I çmenduri, çmendi vendin, alarmi, po ikin edhe njerëzit e shtresës së mesme dhe të lartë

Sektori i shitjeve me pakicë vijoi të ishte në një garë të fortë për klientë në vitin 2019, duke parë një ‘ashpërsim’ krahasuar me vitin paraprak. Fituesit ishin padyshim qendrat tregtare, kundrejt dyqaneve të vogla, të cilat panë edhe një ndryshim stoku në fund 2018 dhe fillim 2019.

Dallimi vijon të mbetet ndërthurja e konceptit të shitjes me argëtimin. Rritja e numrit të qendrave tregtare ka ashpërsuar luftën mes tyre. Në “kërkim” të blerësve, ato zgjedhin forma të ndryshme marketingu për të qenë konkurruese.

Dyqanet në rrugët kryesore tregtare përpiqen të mbijetojnë duke ofruar ulje të herëpashershme. Jo pak prej tyre nisën mbylljen gjatë 2018, vijuan edhe në 2019, edhe nën efektin e futjes në TVSH për bizneset e vogla.

Investimet në qendrat tregtare në Shqipëri janë zgjeruar me shpejtësi që pas vitit 2005, kur u hap Qendra Tregtare Univers (QTU), në periferi të kryeqytetit. Vetëm në Tiranë ka aktualisht 16 qendra tradicionale tregtare, 4 prej të cilave janë në periferi. Tirana East Gate (TEG) dhe Qendra Tregtare Univers (QTU) mbeten qendrat tregtare më të mëdha në Shqipëri. Tirana Ring Center (TRC) ndodhet në zonën perëndimore të qytetit. Toptani Shopping Center ndodhet në zëmër të kryeqytetit, pozicioni i së cilës lakmohet nga kalimtarët dhe turistët. Qendra tjetër tregtare, City Park, mbylli shumë dyqane të saj në vitin 2019, ndërsa marketon hapjen e supermarketit Big Market si asetin kryesor për momentin.

Ndryshimi në stokun e hapësirës së shitjeve me pakicë është shtimi me 14,000 m², pas rikonstruksionit të Qendra QTU, duke arritur një total prej 41,000 m². Në total, stoku arriti në 216,000 m².

Por, konsumi po vuan pasojat e emigrimit, dhe muajt e fundit dhe të tërmetit.
Menaxherja ekzekutive e Colliers Albania, Stela Dhami, thotë për “Monitor” se vihet re një ulje e numrit të konsumatorëve për shkak të emigrimit të lartë jashtë Shqipërisë këto vitet e fundit të individëve që i përkasin shtresës së mesme e të lartë, e cila është edhe shtresa kryesore që nxit konsumin.

Ndërsa përfaqësues të sektorit të retail shtojnë se mallrat e luksit do të pësojnë ndikimin më të madh gjatë këtij viti për shkak të fatkeqësisë së tërmetit dhe më pak produktet ushqimore. Julian Mane, zv. President i grupit Balfin thotë për Monitor se, shumë sektorë i kanë ndjerë efektet dhe do vazhdojnë t’i ndjejnë në muajt në vazhdim .

“Emigrimi po jepe efekte në konsum”
Flet Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers Albania

Si ka qenë sektori i shitjeve me pakicë në qendra tregtare në 2019?
Sektori i shitjeve me pakicë vazhdon të ketë një performancë të qëndrueshme si në vitet e tjera, megjithatë duhet theksuar se vihet re një ulje e numrit të konsumatorëve për shkak të emigrimit të lartë jashtë Shqipërisë këto vitet e fundit të individëve që i përkasin shtresës së mesme e të lartë, e cila është edhe shtresa kryesore që nxit konsumin. Qendrat tregtare në vend vijojnë që të konkurrojnë njëra tjetrën duke sjellë pranë konsumatorit shqiptar marka të qëndrueshme edhe të reja, të cilat mbulojnë kërkesat e tyre çmim/cilësi.

Mbeten me interes edhe zhvillimet gjatë festave të fund vitit ku qendrat tregtare luajtën një rol të rëndësishëm në rritjen e ofertës së vërtetë për konsumatorët. Vihet re që kompanitë e shitjes me pakicë ndërkombëtare aplikojnë të njëjtat fushata të uljeve ndërkombëtare njësoj si në të gjitha vendet e tjera të botës, që nxit hyrjen e konsumatorit në këto qendra.

Si ka vijuar të jetë qiraja e dyqaneve të tregtisë me pakicë, kryesisht në qendrat tregtare?
Qiraja ka vijuar që të qëndrojë në nivele të ngjashme me ato të vitit të kaluar duke pasur parasysh se niveli i stokut të mirëfilltë të qendrave tregtare nuk ka ndryshuar. Qiradhënia në këto qendra vazhdon rregullisht dhe disa prej tyre janë të dhëna me qira 100%. Mbetet në interesin e qendrave tregtare që në të ardhmen të ndryshojnë edhe miksin e qiramarrësve e të sjellin marka të mirëfillta ndërkombëtare të cilat të kenë mundësinë të rrisin cilësinë e produkteve që tregtohen në këto qendra.

Po hoteleria çfarë zhvillimi mendohet të ketë në vitin 2020? Në 2019 dëshmuam disa hapje të reja
2019 ishte një vit interesant për hotelerinë sepse solli ardhjen e disa grupeve hoteliere në Shqipëri të interesuar për të zhvilluar biznesin e tyre në tregun e fundit me pak të zhvilluar të Mesdheut.

Këto marka kanë shprehur interes për të bashkëpunuar me investitorë vendas në projekte hotelerie që do të ndihmojnë në rritjen e një stoku serioz të hotelerisë, i cili bashkë me një mirë menaxhim të këtyre strukturave do të ndihmonte për rritjen e qëndrueshme të turizmit në vendin tonë. Riviera mbetet interesante në planin afat mesëm dhe afatgjatë sepse aktualisht mungon një aeroport në Jug, i cili do ta lehtësonte shumë këtë sektor dhe përben dhe një prej kërkesave kryesore nga markat hoteliere.

Tërmeti i trishtë i 26 Nëntorit fatkeqësisht nuk do ta lërë pa pasoja edhe këtë sektor sepse shumica e markave pikërisht shprehin interes për korridorin Tiranë-Durrës. Tirana pritet që të vazhdojë të ketë interes po me ritme rritjeje më të ulëta, ndërsa Durrësi do të kërkojë edhe një ekspertizë edhe më të theksuar nga niveli i markave përsa i përket investitorëve, llojit të terrenit ku do të ndërtohet objekti etj.

Cilët janë zhvillimet e pritshme për 2020?
Sektori i zyrave do të ketë rritje në stok në 2020, pritet lëvizje nga ana e qiramarrësve në këto godina të reja, por shpresojmë që do të hyjnë në treg me politika koherente me tregun e çmimeve të cilat sipas analizave rajonale të Colliers International, mbeten nder me të lartat për m2 në gjithë rajonin e Ballkanit.

Në sektorin e qendrave tregtare nuk pritet ndonjë ndryshim thelbësor sepse edhe niveli i ri i stokut komercial që do të hyjë në treg do të jetë në godina multi funksionale i vendosur në disa kate, me disa përdorime dhe jo qendra të mirëfillta tregtare. Këto hapësira priten që të jenë në shitje dhe jo me qira. Menaxhimi i tyre do të jetë individual dhe jo i përbashkët siç është në rastin e qendrave tregtare.

A mendohet se sektori i retail do të preket nga tragjedia e tërmetit?
Sektori i shitjeve me pakice në qendrat tregtare nuk pritet që të ketë ndonjë ndikim nga tërmeti. Megjithatë sektori i cili po ndjen një ndikim të menjëhershëm në qytete si Tirana dhe Durrësi është ai rezidencial, ku vihet re një rritje kërkesash për hyrje në kate më të ulëta në godina rezidenciale shumë kateshe. Po ashtu vihet re edhe një shtesë kërkese për kërkesa trojesh në periferi të Tiranës ku çdo blerës mund të ketë mundësinë që të zhvillojë projektin e tij rezidencial.

“Mallrat e luksit do të ndjejnë pasojat e tërmetit gjatë këtij viti”
Flet Julian Mane, zv.president i grupit Balfin

Si ka qenë ecuria e shitjeve me pakicë në 2019? Cilët sektorë panë rritje? A vijon veshjet dhe elektronika të kryesojnë në shitje?
Shitjet gjatë vitit 2019 kanë mbajtur përgjithësisht të njëjtin ritëm si gjatë 2018. Sigurisht që ecuria ndryshon nga industria dhe disa sektorë si ai ushqimor kanë pasur rritje të ndjeshme si nga dyqanet aktuale ashtu dhe prej ekspansionit.

Përsa i përket sektorit të veshmbathjeve, strategjia e grupit Balfin është që të fokusohet kryesisht tek qendrat tregtare dhe në Tiranë pasi në rrethe për shkak të fuqisë blerëse dhe informalitetit të lartë është e vështirë për në që të operojmë me sukses.
Elektronika ndërkohë ka rritje të ndjeshme në numrin e artikujve të shitur por duke qenë se çmimi mesatar i televizorëve ka rënë ndjeshëm, rritja në sasi nuk përkon me rritjen në vlerë.

Cilët ishin vështirësitë kryesore të sektorit këtë vit?
Si dhe vitet e kaluara pengesa kryesore për zhvillimin e ekonomisë mbetet informaliteti i cili vazhdon të jetë në nivele të larta dhe pak bëhet për ta luftuar. Nga ana tjetër situata politike e tensionuar gjatë gjysmës së parë të vitit ka pasur një ndikim negativ në shitje deri në muajin Qershor. Gjysma e dytë e vitit ka pasur ritëm të mirë në shitje deri në fund të Nëntorit kur fatkeqësisht ndodhi edhe tërmeti.

A mendoni se tragjedia e tërmetit mund të ketë ndikim në frenimin e blerjeve?
Sigurisht që fatkeqësitë natyrore të përmasave të tilla nuk mund të kalojnë pa pasur efekt negativ në ekonomi. Shumë sektorë i kanë ndjerë efektet dhe do vazhdojnë ti ndjejnë në muajt në vazhdim. Përgjithësisht në raste të tilla rënien më të madhe e pësojnë mallrat e luksit apo të shtrenjtë dhe disi më pak produktet ushqimore.

Por këto janë faktorë të cilët nuk i parashikon dot dhe e rëndësishme për biznesin në këto momente është që të ndihmojnë sadopak në zbutjen e pasojave për të prekurit dhe të shikojnë përpara me optimizëm.

Si pritet viti 2020? Çfarë planesh investimi keni? Po marka të reja a do të hynë në Shqipëri?
Për vitin 2020 në parashikojmë që 6 mujorin e parë do të vazhdojnë të ndihen efektet negative të tërmetit në ekonomi dhe shpresojmë që në 6 mujorin e dytë trendi të jetë pozitiv për shumë nga sektorët ku në operojmë.

Qendrat tregtare TEG dhe QTU kanë rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve dhe ky trend pritet të vazhdojë.
Grupi Balfin po shqyrton mundësinë dhe të zgjerimit të këtyre qendrave duke qenë se kërkesa e bizneseve për të qenë të pranishme aty po shtohet.

Jumbo hapi në muajin Gusht 2019 dyqanin e saj të parë në Malin e Zi dhe do të vazhdojë ekspansionin në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje Hercegovine dhe Kosovë.

Neptun do të vazhdojë zgjerimin në Shqipëri në konceptin “franchise” dhe po shikon mundësitë e hapjes në rajon në shtete si Bosnje Hercegovina dhe Kroacia, pasi në shtetet ku operojmë aktualisht si Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë, ka një pozicion mjaft dominant në treg dhe mundësitë e rritjes janë të pakta.

Spar nga ana tjetër do të fokusohet kryesisht në hapjen e dyqaneve me sipërfaqe nga 1000-3000 m2 dhe jo shumë në dyqane të vogla.

“Monitor”

Artikulli paraprakZëri i Amerikës: Rama padit kundërshtarët politikë dhe…
Artikulli tjetërVdekja e Andon Mëhillajt në burg, zbardhen detaje të reja