Zgjedhjet paraprake të shtetit Ajova, prova e parë mes kandidatëve demokratë që synojnë të sfidojnë Presidentin Trump në zgjedhjet e nëntorit, ndeshi në probleme mbrëmë, ndërsa Partia Demokratike nuk ishte në gjendje të raportonte për rezultatet e votimit.
Zyrtarët e partisë thonë se vonesat janë shkaktuar nga një problem me sistemin elektronik të raportimit të shifrave nga qendrat e votimit dhe ata shpresojnë t’i nxjerrin rezultatet gjatë ditës së sotme. Zyrtarët janë duke krahasuar shifrat e raportuara në mënyrë elektronike me procesverbalet manuale.
Disa prej kandidatëve demokratë, pa humbur kohë, u nisën që herët të martën për në shtetin tjetër Nju Hampshër, shteti i radhës ku zhvillohen zgjedhjet paraprake.
Sido që të dalin rezultatet, difekti me numërimin e votave dhe çfarë e shkaktoi atë, pas muajsh të tërë fushate që kanë bërë kandidatët në këtë shtet she shumave të mëdha që kanë shpenzuar do të shihet si një dështim për degën e partisë për këtë shtet dhe do të ngrejë pikëpyetje rreth mënyrës si votohet në Ioëa që mburret duke qënë shteti i parë që çel siparin e votimeve paraprake.
Mbi 100 mijë përkrahës të partisë demokratike morrën pjesë mbrëmë në 1680 qendra votimi në gjithë shtetin. Në listë ishin 11 kandidatë demokratë.
“VOA”