Simeone kërkon Hysajn te Atletiko

“Tani po e kuptojnë të gjithë sesa i fortë është Hysaj”. Me këtë fjali e nis shkrimin dedikuar mbrojtësit shqiptar e përditshmja italiane, “Corriere Dello Sport”, e cila i dërgon një mesazh të veçantë trajnerit të Atletico Madrid, Diego Simeone, i cili ka shfaqur interes për lojtarin. Në vijim të shkrimit, “Corriere” thekson se, gjatë merkatos së verës askush nuk besoi te aftësitë e mbrojtësit, por ishte Maurizio Sarri, ai që këmbënguli për t’i dhënë mundësinë e hapit të madh të karrierës pas kalimit të të gjitha fazave te të rinjtë e Empolit dhe më pas te ekipi i parë.
“Me pak fjalë një blerje largpamëse për rreth 5 milionë euro. Fillimisht u mendua si një emër më shumë për Napolin, por më pas ai shpërtheu, duke u transformuar në një lojtar jetik dhe asnjëherë në dyshim për vendin e titullarit. Fillimisht në të majtë dhe më pas vetëm në të djathtë. Autoritar dhe paraqitje gjithmonë në rritje të vazhdueshme”, nënvizon “Corriere Dello Sport”, që përqendrohet më pas te sirenat e merkatos që vijnë nga Franca dhe mbi të gjitha nga Spanja. Është Diego Simeone ai që e kërkon mbrojtësi kuqezi në Madrid, por sipas të përditshmes italiane është vetëm Napoli që do të marrë vendimin përfundimtar. “Klubi i kaltër mund të arkëtojë shumë të ardhura, por vetëm nëse dëshiron ta largojë”, theksohet në fund të mesazhit që “Corriere Dello Sport” i dërgon virtualisht trajnerit të skuadrës spanjolle.

Artikulli paraprakKontrabanda, Crown Agents: Si zbuluam 1 mln euro evazion nga importi i grurit
Artikulli tjetërHiguain pezullohet 4 javë