Në dhjetor 2014 mazhoranca dhe opozita ranë dakord për Pakt kundër individëve me rekorde kriminale në politikë dhe qeverisje.
Në dhjetor 2015 parlamenti miratoi ligjin 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ashtuquajturi Ligji i Dekriminalizimit.
Impakti direkt i ligjit ishin dorëheqja e tre deputetëve, heqja e mandatit për dy deputetë të tjerë, si dhe largimi i mbi 150 zyrtarëve të lartë e të mesëm në nivelet e qeverisjes. Midis viteve 2016-2019 humbën mandatin edhe dy deputetë të tjerë, tre kryetarë bashkie, një anëtar i Gjykatës Kushtetuese/Gjykatës së Lartë dhe më shumë se 200 këshilltarë lokalë dhe rreth 500 zyrtarë të nivelit të mesëm e të lartë.
Bilanci statistikor i ligjit 138/2015 është pozitiv. Një analizë e detajuar e problematikës dhe brendësisë së dekriminalizimit e bën bilancin statistikor jo aq domethënës. Procesi i dekriminalizimit synonte krijimin e një sistemi parandalues, filtrues e penalizues për individët me rekorde kriminale si dhe promovimin e një sistemi të meritokracisë dhe të integritetit në politikë dhe në qeverisje.
Ecuria e dekriminalizimit 2015-2020 tregon se;
1. a) Kurba e përfshirjes së individëve me rekorde kriminale në politikë dhe qeverisje pritej të ulej ndjeshëm me kalimin e viteve, por zgjedhjet lokale 2019 treguan se kurba mbetet në ngritje dhe ende ka një hendek të thellë midis koncepteve të dekriminalizimit dhe vullnetit politik për ta jetësuar atë në mënyrë cilësore dhe integrale.
1. b) Sistemi i meritës, transparencës, aftësisë dhe integritetit në promovimin e individëve në politikë e qeverisje tregon se mbetet ende i brishtë dhe nuk ka fuqi parandaluese. Shqipëria nuk ka ende një database të besueshme për burimet njerëzore në administratë dhe në qeverisje, për rrjedhojë partitë vijojnë të kenë peshën kryesore ndaj edhe prirja e individëve me rekord kriminale për të marrë poste drejtuese në shtet është e lidhur me natyrën klienteliste e vertikale të vendimmarrjes politike.
1. c) Legjislacioni i dekriminalizimit nuk parashikoi të gjithë elementët që e bëjnë procesin efektiv, parandalues dhe transparent aktualisht e në të ardhmen. Individët me rekorde kriminale të larguar nga parlamenti dhe qeverisja vijojnë të gëzojnë imunitet politik në partitë e tyre politike, nuk ka ende vendime publike të partive për pezullim apo përjashtuar nga partitë, duke dëshmuar një hendek të thellë midis parimeve të ligjit dhe parimeve mbi të cilat funksionojnë partitë politike.
1. d) Shqipëria është shteti i vetëm në kontinent që ka përfshirë në Kushtetutë konceptet e integritetit dhe dekriminalizimit, një vendim i nevojshëm në periudhë afatshkurtër, por eksperimental dhe penalizues për imazhin e vendit në aspektin afatgjatë.
1. e) Jetësimi efektiv dhe afatgjatë i dekriminalizimit kërkon reformim në sistemin e emërimeve në qeverisje dhe në promovimin politik, ndërhyrje përmirësuese ligjore dhe investim afatgjatë në kulturën demokratike dhe konceptet e demokracisë dhe të mirëqeverisjes.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) prej vitit 2019 dhe në vijim deri më 2022 po monitoron të gjitha aspektet e impaktit të ligjit 138/2015 përmes projektit “Jetësimi cilësor i dekriminalizimit: Për politikë dhe zyrtarë të pastër”, me mbështetjen e Programit MATRA të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.
Projekti parashikon monitorimin e të gjitha institucioneve kryesore qeverisëse dhe kushtetuese në vend, përfshirë partitë politike konkurruese në zgjedhjet lokale e parlamentare, paraqitjen e problematikave, rekomandimeve dhe sensibilizimin publik për parimet e integritetit në vendimmarrje. Në funksion të projektit është realizuar aplikacioni online
http://dekriminalizimi.isp.com.al/ ku reflektohen të dhënat e vazhdueshme të monitorimit dhe analizës.