Dëmtohet Ajeti, largohet mes dhembjeve

Fati i keq përndjek Arlind Ajetin në startin e aventurës së tij me Torinon. Pasi humbi debutimin e skuadrës në Serinë A në sfidën ndaj Milanit, ku nuk ishte as në stolin e rezervave, mbrojtësi shqiptar ka pësuar një dëmtim në stërvitje, që në dukje ishte mjaft i rëndë.
Klubi njoftoi se 22-vjeçari pësoi një lëndim muskulor gjatë seancës stërvitore të paradites së kësaj të hëne, të zhvilluar në qendrën sportive të “granatave”. Bëhet fjalë për një problem në pjesën e pasme të kofshës së djathtë.
Gjithçka ndodhi në fund të ndeshjes testuese përballë një skuadre të përzier të ekipeve të moshave të Torinos. Pamja nuk ishte aspak ngushëlluese pas dhembjes së shfaqur nga mbrojtësi kuqezi, gjesteve shqetësuese nga lojtari dhe stafi mjekësor që i dhanë ndihmën e parë duke i vendosur fasho, ndërsa doktorët e ndihmuan lojtarin që çalonte, të largohej nga fusha.
Klubi njoftoi se diagnoza e saktë rreth dëmtimit do të jepet në ditët në vazhdim, pas kryerjes së kontrolleve të specializuara, për të kuptuar në çfarë grade është dëmtimi muskulor dhe sa kohë do t’i nevojitet Arlind Ajetit që të rikthehet i gatshëm, në tentativën që të sigurojë një fanellë titullari në radhët e Torinos.

Artikulli paraprakPescara ndal Napolin. Zhgënjen Interi
Artikulli tjetërUEFA cakton gjyqtarët për Partizanin dhe Shkëndijën