoi për hungarezen Kapas. Për Ledecky-n kjo ishte medalja e katërt e artë në Rio.
Michael Phelps nuk arriti ta fitonte medaljen e artë në 100 metra flutur, pasi Shcooling nga Singapori regjistroi kohën më të mirë 50 sekonda e 39 të qindat, duke shënuar rekord olimpik. Shcooling, dikur një fans i amerikanit, u ngjit në shkallën më të lartë të podiumit, ndërsa Phelps, Le Clos dhe Cseh e ndalën kronometrin në 51 sekonda e 14 të qindat. Për Phelps kjo ishte medalja e 27-të në olimpiadë, e pesta vetëm në Rio, ku ka koleksionuar katër të arta dhe një të argjendtë.
Mos e quani thjesht Michael Pelphs, as peshkaqeni nga Baltimore, pasi emri i tij kalon çdo përmasë, ai është më i madhi i të gjitha kohërave në sportin e notit, është një legjendë e gjallë dhe këtë po e konfirmon edhe në Rio de Janiero.
Një legjendë e gjallë vetëm kështu mund të konsiderohet Michael Pelphs, pa të sporti i notit nuk do të ishte ndoshta kaq i bukur.
Kartinka Hoszu nuk arrin të triumfojë në 200 metyra shpinë për 6 të qindat. Notarja hungareze që ka fituar 3 medalje të artë në Rio, u dorëzua para amerikanes Maya DiRado, që shënoi kohën më të mirë 2 minuta, 5 sekonda e 99 të qindat.
Medaljen e bronztë e meritoi kanadezja Hillary Caldwell. Lotë gëzimi për DiRadon, e cila nuk i përmbajti dot emocionet për këtë sukses të pabesueshëm për të.
Në 50 metra stil i lirë medaljen e artë e fitoi 35-vjeçari Anthony Ervin, për 1 të qindat e sekondës më shpejt se rivali francez Florent Manaudou, kampionin në fuqi dhe favoritin absolut. Amerikani, i cili e përsëriti pas 16 vitesh këtë sukses, shënoi kohën 21 sekonda e 40 të qindat. Medaljen e bronztë e mori amerikani Nathan Adrian me 8 të qindat më shumë se Manaudou.