Policia e Shtetit publikoi të dhëna për kapjen e 32.5 kg me kanabis në formë çokollate. Në njoftim thuhet se operacioni u krye në bashkëpunim mes forcave të Policisë së Tiranës dhe asaj të Dibrës.
I arrestuar është edhe një biznesmen, i quajtur P.A., 51 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. “Panorama” raportoi dje se ai quhet Pajtim Aga dhe është vëllai i shefit të qarkullimit në policinë e Dibrës, Robert Aga.
Emri i Robert Agës u përfol jo pak vitin e shkuar për shkak se doli në përgjimet për blerjen e votave në bashkinë e Peshkopisë në votimet e shatorit të 2016-s, të publikuara nga gazeta gjermane, “Bild”.
Shefi i policisë, Robert Aga dëgjohet duke folur me ish-ministrin Damian Gjiknuri, deputetin Xhemal Qefalia, Ulsi Manjën dhe ish-ministrin Saimir Tahiri, ku këtij të fundit i thoshte midis të tjerash: “Jam ushtari jot”.
Ndërsa vëllai i tij, Pajtim Aga njihet si biznesmen në qarkun e Dibrës, ku prej disa vitesh ka hapur një televizion kabllor, ndërsa problemet e tij me policisë janë të hershme.
Më 25 shtator 2016, Pajtim Aga u arrestua nga Policia e Lezhës pasi iu gjetën 320 gramë kokainë, 10 ditë pas telefonatës që vëllai i tij, Robert Aga kishte shkëmbyer me ish-ministrin Tahiri.
Dy vite më vonë, në 2018-n, Aga humbi në mënyrë misterioze të birin, Mateon. 21-vjeçari u zhduk pa lënë gjurmë nga fshati Maqellarë, pak kilometra nga qyteti i Peshkopisë. Familjarët thanë në atë kohë djali mund të jetë rrëmbyer dhe që prej atij momenti nuk dihet asgjë për fatin e tij.