Me kapërcimin e kufijve të Kinës nga virusi vdekjeprurës, njerëzit në të gjithë botën janë mbërthyer nga paniku. Edhe evropianët tani i janë drejtuar farmacive për blerjen e maskave mbrojtëse, në përpjekje për tu mbrojtur nga virusi i frikshëm.
Qëllimi kryesor i maskës së fytyrës është të mos lejojë hyrjen në hundën apo gojën tuaj të spërklave të pështymës së një njeriu të infektuar gjatë një kollitjeje apo tështitje të tij.
Mbajtja e një maske të tillë mund t’ju mbrojë nga sëmundja nëse jeni në kontakt të afërt me dikë që është i infektuar dhe gjithashtu mund të pengojë përhapjen e infeksionit nga ju, nëse jeni të sëmurë.
Maskat e fytyrës mund të ndihmojnë gjithashtu në parandalimin e transmetimeve virale nga dora në gojë, sepse ju nuk mund ta prekni direkt gojën tuaj nëse keni vënë një të tillë.
Megjithatë, virologët theksojnë se ato (maskat kirurgjikale) nuk mund t’ju mbrojnë nga viruset që përhapen nëpërmjet ajrit.
Për këtë rast do t’ju duhet një respirator, një lloj maske mbrojtëse që ju mbron nga 95% e grimcave që qarkullojnë në ajër. Respiratorët (ose ndryshe N95) mbulojnë plotësisht gojën dhe hundën tuaj, por janë të vështira për t’u vënë sepse kanë një proces pak më të ndërlikuar vënie.
A mund t’i parandalojnë respiratorët infeksionet virale?
Përgjigjia e kësaj pyetjeje është po, por efekti ekzakt është e vështirë të tregohet. Studimet kanë treguar se respiratorët janë shumë efektivë në parandalimin e sëmundjeve virale, por vetëm në personat që i vendosin ato siç duhet.
Plus që dhe nëse vini këtë lloj maske duhet të vazhdoni të kryeni veprimet e tjera parandaluese si larja e shpeshtë e duarve, mos prekja e hundës apo gojës dhe shmangia e personave të sëmurë.
Por nëse nuk keni mundësi të përdorni një respirator, nje maskë kirurgjikale do të mjaftojë. Do të jeni më pak të mbrojtur ndaj viruseve që përhapen nëpërmjet ajrit port ë paktën nuk do të jeni plotësisht të ekspozuar. Kjo maskë plus dhe veprimet e tjera parandaluese që u përmendën dhe më sipër do t’ju sigurojnë një mbrojtje të mirë.