Shkodër/ 30 vjet nga demonstrata e parë që tronditi themelet e regjimit

Më 14 janar të vitit 1990, me mijëra të rinj dhe qytetar të Shkodrës u grumbulluan në sheshin ku ishte vendosur statuja e diktatorit Stalin dhe kërkuan heqjen e saj.

Protestës i kishte paraprirë shpërndarja e trakteve kundër Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe regjimit komunist. Protestuesit tentuan disa herë që të rrëzojnë monumentin e Stalinit, por reagimi i policisë dhe Sigurimit të Shtetit ishte i egër.

Pas kësaj dhjetëra demonstrues u arrestuan dhe u torturuan në zyrat e policisë dhe sigurimit.

Sipas dëshmive të protagonistëve, demonstrata e 14 janarit nuk ishte diçka spontane, por ishte organizuar në detaje prej një grupi të rinjsh, si Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rini Monajkës, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, etj.

Atë mëngjes të ftohtë dimri qindra e qindra të rinj vërshuan prej lagjeve Skanderbeg, Serreq, Rus, Parrucë, Ballabane, Arra e Madhe dhe në heshtje mbushën qendrën e qytetit, duke u vendosur pikërisht te lulishtja ku gjendej monumenti i Stalinit.

Forca të shumta të policisë dhe disa dhjetëra `sambist` të mbërritur urgjentisht nga Tirana, ndërhynë me dhunë të pa parë.

Sipas dëshmitarëve okularë, brenda mikrobusëve me dyer të hapura shiheshin arkat me municione dhe automatikët e gatshëm të policëve, të ardhur prej të gjithë rretheve të vendit.

Pas shpërndarjes së dhunshme, në qytetin e Shkodrës nisën reprezaljet dhe arrestimet e shumta. Brenda pak javësh u kapën të gjithë organizatorët, prej të cilëve Rini Monajka u torturua në mënyrën më ç’njerëzore prej policëve dhe `sambistëve` nën drejtimin personal të ish-zëvendësministrit të Brendshëm, Zylyftar Ramizi.

Në fund të prillit 1990 grupi i Shkodrës që kishte organizuar demonstratën për rrëzimin e bustit të Stalinit, doli para trupit gjykues të kryesuar prej Shefqet Muçit në Gjykatën e Lartë. Gjykimi në atë shkallë u hiqte atyre të drejtën e apelimit dhe de facto e kthente dënimin në formën e prerë.

E gjithë Shkodra, po i ndoqi me ankth ato ditë.

Akuza mbështetej tek nenet 55/1+13 e 57 e të Kodit Penal të RPSSH, për krijimin e një organizate kundërrevolucionare me karakter antisocialist, për kryerjen e krimeve në bashkëpunim kundër shtetit dhe përmbysjen të pushtetit popullor me dhunë. Dënimet për këto nene mund të shkonin deri në pushkatim, por kohët kishin ndryshuar dhe regjimi ishte në panik.

Dedë Kasneci, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Gjergj Livadhi debatuan me trupën gjykuese duke i qëndruar hapur kauzës së tyre antikomuniste. Ndërsa Rini Monajka ishte i tjetërsuar prej torturave dhe nuk mund të shqiptonte pothuajse asnjë fjalë, në mbrojtje të vetes.

Dënimet që u dhanë ishin të ashpra me burg, por meqenëse kishte nisur era e shndërrimeve politike në Europën Lindore, ngjarjet në Rumani etj, Rami Alina u detyrua që të shmangte pushkatimin.

Të dënuarit u shpërndanë në burgjet e ndryshme në vend deri në Qaf Bar në Sarandë, prej nga u liruan në janar e në mars të vitit 1991.

Sot shënjohet 30 vjetori 14 janarit, ditë kur në Shqipëri u organizua në Shkodër revolta e parë anti-komuniste, e cila i dha shtysë të gjitha ngjarjeve të tjera që rrodhën më pas, deri në rrëzimin e sistemit pas një viti.

002stalin

Artikulli paraprakAksident i rëndë në zemër të Tiranës, plagoset shoferja (Foto)
Artikulli tjetërPse e rrëzuan Ramën si kryesues të radhës të OSBE