Nga Voltana ADEMI
Sot mbushen 30 vjet nga lëvizja e parë qytetare që ishte preludi i ndryshimeve demokratike në dhjetorin e vitit 1990. 14 janari 1990 është përballja e parë frontale në Shqipëri, përballja e shkodranëve me diktaturën, që edhe pse në grahmat e fundit, ishte më e rrezikshme se kurrë.
Ajo që më pas u quajt protesta e heshtur e 14 janarit 1990, ishte vazhdimësi e qëndresës 45 vjeçare që Shkodra e shkodranët, me të gjitha mënyrat e me çdo çmim, i bënë regjimit të egër komunist. Jo rastësisht, ata që ishin organizatorët e pjesëmarrësit e kësaj ngjarje, vinin nga familje që e kishin vuajtur mbi shpinë terrorin e regjimit.
14 janari 1990 ishte sinjali që Shkodra e shkodranët i dhanë Shqipërisë e shqiptarëve. Ashtu si në momentet më të rëndësishme për fatet e vendit, Shkodra e shkodranët vranë të parët frikën. Busti i Stalinit nuk mund të qëndronte më në sheshin kryesor të Shkodrës!
14 janari ishte jo vetëm hapi i parë i rëndësishëm drejt shembjes së simboleve të komunizmit në këtë vend, edhe zanafilla e lëvizjeve të tjera që pasuan e kulmuan me 12 dhjetor 1990 me krjimin e të parës parti opozitare pas 45 viteve diktaturë.
Sot, 30 vjet pas 14 janarit 1990, është moment reflektimi: Për të nderuar e vlerësuar kontributin e organizatorëve e pjesëmarrësve në protestën e heshtur të 14 janarit. Por edhe se 14 janari duhet parë edhe si një mësim për ata që sot mbase kanë moshën e pjesëmarrësve të protestës së 30 viteve më parë.
A e kemi Shqipërinë që ëndërruam të gjithë në vitin 1990, a është vendi ynë aty ku e meriton të jetë, a është sistemi ku jetojmë ne sot – sistemi që kërkuam të gjithë në vitin 1990?
Shqipëria e bashkë me të edhe Shkodra jonë e shkodranët, meritojnë më shumë. Fillimisht punë, mirëqenie, zhvillim dhe prosperitet. Por mbi të gjitha, duan demokraci të vertetë, të drejta të pacënueshme nga askush, barazi para ligjit dhe ndëshkim të krimit e korrupsionit. Këmbanat e alarmit për demokracinë, ka kohë që bien. Është detyra jonë që, të gjithë bashkë të përfundojmë atë që nisëm në 1990!
Duke larguar njëherë e mirë të gjitha rudimentet e diktaturës komuniste që po tenton të rikthehet me një pamje më të sofistikuar, por me të njëjtat qëllime të errëta si gjatë 45 viteve diktaturë.
Nderim, mirënjohje e respekt për të gjithë organizatorët e pjesëmarrësit e 14 janar 1990! Nderim dhe respekt për familjet e tyre, për sakrificat që vuajtën.
Nderim për Shkodrën e shkodranët!