Valverde flet pas shkarkimit: Rroftë Barcelona, rroftë Katalonja

Ernesto Valverde u ka thënë lamtumirë tifozëve të Barcelonës përmes një letre të hapur, pas më pak se 24 orëve pas shkarkimit të tij nga posti i trajnerit të Barcelonës, ku i fitoi dy tituj radhazi të La Ligës.

E ardhmja e Valverdes në Camp Nou kishte qenë e pasigurt që një kohë, por presioni u shtua pas eliminimit të Barcelonës nga Atletico Madridi në Superkupën e Spanjës.

Barcelona mbetet ende në garë për të fituar tituj këtë sezon, pasi që është në krye të tabelës së La Ligës dhe është kualifikuar në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve. Megjithatë, përkundër kësaj, Valverde u bë trajneri i parë që shkarkohet nga Barcelonë në 17 vjet.

Valverde u kritikua më së shumti për eliminimet dramatike nga Liga e Kampionëve në dy sezonet e fundit, kundër Romës dhe Liverpoolit, mirëpo 55-vjeçari po largohet me kokën lart dhe krenar me arritjet e tij me klubin katalonas.

“Koha ime si trajner i Barcelonës ka marrë fund. Kanë qenë dy vjet e gjysmë shumë intensive që nga fillimi. Gjatë kësaj kohe, unë kam shijuar momente të lumtura, duke festuar fitore dhe trofe, por edhe disa momente që kanë qenë të vështira”, ka shkruar Valverde.

“Megjithatë, mbi të gjitha, do të doja ta theksoja përvojën time me tifozët dhe dashurinë që ata e kanë shfaqur me mua gjatë kohës sa kam qenë trajner”.

“Do të doja ta falënderoj presidentin Josep Maria Bartomeu dhe bordin e drejtuesve, që ma dhanë mundësinë ta drejtojë ekipin e parë dhe më besuan gjatë gjithë kësaj kohe”.

“Gjithashtu do të doja t’i falënderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar në klub për përkrahjen e tyre dhe mënyrën se si më kanë trajtuar gjatë këtyre dy vjetëve e gjysmë, veçanërisht ata që kanë punuar me ekipin e parë dhe me të cilët kemi ndarë aq shumë momente të veçanta në kampin stërvitor dhe në rrugëtimet tona”.

“Natyrisht, dua t’i falënderoj lojtarët për të gjitha tentimet e tyre, të cilat na i kanë mundësuar t’i fitojmë katër trofe së bashku. Nga kjo ditë, unë ua uroj të gjithë fatin e botës atyre dhe trajnerit të ri Quique Setien”.

“U pritshin të mirat të gjithëve. Rroftë Barcelona dhe rroftë Katalonja”.

Artikulli paraprakTërmeti e la pa shtëpi dhe pa mbështetje, banori nga Kurbini apel shtetit për ndihmë
Artikulli tjetërBerisha: Vuçiç dhe argatët e tij në Tiranë e Shkup, thikë pas shpine Kosovës