Ylli kosovar i Werder Bremenit, Milot Rashica, është vlerësuar nga Transfermarkt si lojtari me vlerën më të madhe nga lojtarët e Kosovës, Shqipërisë, si dhe lojtarët e Kombëtareve të tjera që kanë prejardhje shqiptare.
Që prej vitit 2015 kur doli nga Kosova në Evropë për të luajtur futboll, vlera e Milot Rashicës në treg është rritur vazhdimisht, falë formës së mirë që ai ka shfaqur me ekipin kombëtar të Kosovës dhe me klubet e tij – fillimisht Vitesse e tani Bremeni.
Paraqitjet e mira të Rashicës bëjnë që ai të ketë ngjallur interesim të madh nga disa klube të mëdha evropiane. Megjithatë, askush s’do ta ketë të lehtë t’i sigurojë shërbimet e kosovarit, për të cilët janë në garë disa klube dhe që vlerësohet me 31.5 milionë euro.
Shifra prej 31.5 milionë eurove bën që Rashica të jetë lojtari me origjinë shqiptare më i vlefshëm për momentin në futboll, duke lënë prapa vetes edhe lojtarë të njohur në Evropë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Thomas Strakosha.
Granit Xhaka, që luan si mesfushor për Arsenalin dhe për Kombëtaren e Zvicrës, vlerësohet me 27 milionë euro dhe vlera e tij ka rënë së fundi, veçanërisht pasi e humbi vendin në skuadër në fund të periudhës së Unai Emeryt si trajner në Emirates.
Vlerë më të vogël se Rashica ka edhe Shaqiri në treg. Ky i fundit, përkundër që vitin e kaluar fitoi medalje të artë të Ligës së Kampionëve dhe këtë vit triumfoi në Kupën e Botës për Klube me Liverpoolin, vlerësohet me 19.8 milionë euro për shkak të minutave të paktë të lojës.
Në anën tjetër, vlerë mjaft të madhe në treg ka edhe portieri i Kombëtares së Shqipërisë dhe Lazios, Thomas Strakosha, i cili vlerësohet me 22.5 milionë euro dhe vlera e tij, ashtu si ajo e Rashicës, është duke u rritur.