Basha nuk tërhiqet nga Shqipëria

Futbollisti nga Kosova, Migjen Basha, mbush bateritë për edicionin e ri në Serie B italiane, e cila fillon më 26 gusht.
Ai para pak ditëve firmosi për dy vite për ekipin e mirënjohur italian, Bari, që ka ambicie të ngjitet në Serie A. Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë tha se Bari është nga klubet që i pëlqente më së shumti dhe që ka tifozerinë më të madhe.
Basha para se të shtegtonte në Bari ishte i huazuar nga Luzerni në Como, kjo e fundit kishte humb statusin e Serie B.
Futbollisti njihet me shpirt luftarak, për lojëra të nivelit të lartë, të cilat janë veti që e bëjnë edhe më të kërkuar në tregun evropian. Sa i përket kombëtares së Kosovës, Basha tha se ka mjaft lojtarë të mirë që luajnë në ligat e ndryshme të Evropës.
“Sigurisht që kurrë nuk do të harrohet kjo eksperiencë e mrekullueshme, është nder i madh të jem pjesë e kësaj gjenerate, që u kualifikua për evropianin e parë për Shqipërinë”.
“Kosova ka shumë lojtarë të mirë nëpër Evropë, besoj që do të përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen, ky është fillimi dhe besoj që nuk do të jetë e lehtë për Kosovën, por këto ndeshje sigurisht që Kosova do të ketë shumë entuziazëm dhe në ato momente mundet me ndodhë çdo gjë”.
“Kosova nuk më ka kërkuar, unë do të jem pjesë e Shqipërisë deri në momentin kur më largojnë ose kur e shoh që nuk i nevojitem më kombëtares”. “Nuk di, e shohim në fund të sezonit”, ka thënë Basha.

Artikulli paraprakDe Biasi për largimin e Rashicës: I mbeti hatri
Artikulli tjetërShaqiri: Asnjëherë nuk më ftuan të luaj për Shqipërinë