Në Kosovë, mbrëmjen e së martës arriti nënpresidenti amerikan, Joe Biden. Vizita e tij, nga zyrtarë të lartë shtetërorë vlerësohet historike, kurse analistë politikë thonë se ardhja e tij nënkupton shtyrjen përpara të proceseve politike, të cilat tashmë e sa muaj kanë ngecur.
Zyrtarë të lartë shtetërorë në Kosovë vlerësojnë se vizita e nënpresidentit amerikan, Joe Biden, në Prishtinë është historike dhe do të jetë sinjal i ri për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj pavarësisë së Kosovës.
Analistët politikë, ndërkaq, thonë se vizita e nënpresidentit Biden do të shtyjë përpara proceset e ngecura të shtetndërtimit të Kosovës.
Nënpresidenti amerikan, Joe Biden arriti në Prishtinë të martën në mbrëmje, dhe një ditë më vonë do të zhvillojë takime me presidentin e Kosovë, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, por nuk do të takojë asnjë udhëheqës tjetër politik.
Vizita e nënpresidentit Biden shënon një moment të ri historik për Kosovën, ka shkruar në një postim në rrjetin social Facebook, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai më tutje ka thënë se tash e 26 vite, zëvendëspresidenti Biden është i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në faqen e tij private në Facebook, ka shkruar se vizita e njeriut të dytë të demokracisë botërore është një ngjarje e madhe dhe e veçantë për Kosovën. Mustafa, më tutje, ka shkruar se Aleanca Veriatlantike, e udhëhequr nga SHBA, e shpëtoi Kosovën nga eksodi, shfarosja dhe zhbërja.
Në anën tjetër, analistë politikë në vend konsiderojnë se ardhja e nënpresidentit amerikan Joe Biden në Kosovë ka për qëllim shtyrjen përpara të proceseve politike, të cilat tash e sa muaj kanë ngecur.
Avni Mazreku, profesor në Kolegjin ISPE, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe mbesin mbështetësi kryesor i pavarësisë së Kosovës.
Duke marrë parasysh këtë fakt dhe faktin se procesi i shtetndërtimit, përkatësisht i formësimit të pavarësisë së Kosovës ka ngecur shumë, Mazreku vizitën e Biden e vlerëson si shtytje në funksion të shtyrjeve të këtyre proceseve, tanimë të ngecura në Kosovë.
“Klasa politike në Kosovë është komplet e bankrotuar dhe klasa politike nuk ka racionalitet (pozita dhe opozita) në veprimet e saj politike, që çështjet që janë të interesit shtetëror të mos i përdor për konsum të brendshëm politik dhe mos të ketë as një lloji racionaliteti në veprimet e saj politike”.
“Dhe unë besoj se qëndrimi i zotit Biden në Kosovë do të shkojë në funksion të thirrjes së fundit, që kjo klasë politike e ka kohën e fundit të kuptojë se çka është interes institucional shtetëror dhe çka duhet të jetë interes i partive të caktuara politike”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Mazreku.
Duke e vlerësuar jashtëzakonisht shumë vizitën e nënpresidentit amerikan Joe Biden në Kosovë, analisti tjetër politik, Driton Selmanaj, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se me vetë faktin që nënpresidenti amerikan viziton edhe shtetin e Serbisë, nënkupton se SHBA-të të vetmin problem që mund të ndikojë në sigurinë rajonale e shohin raportin jo të mirë në mes Kosovës dhe Serbisë.
Selmanaj më tutje thotë se Biden në Kosovë do të adresojë edhe temat më të cilat vendi ynë po kalon.
“Unë jam i sigurt se demarkacioni dhe stabiliteti politik dhe institucional në Kosovë do të jenë ndër temat në të cilat ai do të fokusohet. Sepse ka një vit që deklaratat, qoftë të ambasadorit të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, qoftë edhe të sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili ishte në Kosovë, sikur nuk po lexohen drejt dhe me kujdes nga ana e skenës sonë politike dhe kjo për ta është shqetësim”, thotë Selmanaj.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, të mërkurën Biden do të marrë pjesë në ceremoninë e emërimit të rrugës kushtuar djalit të tij të ndjerë, Beau Biden, në afërsi të kampit ushtarak amerikan Bondsteel, në rrugën Ferizaj-Gjilan.
Ndryshe, zoti Biden në Kosovë vlerësohet si një nga mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës.
Ai në vitin 2009, një vit pas shpalljes e pavarësisë, kishte vizituar Kosovën, dhe gjatë fjalimit të tij të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, pati thënë se tash të gjithë mund të binden se pavarësia ishte dhe mbetet zgjidhja e vetme.
Zoti Biden gjithashtu pati shprehur mbështetje për autoritetet e Prishtinës në ruajtjen e tërësisë territoriale dhe krijimin e një shoqërie shumetnike e demokratike.