Mediat italiane vazhdojnë të thurin elozhe për Arlind Ajetin, mbrojtësin e kombëtares shqiptare, i cili këtë verë bëri një hap të madh përpara në karrierën e tij duke u transferuar te Torino.
Faqja e specializuar “Tuttomercatoweb”, i ka kushtuar një artikull mbrojtësit 22-vjeçar duke e cilësuar Ajetin si një nga zbulimet më të bukura të sezonit të kaluar në Serinë A.
Në dhjetor të 2015-tës, Arlind Ajeti firmosi një kontratë deri në fund të sezonit me Frosinonen me opsion rinovimi edhe për dy vite të tjera nëse skuadra nga krahina e Lazios do të siguronte mbijetesën në Serinë A.
Por edhe pse Ajeti shkëlqeu gjatë periudhës që ishte pjesë e Frosinones, verdhekaltërit u rrëzuan një kategori më poshtë.
Megjithatë për mbrojtësin shqiptar kjo pak rëndësi kishte sepse Ajeti arriti të tregonte vlerat te Frosinone duke ngjallur interesimin e shumë klubeve më të rëndësishme. 22-vjeçari, i cili zhvilloi një evropian shumë pozitiv me Shqipërinë, pasi shqyrtoi ofertat vendosi të transferohej te Torino me parametër zero.
Edhe pse fillimisht ishte shumë pranë Pescaras, ish-lojtari i Baselit zgjodhi skuadrën “Granata” dhe tashmë do të stërvitet nga një trajner shumë i njohur si Sinisa Mihajloviç.
“Tuttomercatoweb” në shkrimin e saj dedikuar mbrojtësit shqiptar shkruan se me afrimin e Ajetit, Torino ka bërë një goditje të madhe, pasi edhe pse është vetëm 22 vjeç ai ka përvojën e mjaftueshme për të zhvilluar një sezon fantastik me skuadrën e Mihajloviç.
Sipas “Tuttomercatoweb”, blerjen e Arlind Ajetit, Torinos ia ka sugjeruar trajneri i kombëtares shqiptare Gianni de Biasi, me këtë të fundit që e ka krahasuar 22-vjeçarin shqiptar me kapitenin legjendar të skuadrës “Granata”, Oscar Brevi.