Bora Ferri, vajza e aktorit të ndjerë, Xhevdet Ferri, ka sqaruar me anë të një postimi arsyet se përse babai i saj ndërroi jetë. Ajo ka sqaruar po ashtu edhe përse nuk pati homazhe publike.
MESAZHI I BORA FERRIT
Dy fjalë në ditën më të zezë të jetës sime dhe të mamit….
1. Falenderime të pafundme dhe mirënjohje të thellë për gjithë ngushëllimet dhe suportin e miqve, dashamirësve dhe gjithë atyre që e kanë dashur Xhode Ferin, qofshin ata të afërm apo të largët. Në pamundësi për t’ju falenderuar një nga një, ju lutem pranoni këto falenderime publike.
2.Falenderime për mediumet e lajmeve që kanë përcjellë me shumë respekt e dashamirësi jetën dhe karrierën e babit, duke patur mirekuptimin, por dhe hermetizmin tonë të plotë.
3. Ndjej që duhet te sqaroj arsyen e ndarjes nga jeta të babit, për efekt qartësie të informacionit. Është e vërtetë që ai kishte kaluar një sëmundje të rëndë, të cilën e kishte mposhtur me sukses. Arsyeja fizike pse na la ishte një insuficience e rëndë pulmonare, të cilën nuk mundi ta mposhtte. Falenderime për ekipet e Spitalit që u përpoqen me gjithë forcat dhe kapacitetet e tyre për ta shpëtuar. I provuam te gjitha, pa pishman!
4. Ndërsa për sa i përket çështjes së homazheve publike… Xhoda shquhej për diskrecion në jetën e vet. Vullneti i tij ish që dhe në jetën e përtejme t’i prezervohej ky diskrecion. E kuptojmë dhe vlerësojmë që dashamirës të tij janë të dhembur për shkak të largimit të tij, por në gjykojme se dhimbja është personale dhe duhet vuajtur si e tillë.
Nuk ka të bëjë me arsye zhgënjimi prej sistemit apo politikës – nuk është as rasti dhe as koha për refleksione të tilla. Neve na është shuar drita e diellit mbi shtëpi, nuk mendojmë për perceptime publike apo politike.
Me shume mirënjohje e perzemërsi…