Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga pengmarrja si nëpër filma e Jan Prengës në Kamzë, policia nuk ka gjetur asnjë gjurmë të tij apo të autorëve.
Nëse fillimisht u tha se situata mund të kishte agravuar pas një konflikti të çastit, tashmë kjo pistë duket të jetë rrëzuar nga ana e hetuesve.
Hetimet kanë marrë një tjetër rrjedhë duke qenë se 48-vjeçari nga Puka mund të ketë pasur në konflikte Greqi ose shkak për ngjarjen të jenë bërë dhe te rekordet kriminale të njërit prej vëllezërve, i cili vuan dënimin për drogë në Angli.
Policia ka dyshime se pengmarrja mund të jetë një lloj presioni që autorët e dyshuar duan t’u bëjnë vëllezërve të Prengës, kjo edhe për faktin se ai u mor peng pikërisht pranë banesave të vëllezërve në Kamzë, në rrugën “London”, teksa shkonte të kujdesej për to.
Ajo që e bën dhe më mistershme situatën është fakti se askush në familjen Prenga nuk ka pranuar që të japë ndonjë intervistë për mediat, dhe tregohen shumë hermetikë, lidhur me shkaqet e kësaj ngjarjeje. Familjarët nuk janë treguar aspak bashkëpunues as me policinë, pasi nuk kanë dhënë informacion mbi të shkuarën e 48 vjeçarit, apo probleme të vëllezërve të tij.
Jan Prenga u mor peng mesditën e së premtes në Kamzë nga 2 persona të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një makinë “Range Rover” të bardhë, ndërkohë që gjurmët e fundit të këtij mjeti janë pikasur në hyrje të Fushë Krujës.
Pak orë më vonë një makinë e tillë luksoze u gjet e djegur, ndërsa në vendin ku ndodhi pengmarrja dëshmitarët panë gjurmë gjaku, dhe mjetin e Prengës, i cili kishte mbetur me derën e hapur.