Dritan Zaganin intervistë për RAI3: Duke hetuar, rashë në gjurmët e një ‘Audi’ të zi, pronari i tij ishte ministri im…

Televizioni i njohur italian, RAI3, ka publikuar një tjetër kronikë kritike ndaj qeverisë së Edi Ramës. Këtë herë, RAI3 ka marrë në intervistë Dritan Zaganin, ish-oficer i antidrogës, i cili flet për trafikun e lëndëve narkotike që bëhej në vend në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri.

“Ky është dokumenti që mban datën 21 mars 2017. Është një përgjigje zyrtare nga autoritetet zvicerane të njohjes së azilit politik për mua dhe familjen time”, thotë që në hyrje të reportazhit të RAI 3, Dritan Zagani.

Dritan Zagani ishte një zyrtar i policisë shqiptare që merrej veçanërisht me luftën kundër drogës, por që nga sot është një refugjat, i cili ka kërkuar azil politik në Zvicër sepse pranon që ka zbuluar korrupsionin midis politikës dhe narkotrafikantëve në Shqipëri, raporton RAI3.

“Duke bërë një hetim për një narkotrafikant në Vlorë, arrita të bija në gjurmë të një makine, një Audi të zi. Kontrollova targën dhe rastësisht pashë që pronar i kësaj makine ishte ministri im i kohës”, thotë Zagani

Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm u detyrua të jepte dorëheqjen për këtë rast që zbulonte se kushërinjtë e tij ishin njerëz të punëve të pista, kurse kushërinjtë e tij, vëllezërit Habilaj u arrestuan në Katania ku po zhvillonin biznesin e tyre duke i shituar marijuanë Cosa Nostrës.

Ministri u dënua shtatorin e kaluar për abuzim me detyrën, e njëjta vepër penale e cila është kundërshtuar nga Zagani, i cili akuzohet në Shqipëri se ka i shitur informacione një oficeri italian, por që asnjëherë nuk është hapur një hetim.

“Unë nuk munda të hetoj bandën, por ishte banda ajo që ia arriti të më fuste mua në burg”, thotë më tej Zagani në reportazhin e RAI3.

E takojmë Zaganin në Zvicër, në një lokalitet të mbrojtur, ku të paktën 35 policë shqiptarë kanë mbërritur me histori të ngjashme për të kërkuar azil politik, në vitet e fundit, raporton RAI3.

“Unë nuk pretendoj të fitoj, unë pretendoj të kem drejtësinë time. Në fund të fundit, çdokush duhet të bëjë të tijën, unë kërkoj të bëj timen, të paktën deri në këtë pikë,” përfundon Zagani.
Katër kronikat e Rai3 kundër Edi Ramës.

Në tetor të vitit 2013, kur Edi Rama sapo kishte ardhur në pushtet, televizioni Rai3 do i kushtonte një kronikë të posaçme. Televizioni i njohur si pranë të majtës, do intervistonte Ramën, që për herë të parë përdorin shprehjen se ‘italianët janë si shqiptarët, por me Versaçe’. Prej asaj kohe, Rai3 do publikonte deri më sot katër nga kronikat më të rënda për lidhjet e qeverisë me krimin dhe drogën.

E para ishte ajo e nëntorit 2017, kur Shqipëria ishte përmbysur nga kanabisi. Gazetari i Estovest erdhi në Shqipëri pasi kishte dalë në dritë historia e Habilajve dhe lidhjet e tyre me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në Shqipëri, gazetari dëshmon atë që thuhej kudo, që në vendin tonë kishte shpërthyer marijuana në çdo cep.

Kronika e dytë u bë në shkurt të vitit të shkuar. Qëllimi i saj ishte që të tregonte se si mafia e drogës po pastron paratë e krimit në Shqipëri. Edhe në këtë kronikë përmendet Saimir Tahiri, por edhe deklaratat e kreut të antimafias italiane, se mafia është investitori më i madh në ekonominë shqiptare.

Kronika e tretë ishte akoma më bombastike. Bëhej fjalë për një investigim në kuadër të programit ‘Narcotica’. Aty thuhej se një e treta e Shqipërisë është e mbushur me kanabis. Tonelata kanabis po vërshojnë drejt Italisë, vetëm në një goditje kemi kapur 9 ton, thotë një prokuror italian. Por Shqipëria sjell edhe tonelata kokainë. Prokurori italian, Mandoi bën edhe deklaratën e fuqishme: Kemi bllokuar 14 ton kokainë që do vinte në Shqipëri me nëndetëse në Porto Palermo.

Pas kësaj kronike reagoi Edi Rama dhe vetë Sandër Lleshaj, duke i quajtur shpifje. Rama tha se ajo që u servir nuk ka lidhje me gazetarinë.

Kronika e katërt erdhi së fundmi, kur RAI3 publikoi një raport të rrjedhur nga policia italiane. Aty thuhet se kultivimi i kanabisit në Shqipëri është trefishuar. Kjo rritje prej 1200 përqind ka ardhur në vitin 2019, kur qeveria trumbeton si arritje ndalimin e prodhimit të drogës. Pikërisht paratë e kanabisit kanë bërë që mafia shqiptare të forcohet shumë dhe të marrë rol dominues në Europë edhe në fushën e drogërave të tjera më të forta.

Edhe për këtë kronikë, Edi Rama tha se është turp gazetaresk. Ai nuk tha nëse do e padisë median italiane.

Artikulli paraprak“Kraja varrosi dosjen 184”. Bardhi: Prokuroria e Dibrës nuk heton dot Ramën dhe zyrtarët e kapur në vjedhje votash, për këtë u ngrit SPAK
Artikulli tjetërTirana në terr!