Nënkryetari i Qeverisë dhe ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Lajiq, ka thënë se ekonomia e Serbisë humb nga 1 milion e 39 mijë euro në ditë për shkak të taksës së vendosur nga Kosova.
Ai ka thënë se “më së shumti ka humbur industria vendëse ushqimore, meqë kompanitë tona gjatë kësaj kohe plotësisht janë larguar nga Kosova”. Taksa ndaj Serbisë ishte vendosur në muajin nëntor të vitit të kaluar nga kryeministri, Ramush Haradinaj.
Ekonomia e Serbisë humb nga 1 milion e 39 mijë euro në ditë për shkak të taksës së vendosur nga Kosova, ka thënë nënkryetari i Qeverisë dhe ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Lajiq.
Ai ka thënë se “më së shumti ka humbur industria vendëse ushqimore, meqë kompanitë tona gjatë kësaj kohe plotësisht janë larguar nga Kosova”.
“Gjatë gati 14 muajve kur është vendosur taksa, në territorin e Kosovës janë dërguar më pak mallra nga Serbia që kapin vlerën e 435 eurove, krahasuar me periudhën e njëjtë para vendosjes së taksës”, i ka thënë Lajiqi kësaj gazete, duke shtuar se vendin e tyre e kanë zënë kompanitë nga Greqia, Bullgaria, Hungaria, Kroacia, Sllovenia, Turqia dhe Maqedonia e Veriut .
E presioni mbi Kosovën nga Serbia për ta hequr taksën 100 për qind ka nisur me fillim të këtij viti. Kërkesën që kjo taksë të hiqet e ka bërë ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, duke thënë se “Është e pakuptimtë që kjo masë ‘anticivilizuese’ të jetë në fuqi për më shumë se një vit”.
Ai tutje ka thënë se gjatë këtij viti Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tavolinën e dialogut. “Me gjithë përkushtimin dhe konstruktivitetin tonë maksimal, nuk jemi të kënaqur me mbarëvajtjen e këtij procesi (rreth Kosovës) vitin e kaluar, sepse dialogu i vërtetë mungoi, për shkak të refuzimit të Prishtinës për të shfuqizuar vendimin për taksën ndaj mallrave nga Serbia.
Është e pakuptimtë që kjo masë ‘anticivilizuese’ të jetë në fuqi për më shumë se një vit, përkundër kërkesave nga të gjitha anët e botës për ta shfuqizuar atë. Shpresojmë që kjo të ndryshojë gjatë këtij viti, që taksa të hiqet sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të vazhdohet dialogu për të cilin Serbia është e interesuar dhe e sheh si rrugë te vetme për të arritur një zgjidhje kompromisi dhe afatgjatë”.
Ministri deklaroi se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën, dhe se po punon shumë me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, për t’u kthyer sa më shpejt të jetë e mundur në një proces që do të sigurojë një zgjidhje kompromisi dhe afatgjatë për Kosovën.
E ditë më parë edhe përfaqësuesi special i presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka thënë se Kosova duhet ta heqë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe. Këtë kërkesë ai ua ka bërë një delegacion të Lidhjes Demokratike të Kosovës që i ka pritur në takim.
Ndërkohë, dy subjektet politike që pritet ta krijojnë qeverinë e re, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, kanë paralajmëruar se taksa apo tarifa doganore mund të zëvendësohet me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është edhe kandidat i këtij subjekti politik për kryeministër të Kosovës, ka deklaruar se është i gatshëm dhe i interesuar që tarifën 100 për qind, ta zëvendësojë me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, siç ka thënë ai, në përputhje me rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011.
“Edhe sa i përket dokumentacionit të mallrave, certifikatës së prodhimit të mallit, edhe sa i përket targave të automjeteve, qofshin për qarkullimin e udhëtarëve apo të mallrave, spedicionit e kështu me radhë, qoftë sa i përket investimeve te njëri-tjetri, duhet ta përdorim parimin e reciprocitetit si garantues normal i bilateralizmit konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti.
Edhe kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët ka thënë se tarifa duhet të bëhet pjesë e marrëdhënieve reciproke me Serbinë, qoftë reciprocitet politik, por
Ndryshe, që nga vendosja e taksës, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina u dëmtuan për qindra miliona euro. Sipas Doganës, që nga vënia e taksës 100 për qind, vlera e importit nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka rënë në 6 milionë euro. Krahasuar me vitin e kaluar, importi ka rënë për 99 për qind.
“Deri tani kemi pasur import nga Serbia dhe Bosnja rreth 6 milionë euro pra rreth 3.3 nga Serbia dhe 2.7 nga Bosnja. Derisa vitin e kaluar kemi pasur 365 milionë import nga Serbia dhe rënia është 99%. Si rreth 65 milionë nga Bosnja ku rënia është 96%”, kanë thënë në Doganë.
Produktet që vinin nga këto dy shtete më herët, tash importohen nga Shqipëria, Gjermania, Bullgaria e Italia. Ndryshe, para vendosjes së taksës, tregu i Kosovës ka qenë i mbushur me produkte nga Serbia. Ky vend ka qenë eksportuesi më i madh i mallrave në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1.2 milion euro në ditë apo mbi 400 milionë euro në vit, ka qenë vlera e produkteve që kanë hyrë nga shteti i Serbisë në tregun e Republikës së Kosovës. Ndërkaq, vlera e prodhimeve “Made in Kosova” në territorin e Serbisë ka qenë rreth 40 milionë euro në vit.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin ose edhe shfuqizimin e kësaj takse, pasi ajo u konsiderua si shkak që Serbia të tërhiqet nga tavolina e bisedimeve me Kosovën, deri në heqjen e tarifave doganore apo taksës.