Shqipëria renditet në vendin e 57 nga 118 vende të marra në analizë sa i përket krimit. Është “Numbeo”, një nga bazat më të mëdha të të dhënave, që ofron klasifikimin për periudhën e mesvitit 2016. “Numbeo” e klasifikon Shqipërinë si një vend të ekspozuar ndaj krimit me Index 45.97, ndërsa Indeksi i Sigurisë llogaritet në 54.03. Sipas renditjes së “Numbeo”-s, vendi ynë paraqet një situatë më shqetësuese të krimit edhe në krahasim me shtetet fqinje apo ato të rajonit.
Kështu, Indeksi i Krimit në Serbi është 39.95, në Maqedoni kjo shifër llogaritet në 38.50, në Greqi 39.40. Në vendin e parë për shkallën e lartë të krimit renditet Venezuela, ku ky indeks është 84.92. Koreja e Jugut është vendi me indeksin më të ulët të krimit, me 14.99.
Në kontinentin e Europës, Shqipëria renditet si vendi i 6 për nga kriminaliteti, ndërsa vendin e parë e mban Ukraina, me indeksin 49.43.
Por, me ngushtimin e rrethit të klasifikimit gjeografik, duke iu referuar rajonit të Europës Jugore, Shqipëria ndryshon ngjyrë në hartë. Indeksi e rendit në vendin e dytë pas Malit të Zi (48.64). Më pas vendi ynë ndiqet nga Italia, Bosnje–Hercegovina dhe Serbia.