Analisti Fatos Lubonja komentoi në rubrikën “Opinion”, në Neës24, ngjarjen e bujshme të “21 Janarit”, ku nëntë vite më parë u vranë në një protestë të përgjakshme 4 qytetarë të pafajshëm, por që vijon të mbetet në “errësirë”.
Për analistin Lubonja “21 Janari” është një krim i dyfishtë, duke veshur me faj, në këtë mënyrë, të dyja kahet politike, ndonëse prej nëntë vitesh kjo ngjarje vijon të përplasë palët dhe të mos gjejë fajtorët e vërtetë.
Fatos Lubonja deklaroi se Partia Socialiste është fajtore dhe përgjegjëse po aq sa Partia Demokratike për vrasjen e katërfishtë në bulevard, pasi sipas tij, ishte pikërisht PS që i çoi njerëzit aty, me qëllimin e keq për t’u vrarë.
“Unë e kam pak të ndryshëm mendimin për “21 Janarin”, sepse ndodh sikur një pjesë janë me PD dhe vënë theksin te opozita, dhe veçanërisht për faktin pse PS nuk bëri asgjë për të vënë drejtësi dhe akuzohet PS se nuk iu qëndroi protestuesve, si dhe PD për sulmin e dhunshëm që u përdor atëherë dhe faktin që u sulmuan institucionet, pra legjitimimi i asaj që u bë.
Ajo që ndodh për mua është kjo, që sot jemi në këtë pikë, sepse 21 janari ishte një krim i dyfishtë, jo i njëfishtë, siç e shohin një pjesë, që e bëri njëra ose tjetra palë.
Ata njerëzit që u çuan atje nga PS, dhe këtu është përgjegjësia që ka PS, që e përgatiti një ditë më parë dhe duke paralajmëruar se populli është aq i zemër4uar dhe nuk mbajmë ne përgjegjësi.
Ata njerëz u çuan qëllimit për t’u vrarë ndonjëri. Pra, kishte një qëllim të mbrapsht, me shpresën që përballë kishin një njeri të mbrapsht që mund të binte në këtë grackën dhe të qëllonte ndonjërin, siç edhe ndodhi.
Pra, nëse ne do bëjmë gjyq të paanshëm për fajtorët, nuk lahen edhe këta që i çuan njerëzit atje. Sepse është njëlloj si të çosh ca njerëz tek ariu, ariu do t’i hajë ata, dihet.
Kjo është eliminuar fare nga PS, por ata e kanë brenda atë pjesë, sepse nuk ishte një protestë e vërtetë popullore, psesë po të ishte kështu të nesërmen do të ishte djegur kryeministria, se u vranë 4 veta, por nuk ndodhi, sepse deshën ta shesin si protestën e pranverës. Tani iu intereson heshtja dhe kaq.
Pastaj, çështja komplikohet, nëse do ta ngremë në parim lidhur me atë sa dhuna mund të përdoret në protesta, dhuna, mosbindja civile, sa janë të legjitimuara dhe sa jo.
Kur të bëhet gjyqi ndoshta dënohet më shumë vrasjet, sesa ata që i shtynë, por ama janë të dyja palët. Ata u çuan atje për t’u vrarë. PS i ngarkohet më shumë pse s’bëri drejtësi? Por, nuk bëri drejtësi se ka qenë qëllimi i keq që në fillim dhe nuk i intereson fare.
Unë kamë qenë në protestë, aty ishin një masë e madhe, jo aq e madhe, siç nxjerr PD sot, si dhe një grup sulmi i veçantë, që do të destabilizonte, që do sulmonte kryeministrinë, do krijonte një situatë, që do tregonte një urrejtje të madhe popullore. Ishte shpresa që dikush do gjuante dhe do vriste ndonjë dhe kjo do instrumentalizohej dhe do bëhej mjet lufte politike, siç u bë”, deklaroi Lubonja.
Më tej, analisti komentoi dhe protestat e opozitës, përgjatë këtij viti, ku policia ka përdorur shpeshherë gaz lotsjellës ndaj protestuesve, duke thënë se politika tashmë e ka nxjerrë një mësim, që të mos vrasë njerëzit, ndonëse sipas tij, edhe përdorimi i gazit është abuzim me forcën e pushtetit.
“Një mësim është nxjerrë, që pala në mbrojtje, që në këtë rast është në pushtet dhe ka policinë duhet të bëjë shumë kujdes, që të mos vrasë, se pastaj i kthehet në bumerang, siç ndodhi në 21 janar.
Mendoj se pala mbrojtëse e ka mësuar këtë dhe ka përdorur gazin. Edhe këtu kemi abuzim me forcën e pushtetit, por jo deri te vrasja, por që është për t’u kritikuar”, u shpreh analisti.
Por edhe kryeministrisë iu vu flaka, a justifikohet…?
Nëse iu referohemi ligjeve, ato janë të shkruara. Ligjet e kanë përcaktuar sa dhe si mbrohen institucionet. Mendoj se 21 janari kishte kapërcim të mbrojtjes së nevojshme, edhe pse ishin provokuar.
Kur u vu flaka tani, përdorimi i gazit, këtu ngelet për t’u diskutuar. Tek e fundit, ngelet gjithmonë e hapur çështja e përdorimit të forcës, deri ku përdoret ajo. Për të dy palët kam parasysh një parim, që e ka trajtuar edhe Maks Veberi, që bën diferencë mes pushtetit dhe forcës.
Sipas tyre, pushteti ka një dallim me forcën, në kuptimin që pushteti nuk është që ti ke mjetet e forcës, dhe sa më pak të kesh pushtet, aq më tepër i drejtohesh forcës. Pra, forca është shenjë e mungesës së pushtetit. Ne vëmë re në përgjithësi, që forcat politike tona shpesh i referohen forcës, sepse nuk kanë pushtet, në kuptimin e legjitimitetit. Tendenca është që, edhe kjo qeveri, i drejtohet forcës, zgjidhjes me forcë.
Kam parasysh këtu Astirin, mjetet e dhunës, prishja e stadiumit në mënyrë të paligjshme, janë të gjitha akte dhune që tregojnë dobësim të pushtetit.
Shqiptarët kanë mësuar nga kjo. Mësimin e parë e patëm më 1997, që dolën edhe për pakënaqësinë e tyre, por edhe për të reaguar, dhe patën një pushtet që erdhi pas dhe i zhgënjeu. Fatos Nano tha se do iu kthente 100% paratë e humbura atyre që protestonin, por që ato para u shpërndanë nëpër xhepat e tyre.
Ka pasur mësime edhe kur erdhi Berisha në pushtet, me disa premtime, ashtu si dhe me rastin e Ramës, më 21 janarin, apo edhe tani që njëherë premtohet “revolucioni”, lëvizja e fortë që s’do lejojë zgjedhje…
Ajo që ka mësuar qytetari është që instrumentalizohet, pra që përdoret si “mish për top”. Kush nuk e ka mësuar, është ai militanti që mendon se do të ketë një përfitim, kur partia e tij të jetë në pushtet.
Tryeza për Reformën Zgjedhore, gjërat kanë ndryshuar, palët u ulën, por opozitarët thonë se nuk i kanë lënë protestat, por a kanë vlerë tani?
Kjo që s’kemi hequr dorë nga protestat, që Rama duhet të largohet, përdoret për t’u justifikuar para militantëve, por do të gjenden mënyra për t’i zvarritur, për t’i shmangur.
Apo ndoshta edhe duke parë reagimin e një pjese shumë të madhe, kanë ndërruar mendim dhe duan të krijojnë një lloj sinteze të protestave me këtë uljen në tryezë.