Kush është Mike Pence?

Në vështrim të parë, guvernatori i Indianës, Mike Pence, mund të mos duket si njeriu i duhur për të garuar përkrah njujorkezit të stuhishëm Donald Trump. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës”, Katherine Gypson, njofton mbi vlerat e rajonit perëndimor të Amerikës dhe eksperiencës që ka zoti Pence në Uashington për të bërë më të fortë kandidaturën presidenciale republikane.
Ai është nga rajoni i shteteve veriperëndimore të Amerikës, me kredenciale të fuqishme konservatore.
“Njerëzit që më njohin mirë e dinë se jam njeri i thjeshtë – jam i krishterë, konservator dhe republikan, sipas kësaj radhitjeje”, është shprehur zoti Pence.
Vlerat e zotit Pence vijnë nga shteti i tij i Indianës.
“Njerëzit e mirë bëjnë gjëra të mira kur nuk i sheh njeri dhe kjo është karakteristikë e njerëzve nga kjo pjesë e vendit dhe nga shtete si Indiana”, thotë Randy Decleene, i firmës konsulente KGlobal Consulting.
Në vitet ‘90, kur Pence ishte një drejtues konservator i një emisioni në radio, ai pati rastin të fliste me Randy DeCleene-in rreth shpresave të tij për të ardhmen dhe për shërbimin qeveritar.
“Mesazhi qendror i asaj që ai tha ishte shumë pozitiv, energjik dhe frymëzues”, thotë zoti Decleene.
Ndërsa kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, thotë se:
“Ai është një njeri besimtar. Është njeri me bindje. Është njeri që mund ta besosh. Ai vjen nga zemra e lëvizjes konservatore të Amerikës”.
Pas dy fushatave të pasuksesshme për në Kongres, zoti Pence më në fund u bë përfaqësues i Indianës në Kongresin amerikan në vitin 2000.
Ai fitoi eksperiencë në Uashington, por nuk e sheh qeverinë si përgjigjen e vetme të problemeve që kanë njerëzit.
“Jemi të lodhur nga thëniet se një elitë e vogël intelektuale në Kongresin e shkëputur nga realiteti, mund të planifikojë jetët tona më mirë sesa vetë ne”, thotë zoti Pence.
Zoti Pence u kthye në Indiana në vitin 2012 për të shërbyer si guvernator, duke nxitur debate mbi abortin dhe konflikte mes të drejtave të homoseksualëve dhe lirisë fetare.
“Ky ligj nuk u jep bizneseve të drejtën për të mohuar shërbimin ndaj kujtdo”, u shpreh ai.
Besimi fetar i fuqishëm i zotit Pence sjell balancë në kandidaturën republikane – megjithëse duket opozita e zotit Trump në shumë çështje.
“Pjesa konservatore e partisë – që ka qenë dyshuese për Donald Trumpin – e di se mund të besojnë zotin Pence. Ai është një njeri me përvojë – ka kaluar kohë në Kongres dhe ka qenë guvernator i Indianës. Pra, nëse Trump zgjidhet, mendoj se zoti Pence mund të jetë shumë i dobishëm për të negociuar me Kongresin në emër të administratës”, thotë Gary Nordlinger, i Universitetit “George Washington”.
Por, vlerat personale të zotit Pence janë shumë më të rëndësishme thotë analisti DeCleene:
“Mendoj se ai ka cilësitë për të qenë një udhëheqës i fuqishëm, gjithpërfshirës dhe strategjik”.
Cilësi këto që zoti Pence shpreson se do të bindin votuesit në zgjedhjet e nëntorit.

Artikulli paraprakBota që na le Obama
Artikulli tjetërKaçe huazohet te Victoria Plzen