Në orët e fundit po zbardhen edhe detaje nga marrëveshja finale mes VV dhe LDK, ku njoftohet se kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij.
Si duket kjo do jetë lëvizja e radhës e cila do ti hapë rrugë formimit të një koalicioni qeverisës mes partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas burimeve të Express, pasi ta braktisë postin e kryeparlamentarit, Konjufca, ish-shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, do të marrë postin e ministrit të Jashtëm.
Më herët, kreu i VV-së, Albin Kurti, e kishte propozuar Blerim Rekën për postin e ministrit të Jashtëm.
Pjesë e marrëveshjes do jetë edhe Vjosa Osmani, ku me largimin e Konjufcës, Osmani pritet të jetë në krye të Kuvendit.
Sipas të gjitha gjasave, të hënën, Partia e Albin Kurtit dhe subjekti që udhëhiqet nga Isa Mustafa, do ta bëjnë qeverinë.
Më 3 shkurt, e hënë, është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.
Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.
Kurti mori më 20 janar mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.
Kërkesa e tij u bë teksa ende nuk është arritur marrëveshja e pritur me LDK-në për formimin e qeverisë.