Nga Red VARAKU
Perëndimi gjithmonë ka menduar që strategjia e duhur për t’i bërë presion qeverive në Shqipëri është kërcënimi për izolim dhe bllokim të hapave drejt Bashkimit Evropian.
Ndaj në zbatim të kësaj strategjie, krejtësisht e bindur për ilegjitimitetin e kësaj qeverie, të shqetësuar për djegjen e mandateve dhe revoltën qytetare, fillimisht BE vendosi të shtynte negociatat me Shqipërinë deri në tetor.
Objektivi kësaj shtyrjeje ishte dhënia e një mundësie kryeministrit për të dalë vetë nga kjo krizë, duke përcaktuar gjithashtu prerazi hapat që duhet të ndërmerrte për të zgjidhur krizën.
Por, Edi Rama edhe pse i kapur në çark nga përgjimet, që e nxirrnin si arkitekt i masakrës elektorale shqiptare, vendosi të mos e lexonte me seriozitet mesazhin e prerë të BE.
Ai jo vetëm nuk ndërmori asnjë hap për zgjidhjen, por refuzoi ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Angela Merkel , z. Wahdepul për të zgjidhur krizën. Por, ishte pikërisht nevoja për të mbuluar krimin elektoral, ajo që e shtyu atë të bënte të pamendueshmen, që vetëm një njeri i papërgjegjshëm si ai mund ta bënte, zgjedhje pa Opozitën.
Jo vetëm kaq, por ai i hodhi në kosh të plehrave porositë e BE dhe veçanërisht porositë e z. Mathew Palmer, premtimi i të cilit për krijimin e Gjykatës Kushtetuese brenda muajit korrik, ishte dhe garancia kryesore për popullin shqiptar.
Këto akte i alarmuan miqtë e Shqipërisë, të cilët po e shikonin me sytë e tyre përbindëshin që Opozita kishte kohë që e denonconte. Ndaj, ata u detyruan si në asnjë rast tjetër të ndërmerrnin hapin radikal, vendimin për bllokimin e integrimit.
Pas këtij vendimi të ashpër, çdo kryeministër normal jo vetëm do të dorëhiqej, por do të bënte gjithçka për t’i hapur rrugën ëndrrës më të madhe të shqiptarëve integrimit të vendit në BE.
Por, Edi Rama në vend që të reflektonte, vendosi të kërcënojë dhe shantazhojë Perëndimin nëpërmjet pjesëmarrjes në projektin e Moskës dhe Pekinit për krijimin e Jugosllavisë së re, duke rrezikuar seriozisht stabilitetin e rajonit.
Këto janë akte të rrezikshme që provokojnë fort zemërimin e shqiptarëve. Në raste të tjera një kryeministër si ky padyshim do të përmbysej me dhunë.
Por, fatmirësisht Shqipëria ka shumë miq që nuk do ta lejonin kurrë destabilizimin e saj. Pas vendimit për tu bashkuar me Moskën dhe Pekinin, presioni ndërkombëtar është radikalizuar me qëllim parandalimin e destabilizimit të vendit. Ai ka hyrë në një fazë tjetër, të panjohur më parë për shqiptarët.
Për herë të parë në historinë shqiptare të pluralizmit politik, faktori ndërkombëtar është i angazhuar si asnjëherë tjetër në ndërprerjen gati ‘me dhunë’ të një mandati qeverisës, nëpërmjet presionit të hapur për realizimin e nëntë kushteve të Bundestagut.