Bota që na le Obama

Çfarë bote na le prapa Barack Obama? Një botë ndoshta më të keqe nga ajo që kishte gjetur. Sigurisht: farërat e frutave të helmuara që mbledhim sot janë hedhur edhe nga administratat e mëparshme – Bushët babë e bir, Clinton – nga këshilltarët e tyre, nga shpura analistësh dhe strategësh që pas vitit 1989 kanë projektuar dhe realizuar kaosin botëror për t’i shërbyer dominimit amerikan. Nga Madeleine Albright tek Zbigniew Brzezinski, duke kaluar nëpër autorë më pak të njohur për publikun, por po aq të dëgjuar në qarqet ushtarake amerikane si Robert Haddick (dhe ftesat eksplicite të tij për destabilizimin e brendshëm të fuqive kundërshtare), natyra destabilizuese e politikës së forcës amerikane duket e bashkëngjitur me nevojën për të ruajtur predominimin neokolonial dhe neoimperialist mbi planetin – ndëshkim humbja e influencës së dollarit.
Kështu që mos të lundrojmë në naivitet: bota është sot një vend më i keq për të gjithë, përveçse për Shtetet e Bashkuara dhe elitat financiare mbikombëtare që dominojnë globalizimin. Barack Obama ka qenë ekzekutues i përkryer i një strategjie amerikane që është kombëtare dhe që shkon përtej përkatësisë në rreshtimet demokrate apo republikane: ose Amerika është imperialiste, ose nuk është.
Dominimi gjeoekonomik amerikan i planetit i dedikohet tregut më efikas dhe më të zgjeruar të kapitaleve në botë dhe ekonomisë me përqindjen më të lartë të novatorizmit teknologjik; por a munden këto dy gjëra të ekzistojnë pa dollarin, monedhë mbret e planetit dhe ky i fundit të ekzistojë si i tillë pa fuqinë luftarake amerikane?
Çdo imperializëm ekonomik është i detyruar që të jetë edhe ushtarak dhe anasjelltas: në rast të kundërt, fuqia ekonomike nuk mund as të imponohet, as të mbrohet dhe ajo ushtarake nuk mund të përballohet (Venediku nuk qe fuqi ushtarake dhe Bashkimi Sovjetik nuk qe fuqi ekonomiko–financiare: të dyja e paguan një gjë të tillë me çmim të lartë, atje ku Perandoria Romake lulëzoi pikërisht deri kur qe të dyja gjërat). Deri kur të mbetet monedhë ndërkombëtare, dollari mund të pritet ad libitum pa u inflacionuar dhe kinezët janë të detyruar ta mbështesin për të mbështetur tregun e madh derdhës të produkteve të tyre.
Hegjemonia gjeokonomike ka gjithmonë një dimension tregtar, detar. Qe kështu për grekët, për romakët, për britanikët. Perandoria ushtarake që dëshiron të bëhet hegjemone pa fituar primatin ekonomik, ose duke u nxjerrë jashtë nga rrugët e mëdha detare (ose më keq akoma, duke hequr dorë prej tyre) rrezikon që të vdesë prej asfiksisë dhe embargos, për mbledhje në vetvete, prej humbjes së pjellorisë teknologjike dhe të shkëmbimeve: kemi parasysh këtu perandorinë perse, atë turke, atë kineze, atë gjermane.
Deri kur Amerika do të dominojë detet, do të dominojë botën; ajo do të duhet t’ua ketë frikën vetëm shfaqjes së fuqive të mëdha tokësore në bllokun euraziatik – kihet parasysh këtu rilindja ruse apo një aks hipotetik kontinental ruso–gjerman – që i venë duart mbi flukse të konsiderueshme tregtare dhe teknologjike. Ky bllok rrugësh tokësore mund të përqendrojë trafiqe produktesh, investimesh dhe lëndësh të para jo të kontrolluara nga Shtetet e Bashkuara, jo të transaksionuara në dollarë dhe e gjitha drejtpërsëdrejti drejt Europës, akoma sot një prej tregjeve më të mëdha të botës. Duke e thjeshtëzuar në ekstrem skemën, Rusia do të prodhonte lëndë të para, Kina produktet industriale masive, Europa shërbime, teknologji dhe produkte industriale të avancuara: tri ekonomi komplementare dhe të integrueshme. Ankthi i Brzezinski dhe i çdo strategu nga përtejoqeanit.
Prandaj Rusia duhet të frenohet po aq sa Kina dhe të dyja fuqitë nuk duhet t’i saldohen Europës: nga këtu zjarri ukrainas.
Askush nuk duhet të kontrollojë as Lindjen e Afërt, me kosto që ta lejojë shtëpinë t’i digjet boll që askush të mos e banojë, apo që rusët dhe europianët të lodhen teksa provojnë të shuajnë zjarrin. Kështu, nuk bëhet asgjë për të frenuar kaosin që ka pasuar “pranverat arabe”, përkundrazi, punohet për ta rritur më tej atë.
E fundit, është e nevojshme që Europa të mbesë e dobët dhe e nënshtruar ndaj TTIP-së. Bota e Obamës është një botë e paqëndrueshme, një botë që digjet. Të mos presim marrëveshje ekuilibri midis fuqive.
Në këtë optikë, qasja e re e NATO-s kundrejt Rusisë është një rast studimor i mrekullueshëm – frenimi antikinez është deri edhe më kompleks – duke patur parasysh marrëdhëniet e avancuara tregtare dhe financiare midis Kinës e Shteteve të Bashkuara, ndërsa amerikanë dhe rusë nuk kanë raporte të rëndësishme fqinjësie, kulturore apo tregtare. Rusia është armiku ideal për ta mbajtur Europën të lidhur me Amerikën, duke qenë se kjo e fundit nuk ka asgjë për të humbur nga përkeqësimi i marrëdhënieve të pakta të tyre me Federatën.
Kjo për sa i përket planit ekonomik. Në planin ushtarak mund t’i referohemi metodologjikisht një libri interesant që është botuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore – viti 1947 – nga një oficer i shquar italian, Admirali Di Giamberardino. Libri në fjalë, me titullin “Konflikti botëror i radhës”, imagjinonte nivelin taktik të një përplasjeje eventuale midis blloku të Lindjes dhe bllokut të Perëndimit, si dhe kalonte në mikroskopin e analizës ushtarake nyjet kryesore gjeopolitike të teatrit veriatlantik.
Në skenarin modern, si të imagjinohet rasti i një sulmi NATO ndaj Rusisë? Një sulm eventual i NATO ndaj Rusisë sot nuk do të bëhej nga Azia Qendrore dhe as nga Lindja e Largët, ku forcat amerikane dhe aleate do të duhet të konvergjojnë kundër bazave të Kamçatkës e Vladivostokut për t’i bërë jofensive, por duke sfiduar edhe fuqinë kineze, por nga Europa dhe nga Kaukazi. Në Europë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë të dislokuara në vendet balltike, në Poloni dhe në vendet e tjera të Lindjes të futur në NATO, pse jo edhe në Ukrainë, mund të avancojnë në drejtime të shumta: në veri (Balltiku) duke kërcënuar Shën Petërsburgun, nga Polonia duke penetruar në Kaliningrad e në Bjellorusi për të kërcënuar frontin qendror dhe nga jugu (Ukraina) duke synuar Rostovin, Kurskun dhe ultësirën; këtu forcat e ndërhyrjes së shpejtë do të bashkoheshin me forcat e ardhura nga Kaukazi, aleate të gjeorgjianëve, ndoshta të azerbajxhanasve, por edhe të rebelëve takfiristë vendas apo të importuara (nga Siria).
Për motive mjedisore, më kompleks skenari i një sulmi nga veriu i largët (Norvegjia) për të kërcënuar Arktikun. Kolona qendrore dhe ajo veriore e sulmit të NATO-s mund të synojnë, pas Shën Petërsburgut, drejtpërsëdrejti Moskën; ajo jugore mbi Vollgën dhe distriktet industriale përkatëse, si dhe mbi Uralet, duke aneksuar Tatarstanin dhe duke e ndarë Rusinë europiane nga ajo aziatike. Në avancim mund të jenë të mbështetura nga atomiket e reja taktike B61 dhe nga ato potencialisht të vendosshme në bazat e reja raketore në Europën Lindore. Bazat në Krime do të neutralizoheshin tashmë menjëherë nga forcat turke dhe ukrainase.
Rusia do të kishte dy opsione: kapitullimin e asaj që mbetet nga Federata, e reduktuar vetëm me Siberinë dhe vërtitet rreth Novosibirskut e Vladivostokut, ose raprezaljen masive bërthamore. Tërheqja nga shtrirja e territorit sovjetik në atë të Federatës aktuale e ka privuar Rusinë nga çdo thellësi taktike: qendrat jetike të shtetit rus janë drejtpërsëdrejti të kërcënueshme nga forca konvencionale të përshtatshme.
Duhet të jetë e qartë se trupat e NATO-s të rreshtuara sot në Europë, nga pikëpamja cilësore dhe sasiore, nuk janë në asnjë aspekt të gatshme për të realizuar një sulm masiv: por mund të ushtrojnë presione dhe kërcënime duke u varur si një shpatë Damokleu mbi një territor të pafundëm për t’u kontrolluar dhe pothuajse të privuar nga mbrojtjet natyrale.
Paradoksi i lënies së Rusisë së privuar nga mbrojtja taktike – dhe doktrina e Kremlinit është e vetëdijshme – konsiston në lënien vetëm të opsionit strategjik: të ruajë mbrojtjen antiNATO të fqinjit të vet të jashtëm, të ruajë një arsenal bërthamor strategjik për t’u përdorur (gjithmonë në përputhje me doktrinën e përmendur) edhe në rast të luftës konvencionale kundër territorit të vet, të ruajë në instancë të fundit një mirëkuptim gjithnjë e më të madh me Kinën.
Duke u rilidhur me çka thamë në fillim dhe duke e kompletuar atë, bota që na le Obama është një botë në flakë, e destabilizuar, e ekspozuar ndaj një rreziku bërthamor më të madh. Megjithatë, në horizont mund të shikojmë të lindë një bllok euraziatik që i ka të gjitha potencialet të jetë një kundërshtar i fortë i Amerikës. Pikërisht politika antieuraziatike e Shteteve të Bashkuara, që synon të dobësojë Rusinë, e hedh këtë të fundit në krahët e kinezëve, duke favorizuar lindjen e një Eurazie më kompakte. Është paradoksi i strategjisë, “paradoksi i pikës kulminante”: maksimumi i ekspansionit të një perandorie gjeneron një supershtrirje, domethënë pamundësinë për të menaxhuar në mënyrë efikase të gjithë skenarët, të gjithë teatrot, të gjitha pasojat e veprimeve të veta.
Nëse Amerika do ta pranojë një Rusi të fortë, autonome, afër me Europën dhe larg nga Kina, do të rrezikojë të gjendet me një konkurrent influent mbi Kontinentin e Vjetër. Në rast se Amerika do ta sulmojë Rusinë dhe Kinën, drejtpërsëdrejti ose jo, do t’i bashkojë kundër vetes së saj.
(nga Geopoliticus)

Artikulli paraprakFrika mes TS (Tepelena State) dhe IS
Artikulli tjetërKush është Mike Pence?