Përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve deklarojnë se për të blerë një banesë në kryeqytet duhet të paguash 14-16 për qind më shumë se në vitin 2015. Sipas tyre, ky është reagimi i tregut të pasurive të paluajtshme lidhur me taksat e shtuara të aplikuara nga Bashkia e Tiranës, të cilat hynë në fuqi në mars 2016. Por kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ka një justifikim origjinal për këtë rritje të pazakontë të çmimeve të apartamenteve. Në një dalje publike, transmetuar nga televizionin “Top Channel”, Veliaj u shpreh se çmimi është rritur për shkak të investimeve që ka realizuar Bashkia e Tiranës në infrastrukturën e zonave urbane të kryeqytetit. Sipas tij, “…nëse vazhdojmë të bëjmë investime, vazhdojmë të vëmë asfalt, ndriçim, bëjmë parqe për të moshuarit, kënde lojërash për fëmijët dhe gjithë infrastruktura moderne, rezultati duket menjëherë tek vlera e pronës që rritet. Pra, dikush thjesht sepse ka pasur një bashki në krye të punëve, ka sot një pronë që i vlen shumë më shumë se ç’i vlente një vit më parë. Por që kjo të mbetet e tillë, duhet t’i ruajmë investimet”. “Boldnews.al” raporton se realiteti duket shumë më ndryshe se sa mundohet të paraqesë Veliaj me notat e optimizmit që shfaqet në publik. Në fund të dhjetorit 2015, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi propozimin e kryebashkiakut për të rritur nivelin e taksave. Në vendimin nr. 59, dt. 30.12.2015, ndër të tjera, përcaktohet se taksa për ndërtesat për bizneset e mëdha, ku përfshihen edhe shoqëritë e ndërtimit, bëhet 440 lekë për m2, nga 280 që ishte më parë. Kjo rritje e ndjeshme e taksës u kundërshtua si nga opozita në Këshillin Bashkiak, ashtu edhe nga Shoqata e Ndërtuesve. Këto dy grupime parashikuan se kjo rritje e ndjeshme e taksës së ndërtesës, do të rriste në mënyrë të menjëhershme çmimet e apartamenteve në Tiranë. Kundërshtimet e opozitës dhe grupeve të interesit nuk u mbështetën nga shumica në Këshillin Bashkiak. Gjatë 3 tremujorëve të vitit 2016, çmimet e banesave në të gjithë territorin e Bashkisë së madhe të Tiranës kanë njohur rritje progresive. Deri në prill 2016, çmimet e apartamenteve u rritën me 4-6 për qind krahasuar me një vit më parë. Në fund të qershorit, çmimet pësuan edhe një rritje 3-4 për qind më shumë. Në fund të gushtit, rritja ka shkuar deri në 16 për qind më tepër se viti 2015. Për çdo apartament të pashitur, ndërtuesit kanë paguar një taksë më të lartë për m2 gjatë vitit 2016. Kjo ka sjellë që çmimi që ofrohet për blerësit të jetë më i lartë se një vit më parë. Aktualisht, llogaritet se në Tiranë janë ende të pashitura rreth 30 për qind e apartamenteve të përfunduara. Duke shtuar edhe taksën e rritur të Bashkisë, tregu i pasurive të paluajtshme po vijon të jetë në një krizë të thellë. Erion Veliaj premtoi gjatë fushatës elektorale për zgjedhjen në krye të Bashkisë së Tiranës se do të gjente një zgjidhje të shpejtë dhe efikase për të zhbllokuar tregun e apartamenteve në Tiranë. Në këtë sfidë të deklaruar prej tij, ai u mbështet fuqishëm nga Kryeministri Edi Rama. Por, në mbyllje të vitit të parë si kryebashiak i kryeqytetit, Veliaj, jo vetëm që nuk prezantoi zgjidhje, por shtoi problematikën. Tashmë çmimet e apartamenteve janë rreth 16 për qind më të shtrenjta dhe trendi rritës pritet të vijojë edhe më tej. Megjithatë, Veliaj e ka zgjidhjen e tij, të paktën në media. Ai e konsideron rritjen e çmimeve të apartamenteve si një arritje të investimeve publike. E vërteta është shumë e thjeshtë. Ajo gjendet tek taksat e rritura, por kjo është një temë, e cila nuk duhet trajtuar nga Erion Veliaj. Për më tepër, ajo duhet mohuar sa më shumë të jetë e mundur. Dhe këtë mohim publik e arrin ta bëjë, ku më mirë, se sa në televizionin “Top Channel”.
Kryesore
Continue to the categoryAtentati në Shkodër, Basha: Ngjarja tregon dorëzimin e shtetit para bandave...
Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar për atentatin e fundit në Shkodër, duke e cilësuar situatën si një alarm për qytetarët.
Në...