VOA: Shqipëria ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë të drogës

“Zëri i Amerikës” i ka kushtuar një kronikë të gjatë trafikut të drogës në Shqipëri duke theksuar se mungojnë arrestimet e kultivuesve. “Mungojnë arrestime të organizatorëve të kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike. Sipas një raporti të OKB-së, Shqipëria është një nga prodhueset e mëdha të narkotikëve në botë.
Policia shqiptare thotë se po i rrit rezultatet në luftën kundër bimëve narkotike, megjithë akuzat e opozitës se drejtues policie janë të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e tyre.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për Rendin dhe Sigurinë, Altin Qato, policia ka kryer gjatë muajve të verës mbi 600 operacione me mbi 800 vepra penale, u goditën mbi 220 raste kultivimi më shumë se një vit më parë, dhe u asgjësuan rreth 1 milion e 200 mijë bimë narkotike, ose 3 herë më shumë se viti i kaluar.
Megjithë statistikat e policisë në goditjen e parcelave me narkotikë, mungojnë arrestimet e organizatorëve të trafikimit dhe kultivimit të bimëve narkotike, thekson “Zëri i Amerikës”.
Radioja e njohur amerikane rikthen një raport të OKB në korrik (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, UNODC), sipas të cilit Shqipëria është një ndër vendet kryesore të prodhimit të kanabisit në botë.
Sipas të dhënave të raportit të mbledhura në vitin 2014, Shqipëria është burim i rëndësishëm i kanabisit në tregjet ndërkombëtare, së bashku me Kolumbinë, Xhamajkën, Holandën dhe Paraguajin.
Po sipas raportit të OKB-së, fitimet vjetore nga tregtia e paligjshme e drogave prej Shqipërisë janë sa 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të saj, duke lënë pas vende më të zhvilluara se ajo.

Artikulli paraprakPagat e majme të OSHEE-së merren në mbrojtje nga zyrtarët e Ministrisë së Energjetikës
Artikulli tjetërItalia bllokon drogën me vlerë 4 milionë euro