Një program financuar me një vlerë 5 milionë euro nga një marrveshje e shtetit shqiptar me atë italian dhe që kishte në fokus fuqizimin e Qendrës Traumatologjike Kombëtare të Tiranës duket se është zbatuar, shoqëruar me një sërë shklejesh.
Raporti i Kontollit të Lartë të Shtetit vëren se problematika janë shfaqur qysh në fillesat e projektit kur sapo ishte nënshkuar marrveshja e financimit ku nga ana e autoriteteve shqiptare janë bërë ndryshime në projekt ende pa u ratifikuar marrveshja në Kuvend.
Këtë hap KLSH e konsideron të gabuar dhe ka rekomanduar që në rastet e marrveshjeve ndërkombëtare ndryshimet të bëhen vetëm pas kalimit të të gjitha hallkave të nevojshme ligjore.
Një tjetër element që KLSH sjell në vëmendje është ajo mbi shkallën e realizimit të objektivave dhe të komponentëve të projektit në krahasim me ato të përcaktuara në marrëveshjet me huadhënësit.
Auditimi ka konstatuar se projekti ka nisur zbatimin me vonesë dhe jo sipas kalendarit të paracaktuar.
“Nga auditimi rezultoi se ka patur vonesa të shumta në implementimin e programit të cilat kanë ardhur kryesisht nga pala shqiptare pasi, nga fillimi i tij deri në vitin 2014 për projektin nuk rezulton të jetë zhvilluar asnjë aktivitet për të vënë në lëvizje strukturat kompetente të cilat do të siguronin zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja pra, mund të themi se ky projekt për një periudhë të gjatë nuk ka funksionuar duke rezultuar në gjendje të fjetur edhe pse një vonese e tillë nuk ka pasur efekt financiar ka ndikuar në arritjen e objektivit kryesor të tij i cili është i vetëm dhe qëndron në përmirësimin e gjendjes së shëndetit të popullsisë shqiptare, në mënyrë të veçantë të popullsisë së prekur nga trauma, si dhe objektivave specifik të cilët kërkojnë të bëjnë më efiçentë e më efikasë veprimtarinë terapeutike të Qendrës Traumatologjike Kombëtare, duke rritur në këtë mënyrë ndikimin mbi shëndetin e popullsisë dhe njëkohësisht për të përmirësuar prognozën shëndetësore të pacientëve politraumatikë me pasojë uljen e paaftësive të përkohshme dhe të përhershme dhe të kostove që lidhen me to” vlerëson KLSH.
Po kështu KLSH nënvizon se nuk ka pasur një ndarje të qartë të komponentëve të projektit dhe shumat që kanë kaluar për secilin prej tyre.