Në shtëpinë e Sandra Avila Beltran ka një altar me qirinj të ndezur, një mausoleum të mbushur me kujtimin e bashkëshortit të parë (i vrarë me breshëri automatiku), të bashkëshortit të dytë (i vrarë me thikë në zemër) dhe të vëllait të saj (i torturuar për vdekje). Janë të gjithë viktima të luftës për kontrollin e trafikut të kokainës në Meksikë, një luftë akoma sot në zhvillim e sipër. Avila është një figurë pothuajse legjendare: një prej grave të pakta që kanë pasur akses në kupolën e narkotrafikut. Ka jetuar, punuar dhe dashuruar në nivelet më të larta të universit të drogës meksikane në gjysmën e dytë të viteve shtatëdhjetë. Në kulmin e karrierës së saj e kishte zakon që të udhëtonte me valixhet plot me miliona dollarë në kartëmonedha të vjetra 100-ëshe. Të gjithë e quanin “Mbretëresha e Paqësorit”, një nofkë që e kishte fituar kur menaxhonte një luftë për varkat e peshkimit që transportonin 10 tonë kokainë secila nga veriu i Meksikës drejt tregut kryesor të kokainës: Shteteve të Bashkuara.
Avila është dënuar për riciklim parash dhe i ka kaluar 7 vitet e fundit në burg, nga të cilat 2 në izolim. Me të dalë nga burgu ka dhënë intervistën e saj të parë prej pothuajse 10 vitesh nga shtëpia e saj në afërsi të Guadalajaras: ka denoncuar korrupsionin e politikanëve meksikanë, duke e quajtur të kotë prohibicionizmin. 30 vitet e karrierës kriminale të saj i kanë garantuar një jetë me avionë privatë, operacione kirurgjie plastike për të fshehur identitetin, të shtëna vdekjeprurëse gjatë festimeve mondane dhe një konstante të madhe: shumat e majme të dhëna funksionarëve publikë meksikanë. “Më e larta që kam dëgjuar të flitet ndonjëherë ka qenë ajo e 100 milionë dollarëve të paguara një Presidenti meksikan”, tregon Avila. “Zarfet 1 milionëshe janë thërrime”. Avila ka folur për më shumë se 3 orë, por nuk ka thënë as edhe një fjalë të vetme për të dënuar masakrat që dhuna e narkotrafikut ka shkaktuar në Meksikë, duke e krahasuar me indiferencë me atë të epokës së prohibizionimit në Shtetet e Bashkuara. Në botën e saj droga gjendej kudo dhe përdorimi ishte një zgjedhje konsumi, jo një problem moral.
Midis dhjetëra mijëra meksikanëve të vrarë nga bandat e armatosura ka shumë prej të njohurve më të afërt të saj, megjithëse refuzon ta kritikojë narkotrafikun. Preferon ta përshkruajë dhunën si rezultat i terrorizmit shtetëror të qeverisë meksikane apo të politikave prohibicioniste dhe jo të barbarive gjerësisht të dokumentuara, të cilave u drejtohen rregullisht kartelet e drogës. Ka refuzuar edhe t’u përgjigjet disa pyetjeve lidhur me rolin e vërtetë të saj në trafikun e kokainës dhe i ka quajtur “dhurata” shumat e mëdha të parave të marra. Dhe pavarësisht gjakderdhjes së tmerrshme dhe të paktën 100000 të vdekurve të vlerësuar në 10 vitet e fundit, ka bërë mjaft të qartë një gjë: nuk ka asnjë ndjenjë faji.
Aristokraci kriminale
Avila ka lindur në aristokracinë e narkotrafikut. Si fëmijë jetonte në mes të pasurisë. Ndiqte kurse private dhe leksione pianoje dhe vallëzimi, si dhe shkonte rregullisht në SeaWorld e në Disneyland. Babai i saj, Alfonso Avila Quintero ishte kushëri me themeluesin e kartelit të Guadalajaras. Si fëmijë, Sandra kalonte aq shumë kohë duke numëruar para, saqë mjafton t’i hidhte një sy një tufe kartëmonedhash për t’i gjetur vlerën e saktë. Kur ishte rreth 13 vjeç përjetoi të shtënat e para. “Disa burra ecnin nëpër rrugë me pistoletat në brez dhe muzikantët i ndiqnin duke luajtur instrumentet”, tregon ajo. “Në mëngjes dëgjova muzikën dhe të shtënat”. Ndërsa shokët e saj të fëmijërisë ngjisnin hierarkitë e kartelit të Sinaloas, adoleshentja Sandra ndiqte një rrugë tjetër. Në moshën 17-vjeçare u regjistrua në Universitetin e Guadalajaras për gazetari. Por pas 3 vitesh u rrëmbye nga një i fejuar xheloz që kishte lidhje të ngushta me kartelet e drogës. Pak muaj më pas iu desh ta linte qytetin dhe hequr dorë nga shpresat e saj për të bërë karrierë si gazetare investigative.
E ndihmuar nga dhuntitë e saj prej drejtuesve agresivë, Avila hyri në botën e narkotrafikut, kalorëse e sprovuar dhe qitëse e shkëlqyer. Veç kësaj, siç thotë vetë ajo, dinte të nxirrte maksimumin nga sharmi i saj. “Kujtoj se një pretendent më gjeti një fuoristradë që kishte brenda lule dhe një zarf me 100000 dollarë”. Në moshën 21-vjeçare takohej fshehurazi me baronin e drogës, Amado Carrillo Fuentes, i njohur edhe si El Senor de los Cielos (Zoti i Qiejve). Jeta e saj ishte tashmë krejtësisht e kushtuar narkotrafikut. Falë aftësive të mëdha të saj, i ngjiti me shpejtësi shkallët e pushtetit, duke tërhequr etjen e të gjithë burrave që kishte përreth. Por vendosi që të mos përdorë kurrë kokainë. “Nëse e bën, burrat mendojnë se ti je një prej grave të shumta ‘njëpërdorimshe’ dhe nuk të respektojnë”, shpjegon ajo. Në këtë mjedis gratë kapen, ngarkohen dhe flaken tej sikur të ishin Barbie. Disa drejtuese kartelesh kanë hareme me 10 gra, por gratë, edhe ato që komandojnë, nuk ndajnë këtë liri seksuale. Konsiderohen objekte, dekorime apo nevojë, por “kurrë si qenie të afta për të luftuar, si triumfe dhe arritje”.
Për Avilan sigurimi i respektit ishte themelor. Nuk donte vetëm që të ishte e ftuar në festë: kishte vendosur të bëhej mbretëresha e kokainës dhe në më pak se 10 vjet, ia arriti. U bë mikeshë e “Chapo” Guzman dhe u fejua me një prej krerëve të kartelit të Sinaloas. Posedonte 30 makina dhe mundte në qitje badigardët e Rafael Caro Quintero, themelues i kartelit të Guadalajaras. Për 15-vjetorin e djalit i dhuroi një “Hummer” dhe një zarf me 40000 dollarë. Në qafë mbante një kokë të Tutankhamon prej ari të plotë me 83 rubinë, 228 diamante dhe 189 zefirë. Fotot e jetës së natës të saj të kujtojnë serialin e Kardashianëve. Diferenca e vetme është se kur i rishikonte në pak vite largësi ishte gjithmonë dikush që ndërkohë ishte larguar nga kjo botë. Kurse ajo dukej e paprekshme.
Festë ndër male
Por në vitin 2002 fati ia kthehu krahët Avilas. Djalin ia rrëmbyen dhe kur ajo pagoi “gjobën” 5 milionë dollarëshe për lirimin e tij, policia nisi ta mbajë nën vëzhgim. Tashmë emri i saj ishte në listën e më të kërkuarve. U zhduk nga qarkullimi dhe për vite me radhë ka jetuar në klandestinitet. “Është e lodhshme, shumë e lodhshme. Secili prej nesh ka një esencë të tij, një personalitet unik. Të bëhesh njeri tjetër është e vështirë”, rrëfen lidhur me këtë periudhë. Ndryshonte shpesh shtëpi, ngjyrën e flokëve dhe deri edhe zërin. Ka qenë pak a shumë në këtë periudhë që një grup muzikor i quajtur Los Tucanes de Tijuana e transformoi Avilan në mit, duke iu referuar asaj si “Mbretëresha e Paqësorit” në këngën e tij “Fiesta en la sierra” (Festë ndër male). Kënga, që i përket gjinisë narkokorridos, rrëfen për ardhjen e Avilas në një festë ditëlindjeje sekrete në një vend të izoluar. Festa ishte plot me narkos, politikanë dhe oficerë ushtrie e policie dhe mund të shkohej vetëm me rrugë ajrore: një copë pylli ishte shkulur për të krijuar një pistë uljeje. Nën vështrimin e snajperave, Avila zbriti nga një helikopter me syze dielli dhe një kapele bejzbolli, e patrukuar dhe pa bixhuteri, por me një kallashnikov të varur në qafë. U shoqërua menjëherë në tavolinën e Guzman. Kënga pati një sukses të madh, por Avila ishte tërbuar: kjo famë i kishte kushtuar anonimatin.
Por lajmet e këqija nuk përfunduan këtu. Disa muaj më vonë, ajo dhe i fejuari i saj Joel ranë në një pritë teksa po shkonin të hanin mëngjes. Dy njerëz të armatosur i bllokuan makinën dhe nisën ta qëllonin. Avila u shtri menjëherë përtokë dhe mendoi se ky ishte fundi. Por më pas mendoi se i vëllai ishte vrarë para pak kohësh dhe se vdekja ia kishte copëtuar zemrën nënës së saj dhe vendosi të mos dorëzohej. “Mendova se sikur të hapja derën dhe t’ia mbathja, duke kërkuar që të fshihem midis makinave, do ta kisha ndonjë shans për të mbijetuar. Dhe është ajo që bëra. Nisa të vrapoja, arrita në trotuar, hyra në një pallat dhe u fsheha prapa një kaçubeje. Pashë se po më kërkonin dhe e mbylla gojën. Kur dëgjoi sirenat e policisë, njeriu i armatosur që po më kërkonte ia mbathi. Policët bllokuan hyrjet dhe pashë Joel të shtrirë përtokë, i vdekur”.
Avila tregon se ajo që e shpëtoi qe një grua që kish asistuar në ngjarje. “Më kapi nga krahu, më dha rroba për t’u veshur dhe më tha se nëse dikush do të më pyeste, duhej t’i thoja se ishte mbesa e saj. Më dha 50 pesos (rreth 2 euro) pasi kisha lënë gjithçka në makinë dhe ia mbatha me taksi”. Për 3 vite vazhdoi të jetojë në arrati. Njohu dashurinë e re të saj, Juan Diego Espinoza, një trafikant i ri kolumbian që në atë kohë, siç ka treguar vetë ai në një intervistë nga burgu, transportonte 10 tonë kokainë në muaj nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet Meksikës. U arrestuan bashkë më 27 shtator 2007. Avila nuk kërkoi as t’ia mbathë. “Nuk mund t’u besoja veshëve. Po më arrestonin dhe më pyesnin për emrin. Për mua qe një lehtësim”.
E burgosur me taka të larta
Për pjesën më të mirë të dhjetëvjeçarit të mëpasëm, Avila ka jetuar pas hekurave, ama me stil. Ndërsa të burgosurit e tjerë prisnin vizitorët në një dhomë të përbashkët, vizitorët e saj shoqëroheshin në qelinë e saj, ku 3 shërbëtore sillnin ushqim, alkool dhe puro. Jose Gerardo Mejia, gazetari i parë që e ka intervistuar në burg, e ka përshkruar Avilan si një të burgosur me takat 10 centimetërshe dhe bizhuteritë e çmuara, e rrethuar nga gardiane të bindura që silleshin “si diplomatët e nivelit të ulët kur anonçonin ardhjen e ambasadorit”. Avila ka mësuar që të bëhej e bukur me atë që kishte. “Përdornim tubat e letrës higjienike si bigudina. Për të lyer flokët e thinjura përdornim mascara dhe eyeliner”, shpjegon duke qeshur. “Si krem për fytyrën përdornim kremin e hemorroideve”. Ka mësuar edhe të mbijetojë në izolim, ku ka kaluar pothuajse 2 vjet. Për të kaluar kohën ka shplurosur ëndrrat e saj prej gazetareje: imagjinonte sikur ishte një e dërguar që shkruante dhe transmetonte lajme. Duke dëgjuar radion në qelinë e saj, ka “ndjekur” zgjedhjet në Venezuelë dhe të dyja fushatat elektorale të Barack Obamas: “Dëgjoja emisionet e lajmeve dhe bëja parashikime për rezultatet”. Duke rrëmuar në blloqet e shënimeve, ka thyer monotoninë e shumë muajve të kaluar pa kontakte me qeniet e tjera njerëzore.
E liruar në shkurt të 2015, i ka rikuperuar me ngadalë kontaktet dhe qetësinë e saj. Ka humbur pothuajse gjithçka kishte dhe bashkë me avokatët e saj, po kërkon me kokëfortësi të rikuperojë 15 shtëpi, nja 30 makina sportive dhe rreth 300 bizhuteri. Pak ditë më parë, një television amerikan nisi një serial të titulluar “Queen of the South”. Personazhi i interpretuar nga Alice Braga është qartazi i frymëzuar prej saj. Seriali është një remake i serialit në spanjisht “La reina del sur”, e interpretuar nga Kate del Castillo, aktorja që më pas do të bashkëpunonte me aktorin e njohur Sean Penn për të organizuar intervistën e famshme dhe të diskutuar klandestine me Chapo. Për Avilan bëhet fjalë thjesht për një gjest amatoresk të Hollywoodit, i paaftë që të kuptojë intrigat e vërteta të botës së narkotrafikut.
Në vitin 2015 arratisja nga burgu e Guzman, që kur ishte ende në kërkim bënin shpesh festa me të, nuk e ka befasuar aspak: “Në Meksikë me para mund të blesh gjithçka. Një gjë e kësaj natyre nuk ka se si të mos vijë nga nivelet e larta të qeverisë. Sistemi i burgjeve federale është i ashpër. Për të korruptuar rendin, urdhri duhet të vijë nga lart, jo nga drejtori i burgut apo nga gardianët. Duhet të vijë nga një ministër”. Çfarë do të bënit po të ishit Presidente e Meksikës dhe do të donit t’i jepnit fund dhunës së narkotrafikut? “Si gjë të parë duhet t’i shpallet luftë varfërisë. Është varfëria ajo që shkakton dhunën. Fillimisht bëhesh delinkuent, pastaj bëhesh i dhunshëm”, përgjigjet ajo. Pra, është një çështje mundësie? “Droga është një biznes që nuk është legalizuar”, shpjegon Avila. “Është si alkooli kur ishte i ndaluar. Në atë kohë, një shitës pijesh alkoolike konsiderohej njeri i keq, por kur e kanë legalizuar njerëzit që e shisnin janë bërë të respektueshëm. Nuk më duket se shitësit e alkoolit dhe duhanit kanë ndonjë ndjenjë faji. Në qoftë se shkon në një bar apo në një restorant, pronarët nuk ndjehen fajtorë”. Pyetjes se si do të reagonin kartelet e drogës ndaj legalizimit të marijuanës dhe mbylljes pasuese të këtij tregu të pasur, përgjigjet se nuk do të përbënte ndonjë diferencë të madhe, pasi “do të shpiken gjithmonë droga të reja. Biznesi do të ecë përpara”.
Trafikantë nga pasioni
Në thelb, pozicioni i saj është i thjeshtë: çdo individ është i lirë të hyjë në botën e drogës apo të qëndrojë jashtë saj. “Statistikat tregojnë se vdesin më shumë njerëz prej alkoolit se sa prej drogës dhe se aty ku alkooli është në shitje asnjeri nuk ka ndjenja faji”, shpjegon ajo. “Asnjeri nuk është i detyruar ta përdorë”. Sipas saj, viktimat e narkotrafikut janë rezultat i konkurrencës dhe i strategjive brutale të qeverisë meksikane: “Herë pas here, qeveria duhet të vrasë dikë, pasi nuk i vjen për mbarë të mbajë në burg dëshmitarët që mund të deponojnë kundër politikanëve”. Problem, shpjegon ajo, nuk janë njerëzit që nuk mund të dalin nga kartelet, por ato që nuk duan ta bëjnë. “Ka njerëz që kanë një mal me para, por vazhdojnë të trafikojnë. Nuk duan të pushojnë, u pëlqen. Është si një pilot i Formulës 1 që mendon: ‘Më pëlqen shpejtësia, dua të vazhdoj të garoj’”.
Sot raporti i saj me botën e kokainës duket njëlloj si ai i një të brendshmi që nuk është më pjesë e lojës. Është krenare që ka ruajtur kontaktet dhe lidhjet e vjetra, por në moshën 56-vjeçare duket më shumë e interesuar të rikuperojë 10 vitet në të cilat ka qenë larg të birit, që sot është pothuajse 30 vjeç. Shikojmë trajlerin e “Queen of the South” në dhomën e pritjes. Avila vëren se njerëzit në rrugë e quajnë protagonista reina dhe qesh. Kur zëri në bekgraund tregon se personazhi kryesor i serialit është bërë një prej trafikanteve më të pasura të Meksikës, nuk arrin të përmbajë një të qeshur sarkastike dhe shfryn: “Ah, vajzë e mjerë, do të ta marrin shpirtin”.
(Jonathan Franklin për “The Guardian”)