Tanush Frashëri, autor i disa librave historikë dhe i kërkimeve shumëvjeçare nëpër arkivat e bibliotekave të vendeve të ndryshme të Evropës, është përpjekur të hedhë dritë mbi jetën e Ali Këlcyrës, njërit prej protagonistëve të politikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të kaluar.
Frashëri e quan gënjeshtër marrëveshjen e shumëpërfolur “Dalmacio-Këlcyra”, për të cilën jo pak historianë deklarojnë se përmes saj italianët janë garantuar se nuk do të pengoheshin për të shtypur ushtarakisht forcat partizane dhe luftën e tyre Nacional-Çlirimtare.
I ashtuquajturi “Protokolli Dalmacio-Këlcyra” që mendohet të jetë nënshkruar në mars të vitit 1943, ndërmjet komandantit të Forcave pushtuese italiane në Shqipëri, Dalmacios (Renzo Dalmazzo), dhe përfaqësuesit të Ballit Kombëtar, Ali Këlcyrës, sipas Tanush Frashërit nuk ekziston, madje as në arkivat e SIM-it.
Ai këmbëngul se “vetëm kërkimet arkivore do ta ndriçojnë me të vërtetën historike Ali Këlcyrën, si figurë interesante e me peshë për historinë e Shqipërisë, duke hedhur dritë në rrethanat, periudhën dhe bashkëkohësit e tij.”