Pep Guardiola beson se Barcelona do të përballet me një periudhë krize kur të largohet Lionel Messi nga Camp Nou, ashtu siç i ndodhi edhe Real Madridit pas largimit të Cristiano Ronaldos nga Santiago Bernabeu.
Kapiteni argjentinas Lionel Messi e ka kaluar të gjithë karrierën e tij si futbollist profesionist në Katalonjë, pasi ishte larguar nga vendlindja e tij, Rosario, dhe ishte shpërngulur në Barcelonë si adoleshent.
Megjithatë, zënka e tij publike me Eric Abidalin ka sjellë spekulime se Messi nuk ka më marrëdhënie të mirë me drejtuesit e klubit dhe Manchester City është interesuar për transferimin e tij.
“Mendoj se kur flisni për lojtarë, duhet t’i tregoni emrat sepse përndryshe ua njollos emrat të gjithëve”, shkroi Messi në postimin e tij në Instagram, në përgjigje ndaj deklaratës së drejtorit sportiv të Barcelonës, i cili sugjeroi se disa lojtarë s’e kishin dhënë maksimumin dhe kjo ndikoi në shkarkimin e Ernesto Valverde.
Barcelona ka tentuar t’i heshtë këto spekulime. Trajneri i ri Quique Setien i siguroi gazetarët në konferencën e tij të fundit se Messi ishte duke buzëqeshur si zakonisht në stërvitjen e së mërkurës.
Real Madridi e di se si është ta humbësh yllin e skuadrës, pasi që Cristiano Ronaldo i kishte lënë ata për Juventusin para dy vjetëve, pasi i kishte fituar tre titujt e Ligës së Kampionëve në tre sezonet paraprake.
Dhe Guardiola, i cili e njeh Barcelonën dhe Messin mirë nga periudha e tij si trajner në Camp Nou, i paralajmëroi tifozët e ish-klubit të tij se ata duhet të përgatiten për një periudhë të vështirë pas largimit të Messit.
“S’mund të evitohet një periudhë e vështirë pas largimit të tyre, pasi këta lojtarë janë shumë të rëndësishëm”, tha trajneri i Manchester Cityt, kur u pyet për situatën e Messit dhe vështirësive që Real Madridi i kishte kaluar pas largimit të Ronaldos.
“Kur Messi do të largohet nga Barcelona, atyre do t’iu duhet një periudhë kohore për t’u përshtatur me realitetin e ri. Është e paevitueshme”.
“Këta djelmosha i shënojnë nga 40 apo 50 gola në sezon”.