Salvator Mundi, piktura më e paguar e botës, është një kod Da Vinçi i ri

Duket se ka risi lidhur me Salvator Mundi në favor të atribuimit të saj Leonardo da Vinci, por misteri i lindur rreth kësaj vepre nuk është zgjidhur aspak. Të gjithë zhvillimet mbi teknikat stilistike, atribuimet, shitblerjet dhe zhdukjet e një prej veprave më të diskutuara të viteve të fundit.

Zhvillime të reja lidhur me pikturën më të kushtueshme të historisë, Salvator Mundi e atribuar Leonardo Da Vinci: sfera e kristaltë në dorën e majtë të Krishtit nuk është e plotë, por boshe. Kjo shpjegon linjat e deformuara të pikturuara mbi globin qiellor. Sapo është dalë nga 500 vjetori i vdekjes së Leonardo, në 2020 kemi atë të Raffaello, por Da Vinci nuk tërhiqet.

Pas tamtamit të madh rreth Cenacolo dhe Gioconda – nxitur nga bestsellerë që kritika i degdis në rangun e letërsisë së ulët – gjeniu i penelit bën të flitet ende për të dhe kësaj radhe me një pikturë tjetër në qendër të shumë mistereve. Në fakt, prej më shumë se 10 vitesh, Salvator Mundi mban gjallë polemikat midis historianëve të artit dhe koleksionistëve. Për shumë, ajo që nuk bind është mënyra me të cilën palat ne veshjen e Krishtit janë bërë nëpërmjet transparencave të sferës. Leonardo qe shkencëtar dhe ia kushtoi studimet e tij optikës së përthyerjes siç ka dalë nga blloqet e tij të shënimit. E mundur që reflekset e një xhami të qëndrueshëm të jenë bërë në mënyrë kaq të trashë?

Shpjegimi vjen nga një ekip i University of California që kryesohet nga Marco Lian. Sfera në fjalë nuk është e plotë, por boshe, me një rreze prej 6.8 cm, dhe Leonardo duhet ta ketë paraqitur në një largësi prej 25 cm nga trupi i Salvatore. Detaje të vogla, por domethënës: do të sqaronin se pse piktori e ka errësuar atë pikë të pikturës në të cilën pala e pestë e veshjes futet në sferë, duke u demonstruar i vetëdijshëm për mënyrën me të cilën vëllimi bosh i këtij lloji i deformon vijat e drejta që i kalojnë nga pas. Por për ta kuptuar më mirë sesa tension po krijon Salvator Mundi në akademitë e arteve, në tregun botëror, në galeri dhe në shtëpi botuese – duke pasur parasysh se tashmë janë botuar libra mbi rindërtimin e historisë së gjatë të puikturës në fjalë – duhet bërë një hap i madh prapa.

Është 5 marsi i vitit 2008, Mbretëri e Bashkuar. Martin Kemp, Profesor i Artit në Oxford University, një prej ekspertëve më të mëdhenj të Leonardo da Vinci, merr një email nga Nicholas Penny, Drejtor i National Gallery të Londrës: “Martin, kam diçka të cilën absolutisht duhet ta shikosh”. Profesori Kemp nxiton dhe në dhomën e restaurimeve të muzeumit, i vendosur në një kavalet të drunjtë, qëndron piktura që paraqet një Krisht me rroba të epokës së Rilindjes; dora e djathtë është në pozicion bekues, kurse e majta mban një glob të kristaltë.

Është “Jezùsi Shpëtimtar i Botës dhe Zot i Kozmosit”, temë ikonografike tipike e artit të ‘500. “Kur kam parë Salvator Mundi kam pasur një reagim gati fizik, kam ndjerë një prani, të njëjtën që provova përballë Monna Lisa”, ka kujtuar Kemp vitin e kaluar në një konferencë në St. Catherine’s College të Oxford Universiy. Është për t’u nënvizuar se ka më shumë se 100 vjet që një Leonardo i ri nuk del në dritë. Një mungesë prej sindrome të Stendhal do të ishte më shumë se e ligjshme.

Pas disa studimesh, Kemp bindet se bëhet fjalë për një Leonardo të vërtetë. Gjykimi i tij pranohet nga të tjerë dhe kështu që kemi një episod të ri të asaj që duket nj panair i vërtetë i Lindjes. Faktikisht, në ‘800 vepra i ishte atribuar shkollës së Giovanni Botraffio, piktor milanez i Rilindjes së hershme dhe nxënës i Leonardo, më pas u promovua në vepër të Bolfraffio dhe u shit për 45 stërlina në një ankand në Londër në vitin 1958. Por në 2005 u ble në Louisiana nga Robert Simon, tregtar arti nga New York, për 1175 dollarë.

Me bekimin e Kemp, brenda pak kohësh Salvator Mundi futet në kanunin leonardesk në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe pëson shitblerje të mëtejshme, duke u bërë piktura më e kushtueshme në botë. “Tregu i artit është një xhungël pa rregulla”, kishte thënë eksperti dhe nuk e kishte gabim, po të kihet parasysh se në çfarë xhungle ka përfunduar piktura për t’u fshehur. Kalimet e fundit të dorës janë shumë të kripura dhe, pavarësisht risive nga California University, diskutimet lidhur me autenticitetin mbeten të zjarrta, aq sa Louvre i Abu Dhabi, kufi artistik i Emirateve të Bashkuara Arabe, pasi ka njoftuar ekspozimin e pikturës, nuk e mban fjalën e dhënë dhe ndërkohë piktura është zhdukur sikur të mos ekzistonte!

Në vitin 2011 National Gallery e Londrës kishte vendosur ta përfshinte veprën në ekspozitën madhështore Leonardo da Vinci, piktor në oborrin e Milanos, duke arritur një sukses të tillë sa që biletat janë shitur nga sajte pirate për shifra marramendëse (deri në 400 dollarë!). Fenomene si këto mundësojnë të konstatohet sesi tregu i artit tregon, në të gjithë qartësinë, se vlerësimi dhe çmimi nuk janë edhe aq të palidhur sa do të duhej. Është në majin e 2013 që Simon, pronari i vjetër, ia shet Salvator Mundi ndërmjetësit të një koleksionisti të pasur rus për 127.5 milion dollarë.

Por gjatë një feste në jahtin e tij Rybolovlev, rusi, zbulon se agjenti i tij ia blen veprat me çmime shumë më të ulëta se ato që i deklaron, duke marrë për vete pjesën më të madhe të fitimit. Rybolovlev e denoncon për mashtrim dhe pak kohë më pas edhe Simon bën të njëjtën gjë. Çështjet janë ende në zhvillim në vende të ndryshme të botës dhe autoritetet zvicerane i kanë bllokuar disa pasuri mashtruesit.

Arrihet kështu në nëntorin e 2017 kur Rybolovlev, ndoshta i dëshiruar që ta linte prapa vetes ndodhinë e papëlqyer, dëshiron të çlirohet nga piktura dhe ia beson atë Christie’s. Shtëpia e ankandeve vendos atëhere që ta shfrytëzojë në maksimum statusin e celebritetit të Leonardo të vetëm të pranishëm në një koleksion privat: organizon një tur botëror që prek Hong Kongun, Londrën, San Francisco dhe New York: më shumë se 27000 e shohin veprën.

Njëri prej tyre e blen, duke thyer të gjitha rekordet, për 450 milion dollarë. Christie’s nuk e zbulon emrin e blerësit, por zërat dalin me shpejtësi: blerësi është një princ saudit, Bader bin Abdullah al Saud. Nga burime të inteligjencës amerikane të cituara nga “Wall Street Journal” del se blerësi i vërtetë është Mohammed bin Salman, djali i Mbretit Abdallah dhe dora e fortë e regjimit, i njohur si Mbs dhe së fundi i përmendur më raport me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi më 2 tetor 2018, në konsullatën saudite në Turqi.

Gjithsesi, Bader është i lidhur me Princin Trashëgimtar dhe, kur “New York Times” përgatitet ta zbulojë emrin e tij në dhjetorin e 2017, muzeumi i Abu Dhabi njofton se vepra është e destinuar për koleksionet e saj dhe Bader emërohet Ministër Kulture i Arabisë Saudite. Është vërtet e pabesueshme ajo që një pikturë ka mundur të lëvizë nga pak stërlinat e 1958 tek “po”-ja e Kemp, ekspertit më të madh, nga rrestimi i një mashtruesi tek emërimi i një të fuqishmi arab si Ministër Kulture thuajse për t’i dhuruar një fron në botën e artit.

Debati lidhur me autorësinë nuk shuhet. Në reçensionin e ekspozitës në “New York Review of Books”, ish Drejtori i Warburg Institue kishte konkluduar dyshues për Salvator Mundi: edhe duke pasur parasysh gjendjen shumë të keqe të ruajtjes, është një kompozim mediokër dhe është e vështirë të besohet se Leonardo ka prodhuar diçka kaq të mërzitshme. Dhe nëse problemi i sferës me studimet kaliforniane duket se është zgjidhur, mbesin të pazgjidhura pikëpyetje të tjera. Në këtë pikturë enigmatike Krishti paraqitet si frontal dhe hieratik, ndërsa kritikët kujtojnë se spesori stilistik i Leonardo është aftësia për t’i kapur trupat në lëvizje.

Prej dëshpërimit, dikush dorëzohet, duke e zhvlerësuar artistin: figura e Leonardo “gjeni” është i gjithi një mit i ndërtuar në tavolinë nga Mussolini. Duket si fake news, si llafe rrugësh, por nuk është kështu. Praktikisht në vitin 1939, në Pallatin e Artit të Milanos, seli e Triennale, nga 9 maji deri më 30 shtator u hap Ekspozita e Leonardo da Vinci dhe e shpikjeve italiane. Ngjarje e madhe ekspozuese dhe historike, në të cilën u paraqitën shumë piktura, skica, kodikë dhe u ndërtuan për rastin modele të shumta makinash leonardeske, të nxjerra po nga skicat e tij. Pëlqehej ideja e vënies përballë e rezultateve të shkencës dhe të teknologjisë italiane. Domethënë dora e fashizmit ka ekzistuar vërtet!

Në mënyrë që të mos na mungojë asgjë duhet të ekzistonte edhe një pjesë politike për ta ngjyrosur ngjarjen marramendëse të Salvator Mundi dhe ekspozita e 1930 do të ketë kontribuar patjetër për ta bërë publik madhështinë e artistit, por sigurisht nuk i ka ndërtuar ndonjë mit. Leonardo Da Vinci ka qenë gjithmonë një mjeshtër i madh, qysh kur, ende stazhier, pikturonte ndonjë figurë në Pagëzimin e Krishtit të Verrocchio. Dhe, lidhur me stazhin, Nicholas Penny, Drejtori i National Gallery, në emailin e famshëm të 5 marsit 2008 për Martin Kemp, specifikonte: “Disa prej nesh mendojnë se mund të ketë pjesë të pikturuara nga dyqani”.

Vjen pastaj një rrjedhje e re: shtëpia e ankandeve Christie’s thekson se Salvator Mundi duket se është komisionuar nga Luigji i XII, Mbret i Francës, edhe pse nuk ka dokumenta ql e konfirmojnë. Pse të theksohet ky destinacion i veprës pa burime që mund ta mbështesin? Pse miliarderi rus ka dashur ta heqë qafe pikturën? Pse kaq shumë interes për një të tillë jo akoma e konsideruar autentike nga unanimiteti i historianëve të artit? Pse të shtyhesh që të derdhësh një shifër kozmike në një situatë kaq të paqartë? Duket se është kaluar vetëm 19 minuta nga çmimi bazë prej 100 milionësh në atë final prej 450 milionësh. Pse Louvre në një hapësirë kohore kaq të shkurtër ka njoftuar ekspozimin e pikturës në sallat e tij dhe më pas, duke mbajtur hundën me dorë, ka bërë një hap prapa?

Por, mbi të gjitha, çfarë fundi ka pasur Salvator Mundi? Dimë se muzeumi i Abu Dhabi do të duhej ta ekspozonte veprën në vjeshtën e 2018, por me një tweet të 3 shtatorit 2018 Ministria e Kulturës ka njoftuar se prezantimi i saj është shtyrë. Sot nuk dihet nëse dhe kur Salvator Mundi do ta shikojë dritën e diellit. Punonjës të muzeumit kanë lënë të kuptohet se nuk e dinë se ku ka përfunduar piktura.

Në këtë pikë, dy janë hipotezat e besueshme për zhdukjen e saj: e para është që muzeumi ka pasur dyshime lidhur me autenticitetin e saj. E dyta është që pronari ka vendosur ta mbakjë për vete veprën, e cila tani tani mund të gjendet e varur në murin e ndonjë prej pronave luksoze të tij. Disa më dashakeqës akoma sugjerojnë se zhdukja e vepërs është e lidhur me qëllimet për të mbytur efektin e një talljeje të ekzagjeruar: piktura më e shtrenjtë nuk është gjë tjetër veçse vepër e një piktori të vogël e të panjohur dhe se autoriteti i Kemp nuk e ka bindur aspak Louvre arab.

Disa kanë arritur të mendojnë se vetë Profesori Kemp është korruptuar dhe. Për pasojë, është prirur që të shprehet si i sigurtë për një atribuim fals. Por për çfarë qëllimi? Për të favorizuar kë? Të krijohet përshtypja se prpa kuintave dikush pë tërheq fijet e shumë marionetave dhe paradoksi është se të gjithë ne, spektatorë që pavullnetshëm ose jo, koleksionistë, tregtarë arti, drejtorë muzeumesh, historianë e kritikë, studiues apo turistë të thjeshtë, estetë dhe adhurues të së bukurës, kemi nevoj për të kuptuar diçka, për dikë që të na shpëtojë, domethënë pikërisht për një Salvator Mundi… që nuk ekziston.
(nga Storica)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakIrani: Një vend ende i paformuar plotësisht
Artikulli tjetërMesazhi i Metës pas takimit me Ambasadoren amerikane