Diskriminimi i qeverisë, Shkodra merr më pak fonde se Maliqi dhe Roskoveci

Prej 2014-s kur prezantoi Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, Kryeministri Edi Rama publikon vazhdimisht foto të qendrave të rikonstruktuara, shkollave të meremetuara apo segmenteve rrugore të asfaltuara në qytete të ndryshme të vendit. Me ndonjë përjashtim të rrallë, Shkodra i mungon katalogut të “Rilindjes urbane” të Kryeministrit.
Bashkia më e madhe e Veriut të Shqipërisë, e drejtuar nga demokratja Voltana Ademi gjendet thuajse në fund të listës së financimeve që burojnë nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, i cili vlerëson projektet urbane dhe vendos nëse do t’i përzgjedhë ose skualifikojë ato.
Në një raport të saj që “BIRN” e disponon, Bashkia e Shkodrës ankohet se gjatë vitit 2016 ka përfituar shumë herë më pak para se bashkitë e kategorisë së parë, të drejtuara nga kryebashkiakë të majtë. Sipas raportit, fondet e alokuara nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve për Shkodrën kanë qenë thuajse të barabarta me ato që kanë përfituar bashkitë Maliq, Ura Vajgurore, Finiq apo Belsh.
Gjithashtu, Shkodra qëndron pas bashkive Patos, Roskovec apo Vorë, sa i përket fondeve të përfituara nga KZHR.
Kryebashkiakja Voltana Ademi i tha “BIRN” se, bashkia që ajo drejton është lënë krejtësisht jashtë skemave, duke mos përfituar asnjë financim, ndryshe nga bashkitë e tjera që janë ndihmuar në fusha si arsimi, shëndetësia, infrastruktura apo në fondin e “Shqipërisë Dixhitale”. Për të gjitha këto fusha, Ademi thotë se ka paraqitur projekte, të cilat janë injoruar më pas.
“Shifrat janë kokëforta, bëhet fjalë për një qasje të pastër politike”, thotë Ademi.
“Fatkeqësisht ne nuk kemi qenë të barasvlefshëm njësoj në vlerësim nga qeveria”, shtoi ajo.
Ndarja e parave sipas përkatësisë partiake të kryebashkiakëve është një traditë e vjetër e qeverisjes në Shqipëri. “BIRN” zbuloi nga një investigim i nëntorit të kaluar se më 2014, nga të 72 projektet e financuara, 63 i fituan bashkitë e majta dhe vetëm 4 u fituan nga bashkitë e djathta. Ndërkohë që më 2015 nga 27 projekte, vetëm 3 u fituan nga bashkitë e djathta, ndërsa 24 nga e majta.
Shkodra, e cila qe deri më 2005 jashtë vëmendjes së qeverisë, e parë si bastion i së djathtës, pati një periudhë investimesh në dy mandatet e qeverisjes së Sali Berishës dhe duket se është kthyer sërish në fund të listës preferenciale, krahasuar me 11 qendrat e tjera të qarqeve.
Nga të dhënat që kjo bashki i ka vënë në dispozicion “BIRN”, ajo rezulton se ka marrë vetëm 102.7 milionë lekë prej gati 14 miliardëve që janë shpërndarë për 2016 nga KZHR deri në fillim të gushtit të këtij viti.
Të dhënat e siguruara tregojnë se Shkodra ka marrë 20 herë më pak fonde se Tirana, 9 herë më pak se Korça dhe Durrësi, 7 herë më pak se Elbasani dhe 5 herë më pak fonde se Saranda dhe Divjaka.
Përveç treguesve në shifra, Bashkia e Shkodrës ankohet gjithashtu për mungesën e transparencës. Sipas saj, KZHR vijon të mbajë të fshehtë kriteret me të cilat zgjidhen apo refuzohen projektet e propozuara prej pushtetit vendor.
Transparenca e përzgjedhjes së projekteve fituese mungon dhe qeveritë, siç i rezultoi “BIRN” më 2015, nuk informojnë arsyet e refuzimit.
Ademi dhe drejtues të Bashkisë së Shkodrës kanë qenë gjithashtu të ashpër edhe me deputetët e zonës. Drejtuesit e Bashkisë më të madhe në Veri pretendojnë se edhe pse u është kërkuar mbështetje, përfaqësuesit politikë të majtë apo të djathtë nuk kanë bërë asgjë deri më tani.
“Kemi marrë pjesë në çdo tryezë dhe kemi ngulmuar me argumente dhe në mënyrë serioze e korrekte nevojat për investime, pa dashur që për hir të politikës të marrim ndonjë dënim. Është larg mendsh që në vitin 2016 të ndodhë diçka e tillë”, thotë e revoltuar Ademi.
Lidhur me ankesat e kryebashkiakes së Shkodrës, “BIRN” iu drejtua me disa pyetje zyrës së shtypit të Kryeministrit, por nuk mori asnjë përgjigje.
Bashkia e Shkodrës nuk është e vetmja që ka denoncuar ndarjen e fondeve për zhvillimin e rajoneve sipas përkatësisë partiake. Bashki të tjera të drejtuara nga të djathtët si ajo e Lezhës, Pogradecit apo Kukësit kanë dalë edhe më të humbur nga ndarja e tortës për të ashtuquajturën “Rilindja urbane”.
Me probleme të ngjashme po përballet edhe Bashkia e Vau Dejës, po ashtu e fituar nga koalicioni i djathtë. Kryetari i kësaj bashkie, Zef Hila i tha “BIRN” se kjo bashki në tre vitet e fundit nuk ka përfituar asnjë projekt apo grand për fermerët.
“Problematikat janë të mëdha. Ne nuk jemi përfshirë në asnjë projekt fitues, as nga Ministria e Bujqësisë dhe as nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve”, tha Hila.

Artikulli paraprakMinistri i Brendshëm italian: Lidhjet e “Sacra Corona Unita” me Shqipërinë
Artikulli tjetërTrafikanti i Krujës nëntëfishon taksat