Karteli i drogës në polici

Partia Demokratike publikoi të tjerë emra të drejtuesve të policisë që sipas saj janë të implikuar në kultivimin dhe trafikun e kanabisit. Në listë u përmendën edhe drejtorët e shefat e denoncuar më parë nga opozita. Sipas kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, këta janë “menaxherët e fermës së madhe me kanabis të Edi Ramës”.

PD ka denoncuar drejtuesit kryesorë të Edi Ramës në Policinë e Shtetit, që janë dhe drejtues të trafikut të drogës

Në kulmin e debatit për mbulimin e vendit nga droga, në pikun e denoncimeve publike, të medias, të opozitës dhe qytetarëve, dje 4 tonë drogë arritën në Itali nga Shqipëria.
Kjo dërgesë si dhjetëra të tjera, vërteton qartë se droga është tashmë një biznes qeveritar, ku drejtuesit në polici e pika kyçe, janë përfshirë si ruajtës e vjelës së taksës 30 për qind, për llogari të Edi Ramës.
Shërbimet inteligjente partnere kanë raportuar se 15 për qind e territorit shfrytëzohet për drogë, në afërsisht 400 zona në gjithë vendin.
Partia Demokratike ka denoncuar drejtuesit kryesorë të Edi Ramës në Policinë e Shtetit, që janë dhe drejtues të trafikut të drogës.
Sot kemi të tjera të dhëna, për funksionarë kyç në këtë biznes kriminal.
Qerim Aliaj, drejtor i Kufirit në Shkodër. I implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike përmes kalimit në Malin e Zi. Më parë, kur ishte drejtor Kufiri në Gjirokastër organizonte kalimin e drogës në Greqi. Në tri raste të kapjes së sasive të mëdha të kanabisit në vendin fqinj, Aliaj ka mbyllur çështjen duke mos kryer asnjë veprim hetimor.
Gëzim Zhupa, drejtor i Kufirit Vlorë. Lidhje e ngushtë e Tahirit. Hallkë kyçe në kalimin e tonelatave me drogë në Itali me peshkarexha.
Sokol Çelaj, drejtor Rajonal i Kufirit Vlorë, i përjashtuar nga policia në vitin 2002. Me rikthimin në vitin 2013 në polici, konkretisht në Vlorë, është drejtuesi kryesor për trafikimin e lëndëve narkotike të forta kokainë dhe heroinë në bashkëpunim me Albert Paten, ish-drejtor i Njësisë Operacionale. Informacione këto të konfirmuara nga autoritetet partnere.
Albert Pata, me Edi Ramën u emërua drejtor i Forcës së Posaçme Operacionale. Informacionet e shërbimeve partnere e nxjerrin të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nga Lazarati në drejtim të Italisë dhe Greqisë.
Artion Duka, drejtor i Forcës së Posaçme Operacionale. Është implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike. Lidhje e drejtpërdrejtë e Emiljano Shullazit, ka të dhëna të besueshme se ka manipuluar provat në ngjarjen e Kasharit dhe Rrugën e Kavajës.
Ermal Muça, zv/drejtor i Policisë Tiranë, emërim i Emiljano Shullazit.
Arben Skëndo, drejtor i Përgjithshëm i SHÇBA-së. I përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike në bashkëpunim me Ervin Hodaj. Është kujdesur në rekrutimet që bën, të ketë persona të përshtatshëm për trafikun e drogës.
Taulant Kondi, zv/drejtor i Përgjithshëm i Antikontrabandës. Lidhje e ngushtë e Tahirit dhe Shullazit. I përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Genc Merepeza, zv/drejtor i Përgjithshëm për Kufirin dhe Emigracionin. Rezulton i implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike në kufirin e gjelbër dhe në Pikat e Kalimit Kufitar. Për këtë, ka krijuar klanin e tij në disa pika doganore.
Zija Çela, shef i Komisariatit në Korçë. Me kombinime të ngushta me drejtorin e Kufirit në Durrës, Boge Bodini, kanë favorizuar kalimin e drogës drejt Italisë.
Ky është realiteti i drogës, i këtij biznesi qindra milionë eurosh që po pasuron një grusht njerëzish rreth Edi Ramës dhe po mbyt ekonominë e ndershme, po shfrytëzon çdo aset të vendit, po shfrytëzon mjerimin e varfërinë e të papunëve, po sjell krime, vrasje e hasmëri në shoqërinë tonë.
Nuk është kjo Shqipëria që duan shqiptarët. Shqiptarët duan punë të ndershme, rend e siguri për familjet e tyre.
Shqiptarët do ta bëjnë Shqipërinë më të mirë. Shqipëria do të jetë më mirë, pa Edi Ramën.

Italia nxjerr blof policinë shqiptare për drogën

Mjaftojnë pak të dhëna për të kuptuar sa të dështuara apo falso janë përpjekjet e policisë shqiptare në luftën kundër drogës. Pak gramë drogë këtu e pak atje janë rezultatet e përditshme të punës së saj, edhe këto sa për të krijuar pak propagandë. Ndërkohë që sikurse duket nga aksionet e policisë italiane, Shqipëria është një burim gjigant droge.
Është interesante të kuptohet si arrin policia shqiptare të zbulojë pak gramë drogë të fshehura në çantat apo trupin e individëve të caktuar dhe nuk zbulon qindra kilogramë drogë që transportohet me mjete gjigante.
Por përveç mungesës së efikasitetit të punës së saj, ajo që ka rënë në sy muajt e fundit është se edhe kur kapen ngarkesa të mëdha droge ato janë kapur pothuajse të gjitha në pikat kufitare me Greqinë. Në portet dhe brigjet e Durrësit dhe Vlorës nuk kapet asnjëherë asgjë. Ndërkohë dihet se linja Shqipëri-Greqi është një linjë jo shumë e rëndësishme ndërkombëtare e trafikut të drogës, ndërkohë që linja Shqipëri-Itali është pjesë e një korridori kryesor ndërkombëtar të furnizimit të drogës drejt Europës Perëndimore, e cila kontrollohet nga grupet e organizuara kriminale.
Më poshtë janë të dhënat e policive shqiptare dhe italiane për tre javët e fundit.
22 korrik 2016:
Policia Kufitare e Kapshticës arreston një këngëtare të muzikës shqiptare që udhëtonte për në Greqi me 12 gramë kanabis sativa.
30 korrik 2016:
Policia italiane kapi ndërmjet brigjeve të Brindizit dhe Leçes një gomone të ardhur nga Shqipëria me 170 kg marijuanë, të cilën drejtuesit e braktisën për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë italiane.
5 gusht 2016:
Policia italiane kap në brigjet e Salentos një shtetas italian me 120 kg marijuanë, i cili vinte nga Shqipëria. Italiani kishte hyrë në ujërat shqiptare, ishte ngarkuar dhe po kthehej në Itali.
7 gusht 2016:
Policia e Vlorës kap një gomone bosh, e cila mendohet se përdorej për trafik droge.
12 gusht 2016:
Policia italiane kapi në ujërat pranë Pulias një gomone me 2 ton marijuanë, e cila vinte nga Shqipëria.

2400 plantacione droge më shumë se një vit më parë

Dy kolona anash

Sa më shumë detaje që zbardhen nga raporti i shërbimeve sekrete italiane dhe ato gjermane, për gjendjen e kultivimit të drogës kanabis sativa në vendin tonë, aq më shumë vërtetohet se e gjitha kjo që po ndodh në vendin tonë është e mirorganizuar dhe nën kujdestarinë e strukturave të rëndësishme të shtetit, posaçërisht policisë.
Situata është bërë aq shumë alarmante, saqë përveç shërbimeve inteligjente italiane dhe gjermane, në lojë janë futur edhe ato amerikane. Duket se tashmë është kuptuar, që i gjithë ky vërshim i kultivimit të drogës në Shqipëri është vepër e krimit të organizuar ndërkombëtar në bashkëpunim me atë shqiptar, të cilët duket se ka gjetur terrenin e duhur në Shqipëri, duke bashkëpunuar edhe me segmente të rëndësishme të shtetit.
Nga të dhënat që dalin nga raporti në fjalë, shfaqet një panoramë sikur vendi ynë është drejt një pushtimi të shpejtë nga trafikantët dhe krimi i organizuar. Gjatë këtij hetimi të hollësishëm, ka rezultuar që 15.83% e territorit të vendit ose rreth 4.500 kilometra katrorë sipërfaqe, po shfrytëzohet për kultivimin dhe përpunimin e drogës. E gjithë kjo industri, kaq shumë e përhapur, nuk ka shans që të funksionojë spontanisht. Bëhet fjalë për dhjetëra milion bimë, për të cilat fillimisht duhet të sigurohet fara, pastaj hapja e tokave apo serrave, ujitja, plehërimi etj. E gjitha kjo kërkon një ushtri të tërë punëtorësh. Nga ana tjetër gjatë gjithë kohës, që nga mbjellja, plantacionet, veçanërisht tani në fazën e pjekjes së bimës, kërkojnë ruajtje. Pra, kemi edhe një ushtri tjetër, të armatosur dhe të mirorganizuar.
Sipas raportit në fjalë, mafia e drogës ndihet aq shumë e paprekshme dhe e garantuar, saqë këtë vit po e kultivojnë lëndën narkotike edhe në tunele, ambiente të mbyllura, magazina, serra, si dhe laboratorë nëpërmjet energjisë elektrike. Të gjitha këto fare pranë qendrave urbane.
Lulëzimi i këtij krimi të organizuar, ka thyer edhe një rekord për vendin tonë kohët e fundit. Sipas hetuesve italianë dhe gjermanë, biznesi kriminal i kanabisit që qarkullon miliarda euro, për herë të parë e ka thyer murin e 1 mijë tonëve në vit. Një raporti i Guardia di Finanza-s, thotë se në Shqipëri në vitin 2015 kishte plot 1200 plantacione droge, kurse të dhënat për këtë vit janë, që kjo sipërfaqe të paktën është trefishuar duke nënvizuar 3600 të tilla.
“Shqipëria vijon të mbetet një prej prodhueseve kryesore të kanabisit në Europë. Destinacionet kryesore të tregtimit të kësaj lënde narkotike janë Greqia, Italia, Holanda, Hungaria, Republika Çeke, si dhe Austria. Megjithatë, kanabisi shqiptar tregtohet si një sasi të konsiderueshme edhe në Francë e në Gjermani. Trafikantët më të mëdhenj të kanabisit shqiptar në Europë janë ata marokenë, të cilët garantojnë transportin, si dhe shitjen në tregjet e kontinentit të vjetër. Në shumicën e rasteve, këta trafikantë bashkëpunojnë direkt me prodhuesit shqiptarë. Në terma të përgjithshme, raporti gjykon se europianët shpenzojnë çdo vit 24 miliardë euro për drogëra të jashtëligjshme. Zyrtarët kanë gjykuar se kjo shifër është shqetësuese dhe se është mjaft e nevojshme të merren masa sa më shpejt për të paralizuar rrjetet e trafikut të lëndëve narkotike”, konstatojnë të alarmuar në kulm shërbimet inteligjente ndërkombëtare.
Të thuash që e gjithë kjo që po ndodh në 4.500 kilometra katrorë të Shqipërisë, edhe në periferi dhe brendësi të qendrave urbane, mobilizimi i ushtrive të tëra punëtorësh dhe njerëzish të armatosur, po ndodh pa dijeninë dhe mbrojtjen e policisë, nuk ka naiv që ta besojë. Por rreziku më i madh është se për çfarë do të investohen më pas miliardat e fituara pas këtij operacioni gjigant mafioz. Për të dyfishuar 4.500 kilometrat që aktualisht kanë në zotërim, për të blerë edhe ato struktura të policisë dhe shtetit që ende nuk i kanë, apo për të kapur komplet qeverisjen e vendit?

40 fshatrat ku mbillet droga në Fier

Bashkia e Fierit
Libofshë
Gryk
Pishporo
Cave
Adë
Darëzezë
Kreshpan
Krapes
Vjosë
Gjorgos
Frakull
Qytetit i Fierit (kultivuar në serra)
Bashkia e Patosit
Dukas
Kuqan
Patos-Fshat
Bashkia e Rroskovecit
Kurjan
Vloshë
Ngjegjan
Mbers
Arapaj
Suk
Strum
Velmisht
Bashkia e Lushnjës
Dushk i Madh
Hysgjokaj
Karbunarë
Grabjan
Krutje e Sipërme
Thanasaj
Zhamë
Thanaj
Toshkëz
Mazhaj
Bashkia e Divjakës
Pylli i Divjakës
Anës lumit Shkumbin
Rremas
Bashkia e Mallakastrës
Kutë
Ninesh
Cerrile
Gjerbës

Në raportin më të fundit të shërbimeve sekrete italiane, gjermane dhe SHISH-it shqiptar, Qarku i Fierit konsiderohet ndër më problematikët për sa i përket lehtësisë që ka gjetur mafia e drogës për të kultivuar sipërfaqe gjigante me kanabis sativa.
Në raport theksohet se në tre vitet e fundit në Qarkun Fier, kultivimi i bimës narkotike ka marrë prioritet në të pesë bashkitë që përfshin ky qark: Bashkia Fier, Bashkia Patos, Bashkia Rroskovec, Bashkia Lushnjë dhe Bashkia Mallakastër. Nëse i referohemi territorit të kultivimit vitin e kaluar pothuajse i gjithë territori ka qenë i kultivuar me këtë lloj bime, por gjatë këtij viti rritja, ka qenë e jshtëzakonshme, theksohet në këtë investigim. Interesant për këtë qark është fakti, që policia nuk mund të nxjerë justifikime për këtë situatë, si në malësitë në veri dhe jug, pasi i gjithë territori është fushor dhe tejet i populluar.

Operacioni në Spanjë

Policia spanjolle ka zhvilluar një operacion masiv në Barcelonë dhe ka shkatërruar një organizatë droge që përbëhej nga shqiptarë dhe bullgarë. Sipas policisë spanjolle, grupi i drogës drejtohej nga shqiptarët, ndërsa bullgarët kryesisht ishin të angazhuar në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Autoritetet sekuestruan 38 kg heroinë të pastër, 8 kg kokainë dhe 50 kg kimikate të tjera që përdoreshin për përzierjen e lëndëve narkotike. Në prangat e policisë ranë 7 persona anëtarë të bandës së drogës. Baza e tyre ishte në një fshat të Barcelonës, ku kishin ngritur një laborator të sofistikuar për përpunimin e kokainës dhe heroinës. “Anëtarët e bandës kanë qenë të stërvitur ushtarakisht dhe kishin disiplinë të rreptë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e policisë spanjolle. Në këtë operacion të madh ka marrë pjesë edhe Europol dhe policia shqiptare, ndonëse nga kjo e fundit nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar për shqiptarët e arrestuar që drejtonin një organizatë droge në Spanjë. Emrat e këtyre të fundit nuk janë bërë të ditur. Ata kanë qenë prej disa kohësh nën përgjim nga autoritetet. Operacioni masiv në Spanjë është zhvilluar ditën e djeshme.

Trafikimi i drogës në kufirin greko-shqiptar
Policia greke po përballet me aktivitet të shtuar të narkotrafikantëve shqiptarë në brezin e kufirit tokësor mes të dy vendeve. Sipas policisë aktiviteti shtrihet që nga kultivimi i bimëve në anën greke, transportimi i marijuanës dhe së fundi edhe bllokimi i llojeve të forta të drogës si heroinë dhe kokainë. Policia greke e Gumenicës tha të enjten se bllokoi rreth 30 kilogramë marijuanë dhe arrestoi një shtetas shqiptar që e transportonte atë për në thellësi të vendit. Lënda narkotike ishte e papërpunuar, prodhim i këtij viti. Më herët policia e Janinës vuri në pranga tre barinj shqiptarë që dyshohet se kanë kultivuar sipërfaqe me marijuanë në brendësi të territorit grek. Operacionet e së enjtes pasojnë bllokimin javën e shkuar të dy sasive të tjera të marijuanës, njëra në rrugën Kakavijë-Janinë (50 kilogramë) dhe tjetra në zonën e Kastorias afër kufirit me rajonin e Korçës (110 kilogramë). Po të enjten policia shqiptare tha se goditi dy raste të trafikut të kokainës në Pikën e Kapshticës në kufi me Greqinë. Policia shqiptare arrestoi në flagrancë pesë të rinj shqiptarë që po udhëtonin drejt Greqisë pasi në bagazhet e tyre të dorës u gjetën sasi të vogla të dyshuara si kokainë. Aktiviteti i rritur i narkotrafikut në kufirin shqiptaro-grek lidhet, sipas oficerëve të antidrogës, me përmasat e kultivimit të marijuanës në Shqipëri dhe sidomos në Jug. Sipas ekspertëve shqiptarë të policisë trafikantë të fuqishëm po rizgjojnë rrjetet e shpërndarjes në këtë moment kur ka nisur mbledhja dhe përpunimi i marijuanës. Greqia është destinacioni kryesor i marijuanës shqiptare, e cila transportohet si përmes brezit të gjelbërt të kufirit, pikave të kalimit dhe hapësirës detare mes të dy vendeve.

Artikulli paraprakMbyllja e dosjes “CEZ” hedh dritë mbi negociatat “sekrete” të qeverisë shqiptare
Artikulli tjetërZbardhet kartela mjekësore e Jorgo Zanit