Grabitja e notarëve amerikanë në Rio kthehet në krizë politike

Ajo ishte një histori që shkaktoi shumë valë zemërimi. Katër notarë amerikanë, që garojnë në Lojërat Olimpike, thanë se janë grabitur nën kërcënimin e armëve. Mes tyre ishte edhe notari i njohur amerikan, Ryan Lochte. Ishte një turp për Brazilin, vendin që organizon Lojërat Olimpike. Ky turp vinte në kulmin e raportimeve nga mediat perëndimore për Rion si një qytet të mbushur me krim, prostitucion e dhunë.
Por shumë shpejt ngjarja mori një tjetër rrjedhë. Autoritetet nisën të kishin dyshime mbi pretendimet e notarëve se janë grabitur me armë. Orët e fundit, dy prej notarëve amerikanë që denoncuan publikisht grabitjen, nuk janë lejuar të largohen nga Brazili nga autoritetet e këtij vendi.
Jack Conger, 21 vjeç dhe Gunnar Bentz, 20 vjeç, ishin ulur në avion dhe ishin gati për të fluturuar drejt SHBA, kur policia ndërhyri dhe i ndaloi. Dy notarët thanë se u terrorizuan, por tashmë nuk mund të udhëtojnë drejt SHBA derisa të mbyllet hetimi.
Ryan Lochte nga ana tjetër ia ka dalë të largohet nga Rio, pasi u fotografua me të dashurën në SHBA.
A e kanë trilluar notarët historinë e grabitjes nën kërcënimin e armës? Policia thotë se dëshmitë e tyre nuk përputhen me të dhënat e kamerave të sigurisë në Fshatin Olimpik. Katër notarët thanë se ishin në një festë të organizuar nga skuadra franceze.
Teksa po ktheheshin, taksia e tyre u ndalua nga persona të armatosur që u grabitën paratë dhe gjërat personale.
Por policia thotë se nuk ka gjetur asnjë provë të grabitjes. Lochte dhe shokët e tij thonë se janë kthyer në orën 4 në Fshatin Olimpik. Por kamerat e sigurisë tregojnë se ata janë kthyer në orën 7 të mëngjesit. Policia nuk e ka gjetur dot as taksistin e tyre. Për më tepër, Lochte dhe një notar tjetër kanë dhënë dëshmi të ndryshme mbi atë se sa persona e kanë kryer grabitjen. Ka raportime se Lochte madje e ka ndryshuar dëshminë.

Dyshimet e policisë

Komiteti Olimpik amerikan konfirmoi se dy pjesëtarë të ekipit amerikan të notit janë ndaluar nga policia në Rio de Zhanerio për t’ju përgjigjur pyetjeve lidhur me dyshimet për grabitje. Gunnar Bentz dhe Jack Conger u zbritën nga avioni të mërkurën dhe u dërguan menjëherë në një zyrë policie në aeroport. Ata ishin nisur për t’u kthyer në Amerikë. Policia braziliane dyshon se denoncimi i tyre se ishin grabitur nga persona të armatosur mund të mos jetë i vërtetë.
Policia në Brazil vazhdon të kryejë hetime lidhur me pretendimet e notarit Ryan Lochte se ai bashkë me dy pjesëtarë të ekipit ishin grabitur nën kërcënimin e armëve të dielën nga dy individë që ishin paraqitur si policë.
Zyrtarët brazilianë thonë se sportistët kishin dhënë dëshmi kontradiktore lidhur me incidentin në fjalë. Notarët Bentz dhe Conger janë lënë të lirë nga policia, por u është marrë pasaporta dhe nuk do të lejohen të largohen pa bërë sqarime të mëtejshme me policinë. Sergio Viegas është avokat i notarëve amerikanë.
“Tani nuk do të flasim për faktet. Pati konfuzion pasi ishin të traumatizuar. Ata nuk e kuptuan se çfarë po ndodhte dhe pse nuk u lejuan të udhëtonin. Konfuzioni erdhi si rezultat i atyre që tha policia sepse i kërcënuan ata si dëshmitarë, ndërsa vendimi i gjykatësit ishte diçka tjetër. Ende s’e dimë se çfarë po ndodh dhe çfarë ndodhi faktikisht dhe si ndodhi”.
Dje, gjykatësja Keyla Blank dha urdhër që sportistët të mos largohen nga Brazili. Por notari Ryan Lochte është larguar tashmë nga Brazili dhe sipas babait të tij, ai ishte nisur para se gjykatësja të merrte vendimin.
Lochte dhe tre notarë të tjerë amerikanë patën thënë se ishin grabitur të dielën nga disa persona të maskuar si oficerë policie, ndërsa ata po ktheheshin në Fshatin Olimpik me taksi pas një darke me miqtë e tyre të ekipit francez.
Tani, zyrtarët brazilianë po sugjerojnë se notarët amerikanë mund të mos ketë treguar të vërtetën e plotë dhe duhet t’u përgjigjen pyetjeve.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërSuksesi i parë i Hasit në Poloni