Hije dyshimi hidhen edhe mbi ambasadën shqiptare. Avokatja greke e Marnikollajt ka thënë se ambasda është njoftuar që ditën e dytë për vdekjen e Marnikollajt, por fakt është se trupi i tij është mundur të zbulohet vetëm pas 14 ditësh. Ajo tha se, “në polici më informuan se viktima kishte detyrim paraqitje, por dyshohej për një vepër tjetër penale dhe po përgatitej arrestimi i tij. Ky ka qenë edhe shkaku, sipas policisë që e ka frikësuar, duke e detyruar viktimën të hidhej nga kati i tretë i komisariatit.
Viktima ka qëndruar për rreth dy orë në rajonin e policisë në Ana Patisia para se të hidhej nga dritarja, (sipas policisë) dhe menjëherë pas ngjarjes është dërguar në spital nga policia, ku ka qëndruar për rreth 5 orë, pa asnjë njeri afër dhe pa asnjë të afërm të tij, tha ndër të tjera avokatja, duke shprehur habinë se si ka mundësi që nuk i është dhënë ndihma e shpejtë nga personeli mjekësor, se padyshim që do t’i kishte shpëtuar vdekjes.
Avokatja tha se autoritetet e policisë më bënë me dije se kanë njoftuar ditën e dytë të ngjarjes ambasadën shqiptare, ndërkohë që me të afërmit e tij nuk mundën që të lidheshin pasi nuk kishin kontakte.
Avokatja Maria Konstantopoulou tha se, pas vdekjes së të riut në rrethana të pazakonshme hetimet e ngjarjes i kanë kaluar Policisë së Kypselit, e cila po merret me zbardhjen e çështjes.
Ngjarja e rëndë ku humbi jetën në rrethana të dyshimta 28-vjeçari nga Lezha Pëllumb Marnikollaj, po ndiqet nga autoritetet e ambasadës shqiptare në Athinë, të cilët thonë se jemi të vendosur dhe do t’i shkojmë çështjes deri në fund, për zbardhjen e të vërtetës dhe do të kërkojmë me këmbëngulje nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë dhe ndëshkimin e tyre. Ndërkohë po hartohet edhe një Notë Verbale nga ambasada shqiptare për qeverinë greke. Dyshohet se ngjarja ka gjasa të ngjajë me rastin Kareli, që i riu të jetë keqtrajtuar nga punonjësit e policisë.
Raportet zyrtare mbi ngjarjen do të dalin në ditët e ardhshme pasi deri të martën institucionet greke janë pushim. Gjithsesi ngjarja do të zbardhet shumë shpejt dhe e vërteta do të dalë në dritën e diellit, por i ndjeri nuk do të kthehet më! Të hënën në orën 11:00 ai u përcoll për në banesën e fundit.
Përse u hodh nga kati i tretë Marnikollaj?
Avokatja greke e Pëllumb Marnikollajt, që vdiq në Greqi brenda rajonit të policisë, ka akuzuar direkt policinë, si dhe shërbimet spitalore për vdekjen e Marnikollajt për të cilën ajo shprehet e shokuar. “Nëse do të ishte dhënë ndihma e parë nga mjekët, Pëllumb Marnikollaj do të kishte shpëtuar”. Kjo është deklarata e avokates greke Maria Konstantopoulou. Konstantopoulou u shpreh se është e pakuptueshme se si ai është lënë për 5 orë në mëshirën e fatit. Avokatja Konstantopoulou në një bisedë telefonike për mediat tha se ishte tronditur shumë kur kishte parë viktimën në morgun e spitalit. “Nuk më ka ndodhur ndonjëherë në jetë të shoh një viktimë të tillë, kaq trishtuese”, tha avokatja duke fajësuar veç policisë edhe shërbimin e spitalit.
Ngjarja e rëndë e ndodhur më 3 gusht në rajonin e Policisë Agjio Lavro në Ana Patisia, të Athinës, ku humbi jetën i riu shqiptar nga Lezha, Pëllumb Marnikollaj, ka tronditur jo veç të afërmit e miqtë e tij, por mbarë komunitetin shqiptar në Greqi e gjetkë.
Viktima kishte një vendim gjykate detyrim paraqitje në polici dhe ai si zakonisht ishte paraqitur për të firmosur në polici duke respektuar ligjin dhe vendimin e gjykatës, me mendimin të rikthehej sërish në shtëpinë e tij, por ka ndodhur krejt ndryshe, Marnikollaj u paraqit për mos t’u kthyer më kurrë.
Pasi ka humbur kontaktet telefonike me shokun e tij, ky i fundit është shqetësuar dhe është vënë në kërkim të shokut, kanë qenë shokët e viktimës që i janë drejtuar avokates greke Maria Konstantopoulou për ndihmë, e cila menjëherë ka shkuar në rajonin e Policisë Agio Lavro në lagjen “Ano Patisia” të Athinës, ku është informuar se i riu shqiptar nga Lezha kishte ndërruar jetë dhe ndodhej në morgun e një spitali aty afër. Avokatja ka gjetur vendndodhjen e viktimës dhe ka bërë identifikimin përmes njerëzve të afërt të 28-vjeçarit.
Avokatja Konstantopoulou ka rrëfyer se ishte tronditur shumë kur kishte parë viktimën në murgun e spitalit.
Dëshmia e shokut të Marknikollajt: Pëllumbin e kishin torturuar për vdekje
Miku i Pëllumb Marnikollajt me inicialet F.H., që e ndoqi çështjen nga fillimi deri në fund deklaron se vdekja e Pëllumbit ka ardhur si pasojë e torturave dhe dhunës. Një dëshmi e re u publikua dje në “News 24” për vdekjen e emigrantit shqiptar nga Lezha, Pëllumb Marnikollaj në rrethana ende të paqarta. Familjarët akuzojnë policinë greke se e kanë dhunuar deri në vdekje, ndërkohë që ata thonë se i riu është vetëhedhur nga kati i katërt i komisariatit të policisë. F.H., është futbollist profesionist në një skuadër greke. Ai tregon për “News 24” se shokun e tij e kishin varrosur, pa njoftuar familjen, pasi e kishin mbajtur 4 ditë në frigorifer në morgun e spitalit. F.H., tregon kalvarin e kërkimeve nga komisariati i policisë, në spital e më pas në varreza, ku mundën të shohin trupin e viktimës plot me shenja. “Isha në rajon policie, pas 2 apo 3 orësh e mora në telefon nuk përgjigjej më, telefoni ishte i fikur, u shqetësuam. Kontaktuam shoqen tonë avokate e falënderojmë shumë. Pasi e morëm në telefon shkuam në polici vëllai i viktimës dhe daja i tij. Pyeti Maria, na tha që Pëllumbi është pa jetë, në moment e sipër në nerva pyetëm si ka ndodhur kjo ngjarje na shpjego. Polici më tha është hedhur nga kati i 4-t, i kërkova me tregu se ku është hedhur, ma bëri me dorë, por më tha që janë arsye hetimore. I kërkova me hap kamerat, tha që serveri nuk punonte atë ditë. Pas shumë orëve muhabet shkuam në spital në Athinë ku na thanë se e kanë çuar trupin”, tha miku i viktimës. Miku i viktimës thotë se rajoni ishte me tri kate, ndërkohë që atyre iu bë e ditur që Pëllumb Marnikollaj ishte hedhur nga kati i katërt, pra që nuk ekzistonte. “Në spital s’e kishin as në libër, shkuam deri tek drejtoresha. Pas shumë këmbënguljesh na thanë se spitali e ka mbajtur 4 ditë në frigorifer. Pastaj një agjenci private funerale e kishte çuar në varreza”. Më tej ai rrëfen edhe përpjekjet për të parë trupin e pajetë të mikut të tij. “Kur shkuam tek varrezat na thanë që autopsia është bërë me urdhër të rajonit të policisë. Ne u çuditëm, si ka mundësi që është bërë kjo pa dijeninë e familjarëve. Pasi na dhanë kontaktin me agjencinë private funerale nuk dëgjonin të na tregonin trupin pa urdhër të Prokurorisë, derisa më në fund e pamë trupin. Ça me pa, syri i majtë i nxirë krejt, shpina, dora e majtë e nxirë krejt. Ai ishte torturuar deri në vdekje. Nuk donim gjë tjetër veçse me marrë trupin deri në shtëpi. Ishte dërguar në varreza si një njeri i paidentifikuar”.
PD kërkon reagimin e qeverisë për vdekjen e Marnikollajt
Dëshmitë e familjarëve të Pëllumb Marnikollajt janë tronditëse dhe ata faktojnë se njeriu i tyre është paraqitur më 3 gusht në një komisariat policie në Greqi dhe prej andej ka dalë i vdekur.
Kjo është një ngjarje e rëndë që meriton drejtësi dhe ndëshkim shembullor për çdo përgjegjës për vdekjen e 29-vjeçarit shqiptar.
Dyshimet janë se ndaj të riut shqiptar është ushtruar dhunë. Dhe nëse kjo vërtetohet, ky është një rast i përsëritur i trajtimit çnjerëzor të shqiptarëve në qelitë greke, në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Transparenca dhe drejtësia për këtë rast do të ishte një ngushëllim për familjarët e viktimës, por dhe një kontribut në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Dhe kjo është më së pari detyrë e përgjegjësi e Kryeministrit.
“Ne i kërkojmë Edi Ramës, i cili e ka përcjellë me heshtje këtë rast, që të ushtrojë detyrën e tij dhe të kërkojë nga autoritetet greke hetim të plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve për vdekjen e Pëllumb Marnikollit”, u shpreh Duma në një deklaratë për mediat.
Totozani letër homologut grek: Të zbardhet ngjarja
Avokati i Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani i ka dërguar një letër homologut grek, Andreas Pottakis ku kërkon sqarime në lidhje me vdekjen e shtetasit shqiptar Pëllumb Marnikollaj, i cili sipas dëshmive të familjarëve, ka humbur jetën në burgun grek, “Ano Patisia”. Në një letër zyrtare, Avokati i Popullit të Shqipërisë i kërkon Ombudsmanit grek z. Pottakis që të ndërhyjë me kompetencat që i jep ligji në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut, për nxitjen e institucioneve shtetërore në zbardhjen e së vërtetës dhe shkaqeve që çuan në vdekjen e të riut shqiptar, z. Pëllumb Nikoll Marknikollaj. “Në respekt të familjes së të ndjerit dhe opinionit publik në Shqipëri, ta ndiqni këtë rast edhe në kuadër të kompetencave si mekanizëm kombëtar i parandalimit të torturës, i cili shqyrton veprimet dhe mosveprimet e organeve të policisë në respektim të të drejtave dhe të garancive të personave të privuar nga liria”, shkruan Totozani në letrën drejtuar homologut të tij grek z. Pottakis. Avokati i Popullit, Igli Totozani i ka dërguar edhe një shkresë zyrtare Ministrisë së Jashtme shqiptare ku i kërkon informacione mbi hapat që po ndërmerr ky institucion lidhur me zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësve që shkaktuan vdekjen e shqiptarit Pëllumb Nikoll Marknikollaj në rajonin e policisë Kato Patisia, në Greqi. Avokati i Popullit i shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerit Marknikollaj, duke qenë pranë tyre në këtë fatkeqësi.