Robert Ago, shef i qarkullimit në Dibër, u shkarkua nga detyra pas arrestimit të vëllait të tij, Pajtim Ago, me akuzën e trafikut të drogës.
Biznesmeni dibran Pajtim Ago ishte mes shtatë personave të arrestuar pas një operacioni ku u sekuestruan 32.5 kg kanabis në formë çokollatë.
Burimet thonë se, Pajtim Ago ishte nën përgjim nga Krimet e Rënda pas zhdukjes së djalit të tij. Ago u arrestua në Milot-Lezhë para dy vitesh kur u kap me gjysmë kilogram kokainë.
Pas këtij arrestimi, vëllai Robert Ago kaloi nga shef komisariati në Dibër, në shef qarkullimi në Kukës.
Mësohet se Pajtim Agon kanë tentuar ta arrestojnë para tre ditësh në Gjirokastër, por atëherë i shpëtoi ndalimit.
Për mediat, vëllai i tij Robert Ago është i njohur për shkak të dosjes me përgjimet për skandalin e blerjes së votave në Dibër. Kjo dosje u publikua nga gazeta më e madhe gjermane, BILD.
Në një prej përgjimeve, ai i thotë Saimir Tahirit: “Unë jam ushtari jot i bindur”.
Kush është Robert Aga
Robert Aga, që në audio-përgjime flet me Damian Gjiknurin, Ulsi Manjën e Saimir Tahirin për të marrë një pozicion më të mirë pune pas ndihmës që i ka dhënë PS-së në zgjedhjet vendore, deri në momentin e zgjedhjeve, ishte Drejtori i Policisë Dibër.
Më pas, duke kërkuar favore nga kryeministri rama dhe ministriat Gjiknuri, Tahiri dhe deputetët Manja e Qefalia, Aga u emërua shefi i Qarkullimit Rrugor në Kukës.
Robert Aga është një prej drejtuesve të policisë që dyshohet se është përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Në dhjetor 2017, Exit.al publikoi disa dokumente sekrete që Shërbimi Informativ i ka dërguar Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Ministrisë së Brendeshëm mbi përfshirjen e Policisë së Shtetit në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit në periudhën 2015-12017. Në këtë dokument përmenden dhe Jaeld Çela, drejtori i Policisë Vlorë, implikimi i të cilit tashmë është vërtetuar pasi Çela është shpallur në kërkim.
Në këto dokumente përmendet dhe emri i Robert Agës.
Vëllai i tij Pajtim Aga njihet si biznesmes në qarkun e Dibrës. Sipas disa mediave, Pajtim Aga prej dis vitesh ka hapur një television kabllor që shpërndan sinjal të disa stacioneve në vendlindje.
Në shtator 2016, Pajtim Aga u arrestua nga Policia e Lezhës pasi iu gjetën 320 gramë kokainë.
Më pas në vitin 2018, Mateo Aga, 21 vjeç, djali i Pajtimit, pra nipi i Robertit u zhduk pa lënë gjurmë nga Maqellara. Familjarët e Mateos shprehën dyshimet se ai mund të jetë rrëmbyer.
Aksioni
Burime zyrtare nga Policia bënë me dije se: Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme në Drejtorinë e Policisë se Shtetit dhe DVP Dibër ishin grumbulluar informacione në rrugë operative se shtetasit e lartpërmendur kishin siguruar lëndë narkotike të llojit “Cannabis sativa në formë çokollate” në shtetit grek, lëndë të cilën e kishin kaluar nëpërmjet kufirit nga Konispoli, nëpërmjet dy shtetasve me banim në Gjirokastër.
Me pas, lënda narkotike do transportohej në qytetin e Tiranës, me qëllim për ta nisur më vonë në një qytet në veri të vendit, për ta trafikuar jashtë Shqipërisë.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 32.5 kg lëndë narkotike canabisa sativa në formë çokollate, 6 aparate celulare dhe 2 automjete.
“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikeve’”, kryer në bashkëpunim, njoftoi policia.
Precedenti
Sipas raportimeve mediatike, Robert Aga është arrestuar dhe në vitin 2016 nga policia e Lezhës, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në automjetin e tij, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi prej 320 gram e dyshuar lëndë narkotike “kokainë” e paketuar. Policia njoftoi asokohe se, arrestimi i tij u bë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe se droga e sekuestruar në makinë do të shitej në Tiranë.
“Më datë 25.09.2016, nga Seksioni kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative si dhe falë një operacioni të mirëorganizuar, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Pajtim Aga , 37 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij , i’u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi 320 gramë e dyshuar lëndë narkotike ‘Kokainë’ e paketuar”, njoftoi policia.
Për këtë rast, në vitin 2017, Aga u dënua me 5 vite “dënim me kusht” nga Gjykata.