Tani, anëtarja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Britania e Madhe po ndjek rrugën e saj. Çfarë do të thotë kjo për peshën strategjike të Evropës në botë?
Bashkëpunimi midis BE-së dhe Britanisë së Madhe me të vërtetë nuk ka qenë gjithmonë i lehtë në dekadat e kaluara. Gjë e cila dilte në pah dendur edhe në në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Londra konsiderohej më shumë frenuese dhe bllokuese, kur bëhej fjalë për të thelluar bashkëpunimin ushtarakisht, për shembull.
Nga ana tjetër, me Britaninë e Madhe po largohet nga BE një peshë e rëndë politike. Eurodeputeti i Aleancës 90/Të Gjelbërve Reinhard Bütikofer, pra, e sheh BE të dobësuar pas Brexit-it: “Në fund të fundit, britanikët janë një vend me diplomaci me shumë përvojë, britanikët kanë një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, britanikët kanë vënë deri tani në dispozicion burimet më të mëdha nga të gjitha vendet e BE për sa i përket kapacitetit ushtarak.”
Bütikofer kërkon një marrëdhënie të ngushtë dhe të ekuilibruar me britanikët pas largimit të tyre. Dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell kohët e fundit tha në një intervistë televizive se bashkëpunimi në politikën e sigurisë është me interes të ndërsjellë. Ai tha se të dyja palët kanë shumë pozicione të përbashkëta në skenën globale. Dhe ka shumë tema ku duhet bashkëpunuar. Nga sanksionet deri tek çështjet strategjike, te shërbimet sekrete, te lufta kundër lajmeve të rreme dhe luftës kibernetike
Pas 31 janarit ekziston vetëm shprehja e vullnetit të mirë
Se sa fort do të qëndrojnë në fund të lidhur BE dhe Britania e Madhe, kjo aktualisht është ende e paqartë.Në deklaratën politike, të cilën e kanë nënshkruar të dyja palët krahas marrëveshjes së divorcit, ka vetëm shprehje qëllimi e fjalë të vullnetit të mirë. Britanikët p.sh. duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në projekte të rëndësishme ushtarake ose të vazhdojnë të marrin pjesë në misionet ushtarake të BE-së. Këtë e mbështet eurodeputeti David McAllister i CDU-së.
“Oferta mbetet. Por e qartë është edhe, se një vend që largohet nga Bashkimi Evropian nuk mund të jetë vendi kryesor në këto misione, pra një udhëheqje britanike nuk do të ishte më e përfytyrueshme”, thotë McAllister.
Britania e Madhe pas Brexit-it bëhet një vend i tretë. Si rezultat, për të do të zbatohen rregulla të ndryshme nga ato të anëtarëve të BE-së, thotë Fabian Zuleeg nga Qendra Kërkimore Evropiane e Politikave Evropiane. “BE me siguri nuk do ta lejojë Britaninë në organet vendimmarrëse dhe kjo do të thotë se Britania duhet të ndjekë rregullat evropiane, pa pasur të drejtë bashkëvendosjeje.”
Deri në çfarë mase do të jenë të gatshëm britanikët ta bëjnë këtë, kjo është një nga të panjohurat. Dhe nga ana tjetër, sa lëshime mund të bëjë BE. Kështu që pritet që negociatat të jenë të vështira. Edhe kur bëhet fjalë për bashkëpunimin e ardhshëm midis shërbimeve sekrete dhe policisë, thotë Fabian Zuleeg. “Këtu një nga çështjet e mëdha është si do t’i trajtojmë të dhënat, kur shkëmben informacione, ato do të përfshijnë edhe të dhëna personash.
Kjo duhet të bëhet sipas rregullave të rrepta evropiane. Mendoj se këtu do të ketë shumë nevojë për të negociuar për të gjetur një rrugëdalje, si mund të anashkalohen këto pengesa”. Sidoqoftë, ekspertët mendojnë se politika e jashtme dhe ajo e sigurisë mund të spostohen pas në negociatat midis BE dhe Britanisë së Madhe. Dhe ato mund të vihen pas marrëdhënieve të ardhshme ekonomike.