Gazetari: Informatorin tim të drogës e vranë me plumb në kokë

Gazetari i kronikës së zezë, Artan Hoxha, i ftuar në studion e “News 24” për të folur për raportin e fundit të policisë italiane që ka evidentuar 363 parcela droge në Shqipëri, ka lëshuar një tjetër bombë, e cila sipas tij implikon Policinë e Shtetit, e cila dekonspiron aksionin. Sipas Hoxhës, dy muaj pas një investigimi që ai dhe stafi i tij ka bërë mbi parcelat e drogës në jug të vendit, ai është kërcënuar nga persona të ndryshëm të lidhur me drogën. Por ajo që e bën më të rëndë situatën është se vetëm dy muaj pas këtyre kërcënimeve, informatori i cili i ka vënë në dijeni për këto parcela, është rrëmbyer në orën 23.00 të mbrëmjes dhe është ekzekutuar me një plumb në kokë, ku trupi i tij është hedhur në anë të rrugës. Vetë Hoxha tha në “News 24” se nuk do të japë emra, por do të flasë në shtator. Por kush është personi për të cilin Hoxha flet në “News 24” si i rrëmbyer dhe më pas ekzektuar dhe hedhur në rrugën nacionale? Dyshimet të çojnë te ngjarja e 19 dhjetorit 2015 në fshatin Miras të Devollit, ku Jani Kollçinaku, i njohur si Landi i Mirasit, u gjet i vrarë me plumb pas koke në anë të rrugës nacionale Korçë-Devoll, ku sipas hetimeve të policisë ai ishte rrëmbyer diku tjetër dhe ishte ekzekutuar në vendin ku u gjet.
Vrasja e Jani Kollçinakut
Jani Kollçinaku është ekzekutuar me plumb në kokë në dhjetor të 2015. 37-¬vjeçari nga Devolli ishte skeduar nga policia si trafikant i lëndëve narkotike. Trupi i pajetë i Jani Kollçinakut, i njohur ndryshe si Landi i Mirasit, u gjet mëngjesin e 20 dhjetorit të vitit të kaluar në një kanal buzë rrugës Korçë-¬Bilisht, në afërsi të fshatit Zëmblak. Kanë qenë banorët e zonës, ata të cilët sapo kanë parë kufomën kanë sinjalizuar policinë. Sipas banorëve të fshatit Miras në rrethin e Devollit, Kollçinaku ishte person problematik dhe fshihej prej disa kohësh. Banorët deklaruan se disa kohë më parë në fshat kishin ardhur disa persona me dialekt verior, të cilët kërkonin 37¬-vjeçarin. “Landi merrte lëndën narkotike, por nuk paguante personat që siguronin mallin. Këtë e kishim kuptuar, pasi në banesën e tij shkonin persona të ndryshëm që e kërkonin dhe thoshin se nëse nuk i paguante do ta pësonte keq”, thanë disa banorë të fshatit Miras. Sipas tyre, Jani Kollçinaku (i pamartuar) jetonte i vetëm në një vilë luksoze dhe të pajisur me kamera sigurie. Fillimisht u dyshua se viktima mund të kishte humbur jetën në aksident rrugor, por pas kryerjes së veprimeve hetimore rezultoi se Jani Kollçinaku, nga fshati Miras i Devollit, ishte vrarë. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet se i “forti” i Devollit (person me precedent penalë) është qëlluar për vdekje për larje hesapesh dhe konkretisht për prishje të pazareve të drogës.

Artikulli paraprakRrogë 10% më të lartë se Presidenti e sa dyfishi i deputetëve
Artikulli tjetërMjekësia falas u kushtoi shqiptarëve 52 milionë euro!