Ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, është prej tre muajsh në kërkim nga Policia, pasi gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg”, si i dyshuar për “falsifikim formulari”, “falsifikim dokumentash” dhe “përvetësim posti”.
Por, ndërkohë që Policia “nuk po lë vend pa e kërkuar”, organi politik drejtues i saj, Ministria e Brendshme, ka shpallur fitues kompaninë e familjes së tij, “Kajmaku” shpk, në një tender me vlerë 50 milionë lekë (të vjetra).
“Boldnews.al” ka konstatuar se, në Buletinin e Prokurimeve, të datës 20 Janar 2020, Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, në varësi të Ministrisë së Brendshme, ka publikuar fituesin e tenderit “Shërbim i mirëmbajtjes së sipërfaqeve të gjelbërta të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë”.
Në bazë të dokumentit zyrtar, rezulton se fitues i tenderit me vlerë 5 milionë lekë të reja është kompania “Kajmaku” shpk, e cila është në pronësi të bashkëshortes së Agim Kajmakut.
Në këtë tender kanë marrë pjesë 4 kompani, një prej të cilave është skualifikuar, pasi nuk ka dorëzuar asnjë dokumentacion dhe as ofertë zyrtare. Ndërkohë, rezulton se “Kajmaku” shpk ka dhënë ofertën më të ulët, duke u shpallur edhe fituese nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.
Pavarësisht se, në aspektin formal, “Kajmaku” shpk rezulton e suksesshme, ky tender dëshmon për “seriozitetin” e Ministrisë së Brendshme për trajtimin e personave në kërkim, por që janë nga radhët e grupimit të tyre politik.
“Boldnews.al” ka raportuar më parë se “Kajmaku” shpk është një shoqëri e krijuar në vitin 2008 nga Agim Kajmaku dhe bashkëshortja e tij, Merita.
Agim Kajmaku është regjistruar si “person fizik” për shitje lulesh në vitin 2004. Hapja e biznesit ka ndodhur më shumë se një vit pas datës 14 janar 2003, të cilën e ka përmenduar Partia Demokratike në dyshimet e saj për përfshirjen e Kajmakut në aktivitet kriminal në Greqi.
Agim Kajmaku e ka mbajtur funksional “personin fizik” deri në vitin 2007, kur edhe ka vendosur ta ç’regjistrojë nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Aktiviteti i luleve për familjen Kajmaku rikthehet në vitin 2008, kësaj radhe, në formën e “shoqërisë me përgjegjësi të kufizuara-shpk”.
Në këtë shoqëri, Agim Kajmaku është ortak me bashkëshorten e tij, Merita, ku ai kishte 49% të aksioneve dhe bashkë-pronarja 51%.
Me ndryshimin e formës së biznesit, çifti Kajmaku shtoi edhe objektin. Nga shitës të thjeshtë lulesh për zonën e Vorës, “Kajmaku shpk” zgjeroi aktivitetin me “prodhim, shitje, tregim shumë e pakicë farash, fidanëve, pemëve frutore e dekorative, etj. Punim sipërfaqeve të gjelbërta, parqe, dekore urbane…”.
Dy ortakët bashkëshortë kanë drejtuar aktivitetin privat deri në 15 Korrik të vitit 2019. Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpalli Agim Kajmakun (Jorgo Toto) fitues të votimeve të 30 Qershorit, ai vendosi të heqë dorë nga kuotat e tij në “Kajmaku shpk”.
Agim Kajmaku dhe bashkëshortja e tij, Merita, nënshkruan një kontratë noteriale shitjeje. Në bazë të këtij dokumenti formal, Agim Kajmaku i shet Merita Kajmakut 49% të aksioneve, për një vlerë prej 10.143.000 lekë të reja (mbi 100 milionë lekë të vjetra).
Kjo kontratë, megjithëse e nënshkruar para noterit, krijon idenë e një akti “formal” dhe “fiktiv” ndërmjet dy bashkëshortëve. Ky dyshim krijohet, jo vetëm për faktin se transaksioni financiar është kryer ndërmjet çiftit, por edhe për shkak se shitja ishte e panevojshme, në kuptim të ligjit “Për konfliktin e interesave”.
/Boldnews.al