Nga Agron Tufa
Historia e ish of. të Sigurimit, Xhavit Shala, do të përbënte lëndë të lakmueshme për një roman pikaresk kriminal. Përveç “vijës së sjelljes” dhe “kombinimeve” me ish bashkëpunëtorët e tij sot, si “Studenti”, “Mboroja”, etj, ai ka hallin si t’u mbijetojë ligjeve të institucioneve demokratike.
Gjithmonë i paqetë, gjumëtrazuar (siç ka qenë gjithmonë kjo shpesëri nate), ai ka kohë që ua përdredh kokën ligjeve. Por prej një viti e ca, Xhaviti ndodhet në Labirintin e Ligjit dhe, që të mos e hajë Minotauri, ai kërkon një fill Ariadne, që të dalë së andejmi si hero.
Ja se si përpiqet Xhaviti t’ia hedhë edhe kësaj here Ligjit:
Ligji për vetingun e Policisë, automatikisht e nxjerr nga sistemi ish punëtorin operativ të Sigurimit të Shtetit, Xhavit Shala. Autoritetet që merren me vetingun e kanë marrë përgjigjen qysh prej datës 24 maj 2019 (në një ditë të lavdishme për komunistët madje).
Mirëpo, për t’i rezistuar kësaj pune e për të mbajtur me thonj privilegjin që i jep rroga, e për të shkelur ligjin, Xhavit Shala ka zgjedhur një taktikë që lidhet me ligjet e shfuqizuara të kontrollit të figurës. Në atë kohë, komisioni “Bezhani”, për interes të Xhavit Shalës, kur ky u emërua drejtor i SHIK-ut Elbasan (tetor 1997), nuk mori vendim për të.
Ky vendim i pëlqeu Shalës, sepse me këtë mbante vendin e punës dhe as u ndje më. Mirëpo sot, në kushtet e reja me ligjin e vetingut të Policisë, atij nuk i pëlqen më ky vendim. Për të mbajtur me thonj e me dhëmbë vendin aktual të punës, ka kërkuar vërtetimin e faktit të vendimit të komisionit “Bezhani” (pas 23 vjetësh).
D.m.th. do diskutohet fakti në ka qenë apo jo oficer Sigurimi. E bukura është se padia e Xhavit Shalës, i drejtohet “gjykatëses”, pa e ditur që pas shortit, do ishte apo jo femër kjo. Dhe femër i qëlloi. Shala kërkon të dijë në është apo jo në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike, në një kohë që ligji i vetingut të policisë ndalon si oficerët e ashtu bashkëpunëtorët e Sigurimit.
Shala kërkon që të vijnë dëshmitarë në gjyq, ish ministri i Rendit Publik Spartak Poçi (babain e të cilin, Dilaver Poçi, gjatë kohës së internimit, e kishte “nën kujdes” në Dumre, pikërisht Xhavit Shala), ish drejtori i përgjithshëm i Policisë Veli Myftari (që ka kaluar me “veteranët” sot) dhe ish drejtori i personelit Pendeli Taçi (ish oficer Sigurimi).
Për të kopsitur mirë procesin, Xhavirt Shala kërkon “marrjen e provës materiale” të praktikave të shokëve të vet ish sigurimsa të lashtë si Ilir Balili, Adriatik Muka dhe Pandi Sterjo. Paralelisht, i kërkon Autoritetit të dosjeve (pra gruas së vet) të ndërpresë “procedurat verifikuese” (muhabet shtëpie d.m.th.).
Xhavit Shala dihet se është tutori i Autoritetit, i cili është kuptuar me kohë se është një vegël në duart e tij. Realisht Xhavit Shala është kryetar i Autoritetit. Kryetarja formale Genta Sula, ndjehet e pafuqishme të largojë nga funksioni Aida Shalën, gruan e Xhavitit, e cila ka siguruar monopolin e çdo material digjital (për bashkëshortin e saj).
Nëse do kishte sadopak drejtësi, duhet të shohim dy veprime: largimin e Xhavit Shalës nga Policia dhe nga drejtimi i Autoritetit. Xhavit Shala nuk ndonjë formim policor. E shumta mund të ishte ndonjë instruktor partie. Dhe për këtë ka dhënë prova.